CIA zbardh letrën, ja si nisi rebelimi i shqiptarëve që trajnoheshin në Gjermani për të rrëzuar regjimin komunist, akuzat për Çaush Bashon

0
494

CIA punoi për vite e vite me radhë për të rrëzuar regjimin komunist në Shqipëri, pro në fund dështoi. Pjesë e planeve të tyre ishte dhe ngritja e një kapi me shqiptarë, të cilët trajnoheshin dhe mbaheshin në një fshat në Gjermani. Qëllimi ishte që ata të bëheshin agjentë të fortë dhe më pas të ktheheshin në Shqipëri për të rrëzuar regjimin. CIA tregon një letër se si disa anëtarë të Kompanisë nisën rebelimin ndaj drejtuesit Çaush Basho.

Shtator 1955

Letër e shqiptarëve të pakënaqur komandantit të Kompanisë së agjentëve të CIA-s e vendosur në Gjermani

I dashur major Basho,

Në shqiptarët jashtë kompanisë kemi dëgjuar se një numër iu konsiderueshëm anëtarësh shqiptarë kanë dorëzuar te ju dhe te autoritetet amerikane një peticion për dorëheqje nga Kompania. Ne jemi të informuar se si arsye ata citojnë mungesën e besimit te ju si komandant që prej krijimit të Kompanisë. E vërteta është se kjo tenxhere kishte kohë që ziente dhe ishte e qartë për të gjithë ne se në njëfarë pike do të shpërthente, siç ndodhi. Ne mendojmë se ju nuk duhet të shqetësoheni shumë ju vetë jeni shkaku i kësaj katastrofe. Si një person më i moshuar dhe që ka kaluar shumë vuajtje, juve nuk ju mungon eksperienca për të gjetur një zgjidhje për problemin. Ju e dini shumë mirë se ata nuk po dorëhiqen pa arsye, por për shkak të problemeve direkte dhe indirekte me ju, prandaj jeni ju që duhet të gjykoni. Ne mendojmë, ashtu si sigurisht mund të mendoni edhe ju, se nëse tregoni kurajën kombëtare për t’u dorëhequr ata do të mbeten në paqe. Ju nga gjendja ekonomike do të jeni mirë edhe nëse do ta bënit këtë gjest, i cili do të jetë diçka prej shenjtori prej jush dhe do të vlerësohet nga të gjithë. Nëse nuk e bëni këtë tenxherja do të vazhdojë të ziejë dhe do të plasë jo vetëm prej pasojave të papëlqyeshme por dhe miqtë e vendit tonë do të detyrohen t’i shikojnë më ftohtë çështjet shqiptare. Dhe në fakt nuk është për t’u çuditur nëse ata marrin masa për shpërndarjen e Kompanisë shqiptare, siç ndodhi me kompaninë bullgare. Edhe një herë: në rast se mendon të rezistosh ne besojmë se është e kotë pasi të gjithë ata që kërkojnë largimin tënd kanë faktet në duart e tyre, për aktivitetin tënd personal gjatë kohës që ti i ke drejtuar. Ti ke bërë diskriminime në punë, në grada, në dënime, në përjashtime dhe pranime. Dy persona fajtorë për të njëjtin krim janë dënuar në mënyra të ndryshme, ndërsa persona të përjashtuar nuk janë ripranuar më, derisa janë deklaruar besnikë të partisë tënde. Ti ke favorizuar vetëm anëtarët e saj, duke u mohuar të drejtat të tjerëve. Ti ke ditur të shfrytëzosh komandantët amerikanë që prej Mangelit deri tani, në një mënyrë dinake që ata nuk kanë arritur ta kuptojnë. Këtë shfrytëzim ti e ke përdorur në interes të partisë tënde dhe për t’i treguar të tjerëve se komanda qëndron vetëm te ty, në mënyrë që ata të demoralizohen ose të bëhen xhelozë dhe të bashkohen në radhët e partisë tënde. Ti je përpjekur ta mbushësh Kompaninë me njerëz të partisë tënde me qëllim të forcosh të ashtuquajturin KKDSHL të Parisit dhe të ulësh ata që janë kundër KKSHL (Komiteti Kombëtar Shqipëria e Lirë). Kjo letër që unë po të dërgoj në emër të shqiptarëve këtu jashtë Kompanisë vjen nga detyrimi i ndërgjegjes sonë, si shqiptarë që punojmë për të njëjtin qëllim, çlirimin e atdheut, është për të të kujtuar se askush përveç teje nuk është në pozita për të gjykuar mirëqenien dhe uljen e tensioneve atje. Prandaj mos e keqinterpreto këtë letër, pasi nuk është shkruar për ofendim appo urrejtje, përkundrazi, po ju shkruhet sinqerisht dhe është për të mirën tënde.

Letër për komandën amerikanë të kompanisë së gardës shqiptare:

Ne të nënshkruarit, jemi sot në Kompaninë e Punës 4000, Hohenbrunn-Ëchterhof, kemi nderin të deklarojmë sa më poshtë: Pavarësisht grupeve apo partive politike të shqiptarëve brenda Kompanisë, ne që zbatojmë urdhrat e prononcuara nga komandanti Z. Zobota që prej 12 dhjetorit 1954, kemi qenë tërësisht të angazhuar për punën tonë të përditshme, pavarësisht polemikave me njëri-tjetrin. Në lidhje me këtë ne të gjithë mbajmë emrin “shqiptar” dhe besojmë fuqimisht se ky urdhër i dhënë nga titullari i Kompanisë duhet të zbatohet dhe të respektohet nga të gjithë anëtarët, por në kundërshtim të kësaj urdhri është neglizhuar si gjithmonë nga personat e afërt të komandantit Çaush Basho, të cilët organizohen dhe frymëzohen prej tij. Këto manovra, organizime e reforma po bëhen prej kohësh nga komandanti i kompanisë me lejen e eprorëve të tij dhe kanë të bëjnë me favorizimin e një grupi me premtime dhe joshje të ndryshme, ndërsa ndaj grupeve të tjera duke përdorur shtypjen ose dhunën pa arsye. Këtë e kemi parë edhe para edhe pas 12 tetorit 1984 kur në komandë erdhi kapiten Zobota, por ne kemi qëndruar të heshtur duke menduar dhe duke shpresuar se vështirësitë mes ideologjive ekzistuese këtu do të zhduken. Por ato jo vetëm që nuk po zhduken po ka arritur deri aty sa është përdorur dhunë kundër personave që e kanë deklaruar veten pjesë të një rezistence kombëtare dhe që janë besnikë të politikave të bllokut perëndimor. Për këto arsye dhe për të tjera në lidhje me administratën e Kompanisë 4000 apo atyre që akuzojnë se e shesin veten si spiunë të Amerikës, ne kemi nderin t’ju informojmë me një zë të bashkuar se kemi humbur tërësisht besimin të punojmë me komandantin e kompanisë dhe ju lutemi të hetoni për të marrë masat e nevojshme, ose ta zëvendësoni me një komandant të paanshëm, ndryshe ne do të kërkojmë dorëheqjen nga kontratat tona të punës. Me respekt. (90 nënshkrime)

 

31 janar 1955

Personeli i projektit: Kraja, Shyti, Gjon Markagjoni

 

Ernest Koliqi nga Shkodra, intelektual, anëtar i kabinetit që ka bashkëpunuar me pushtuesit italianë dhe ka lidhje të mundshme në Vatikan. Mund të jetë në nën-agjent i inteligjencës gjermane. I biri i subjektit në vitin 1949 raportohej se ishte në kontakt me inteligjencën italiane për operacionet kundër Shqipërisë. Objektivat e projektit janë shqiptarët me qëndrim në Shqipëri, Jugosllavi dhe Italia. Kontaktet me individët e zonave të shënjestruara janë mbajtur me anë të postës së hapur. Në vitin 1953 ka pasur dyshime mbi efikasitetin e operacionit, pasi përpjekjet e BKI (Balli Kombëtar Indipendent) u gjykuan si jo-operacionale dhe jo-produktive. Gjatë kësaj periudhe hezitimi u pranua se projekti nuk do të krijonte infiltrime agjentësh, por mendohej se do të forconte masën e ndërlidhjes ndërmjet CIA dhe inteligjencës italiane. Një nga aspektet interesante të projektit ishte përdorimi i nëntë agjentëve në Jugosllavi, çka besohet se do të hidhte dritë mbi qëllimet e vërteta të Jugosllavisë në lidhje me Shqipërinë dhe gjithashtu të zbuloheshin mënyrat e veprimit të UDB.

Kontrolli mbi agjentët

Gjatë viteve të para të bashkëpunimit CIA-BKI (1950-1953) agjentët interesoheshin më shumë për politikat shqiptare të emigracionit, përfshi dhe intriga apo skema për rritjen e prestigjit personal. Nga eksperienca ne e dimë se kjo është normale për grupet politike në emigracion dhe që atëherë CIA i shihte me dyshim. Projekti përfshinte një mbështetje të konsiderueshme financiare. Shumica e informacioneve të marra ishin mbi aktivitetet jugosllave kundër individëve shqiptarë. Kontrolli ynë mbi agjentët shqiptarë vjen prej bindjes së tyre të fortë ideologjike se SHBA është kampione e vetë-këmbënguljes dhe shpresa e vetme e çlirimit të vendit, ndërsa disa agjentë të veçantë kontrollohen prej nesh nga fakti se mund të ekspozohet qëllimisht si bashkëpunëtorë të SHBA. Por problemi i kontrollit nuk mund të zgjidhet tërësisht kur kemi të bëjmë me figura apo parti politike, apo me nën-agjentët e tyre, prandaj ne dhe në komunikimet tona me BKI ne përdorim frazën e mjegulluar “burime të shumta në numër për t’u përmendur”, disi e ngjashme me operacionet negative të emigracionit polak me mungesë kontrolli, shpenzime të shumta dhe terren pjellor për agjenturë të dyfishtë. Përveç disa raportimeve për transportet, informacioni nga shqiptarët e Jugosllavisë përmban vetëm aktivitetet e sherret brenda Komitetit për Shqipërinë e Lirë, NCFA, si dhe lëvizjet, thashetheme apo vuajtjet e shqiptarëve në Jugosllavi.

Përplasja e agjentëve

Iliaz Kraja (i sponsorizuar nga CIA) na prezantoi një mundësi për depërtim në Ambasadën e Shqipërisë në Romë, me anë të funksionarit Alek Shyti, por mendohej se qëllimi i vërtetë i Shytit ishte rekrutimi i Krajës në një agjent të dyfishtë. Kjo lojë psikologjike mes Krajës e Shytit na sjell në mendje tre objektivat kryesorë të operimit: informacionet mbi personalitetet dhe funksionet e tyre, mësimi i politikave të kundërshtarit, dhe mënyrat e tij të operimit. Kështu do të ishte me interes të njihnim arsyet e vërteta të kërkesës së hapur të Shytit ndaj Krajës për informacione mbi misionet e mundshme kundër Shqipërisë apo kohën dhe vendit e të dërguarve.

Pyetjet që ngrihen janë: A është përgjuar ai takim? A mund të organizojmë një përgjim të takimit të ardhshëm mes tyre? Në çfarë forme i merr CIA informacionet mbi takimet? Kur dhe si është instruktuar Kraja nga CIA për të luajtur me Shytin? Një detaj me interes është takimi i tyre më 10 maj ku Kraja pranoi 20.000 lira në formë huaje nga Shyti. Në rast se nuk provohet e kundërta, kjo është një provë e fortë se Kraja kontrollohet nga oficeri i tij shqiptar. A mund të jetë e vërtetë që NCFA të jetë i infiltruar nga shërbimet sekrete shqiptare? Çfarë dimë ne për anëtarë si Kodra, Mufti, Bineri, të cilëve iu mohua mundësia të ishin agjentë të Shytit?

Dyshimet për Alek Shytin

Me anë të kontakteve të tij Shyti ka vazhduar të gërmojë për informacion mbi Gardën Shqiptare në Gjermani, dhe beson se agjentët rekrutohen prej saj siç bëhej disa vite më parë. Kraja duket tepër i hapur në diskutimet e tij me Shytin dhe ky i fundit e ka hapur temën në të gjitha takimet e kohëve të fundit. Kraja në vend që të hiqet si injorant, ka pranuar shumë gjëra, madje edhe për ato që nuk ka informacion. Lista e kërkesave të Shytit për ne funksionon si lista e prioriteteve të shërbimeve shqiptare të inteligjencës. Prishja e marrëdhënies Kraja – Shyti rreth 28 qershorit tërhoqi vëmendjen e gjashtë shqiptarëve që ishin në dijeni të Krajës dhe operacionit të tij. Për këtë rast oficerët tanë duhet të pranojnë një mungesë vigjilence në ruajtjen e sigurisë. Tentativa për caktimin e takimit me Shytin më 4 shtator dështoi. Dy ditë më vonë Kraja u takua me oficerin e ri të çështjes, duke treguar se ai vëzhgohej nga inteligjenca shqiptare dhe se ata mund të kontaktonin me të në çdo kohë. Është interesante të përmenden referencat e shpeshta të Mersinit (oficerit të ri të sigurimit) për integritetin territorial të Shqipërisë, siç bëjnë edhe komunistët, që është një nga faktorët kryesorë të mbështetjes së popullit për pushtetin komunist.

Frika nga Sigurimi

Tani që janë kryer tre takime me Mersinin dhe ne i kemi dhënë informacion të kontrolluar, po bëhet e qartë se shërbimet shqiptare nuk dinë më shumë për objektivat e tyre nga sa dimë ne për objektivat tona. Ne nuk dimë shumë mbi mënyrat e veprimit të Sigurimit shqiptar, personave dhe politikave të tyre. Tani ne nuk duhet të kënaqemi me observimet e reagimit të Mersinit në biseda, por Kraja duhet të vihet nën kontroll nga një oficer amerikan dhe të trajnohet në taktike dhe objektiva specifikë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here