Pas ngërçit me Këshillin e Lartë Gjyqësor, që ende nuk është formuar për shkak të mungesës së gjyqtarit të Apelit në Rrethe, është bllokuar edhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë.
Prej një jave, Prokuroria e Përgjithshme ka bërë thirrje që prokurorët e Apeleve të kandidojnë për të zëvendësuar 3 vende bosh në Këshillin e Lartë të Prokurorisë.
Raportohet se vendet bosh në KLP, u krijuan për shkak të moskalimit të Vetting-ut nga 3 prokurorët, Besa Nikhasani, Bujar Hoti dhe Luan Kaloçi.
Nga 4 prokurorë që garuan për Këshillin e Lartë të Prokurorisë, vettingun e kaloi vetëm prokurori Arben Dollapaj. 3 prokurorët që ngelën në Vetting, krijuan kështu ngërçin e KLP.
Burime nga prokuroria e Përgjithshme, bëjnë me dije se një javë pas shpalljes së vendeve bosh nuk ka ende asnjë aplikim. Gara u rihap më 24 shtator 2018. Moskrijimi i KLGJ dhe KLP pamundëson funksionimin e organeve të reja të drejtësisë.