Vetëm pak ditë pas miratimit në Kuvend të ndryshimeve për portet turistike, vjen reagimi i Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri, që kërkon verifikim të detajuar të ligjit.
Në një opinion të shprehur për Report TV, Delegacioni i BE bën të qartë se ndryshimet do të shqyrtohen nga afër, sidomos në lidhje me prokurimin publik dhe përputhshmërinë me legjislacionin europian.
“Ndryshimet do të duhet të vlerësohen nga afër nga shërbimet tona, veçanërisht në fushën e prokurimit publik dhe përputhshmërinë e tyre me legjislacionin e BE-së, i cili kërkon procedura transparente dhe konkurruese për dhënien e koncesioneve, përfshirë edhe për portet.,” thuhet në reagim
Një tjetër pikë për të cilin BE ngre shqetësim është lidhja e këtij ligji me statusin e investitorëve strategjikë. Sipas Bashkimin Europian, ky është një ligj që Shqipëria pritet ta heqë si pjesë e reformave dhe angazhimeve në procesin e integrimit.
“Gjithashtu kuptojmë se teksti i ri përfshin dispozita të pranishme në Ligjin për Investitorët Strategjikë. Ky është një ligj që Shqipëria pritet ta shfuqizojë si pjesë e hapave të Agjendës së Reformave dhe në kuadër të kushteve përmbyllëse për Kapitullin 27. Shqipëria duhet të përmbahet nga çdo hap që bie ndesh me këto angazhime” thuhet në reagim
Më 9 prill, Kuvendi miratoi ndryshimet në fjalë me 76 vota të mazhorancës socialiste, duke i hapur rrugë investitorëve strategjikë të ndërtojnë porte turistike pa kaluar nga procedura e koncesionit, një lëvizje që opozita e kundërshtoi fort, duke e cilësuar si ligj “me porosi”.
Deklarata e plotë e BE-së për Report TV
“Ne jemi në dijeni se Parlamenti miratoi ndryshime në Ligjin “Për portet turistike në Republikën e Shqipërisë”. Ndryshimet do të duhet të vlerësohen nga afër nga shërbimet tona, veçanërisht në fushën e prokurimit publik dhe përputhshmërinë e tyre me legjislacionin e BE-së, i cili kërkon procedura transparente dhe konkurruese për dhënien e koncesioneve, përfshirë edhe për portet. Gjithashtu kuptojmë se teksti i ri përfshin dispozita të pranishme në Ligjin për Investitorët Strategjikë. Ky është një ligj që Shqipëria pritet ta shfuqizojë si pjesë e hapave të Agjendës së Reformave dhe në kuadër të kushteve përmbyllëse për Kapitullin 27. Shqipëria duhet të përmbahet nga çdo hap që bie ndesh me këto angazhime”






































