Nga Julia Vrapi
Një mbrëmje e veçantë kushtuar muzikës klasike vjen në Tiranë, me violinistin Tedi Papavrami dhe pianisten e mirënjohur Hélène Mercier. Dy artistë të mëdhenj të skenës ndërkombëtare do të ngjiten në skenë këtë tetor për të sjellë një program muzikor me vepra të kompozitorëve të shquar Claude Debussy, Maurice Ravel, César Franck dhe Pablo de Sarasate, duke ndërthurur virtuozitetin, elegancën dhe fuqinë shprehëse të muzikës klasike.
Koncerti do të zhvillohet mbrëmjen e datës 27 tetor në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit në Tiranë, por përgjatë këtij viti, violinisti i mirënjohur Tedi Papavrami ka qenë dhe më parë me koncert në skenën e këtij teatri. I njohur për interpretimet e repertorit të madh violinistik, Papavrami më parë më 12 dhe 13 maj solli në skenë edhe “24 Kapriciot” për violinë solo të Niccolo Paganinit.
Këto mbrëmje në Teatrin Kombëtar i Operës dhe Baletit në Tiranë u shndërrua në një ngjarje të rrallë artistike, ku publiku pati mundësinë të përjetojë një premierë absolute të një prej veprave më të vështira dhe më të bukura të repertorit botëror për violinë.
Koncerti në programin artistik
Programi artistik i tetorit përmban 16 shfaqje në skenat e Teatrit Kombëtar të Operës, Baletit, duke përfshirë balet, koncerte simfonike, recitale dhe performanca të veçanta, ku pjesë është dhe koncerti që sjell në skenë dy artistët e njohur Tedi Papavrami dhe Hélène Mercier. Tedi Papavrami që rikthehet në skenën e TKOB-së ka ndërtuar një karrierë të vlerësuar ndërkombëtare si violinist solist, duke interpretuar me orkestra prestigjioze nën drejtimin e dirigjentëve të njohur.
Repertori i tij përfshin vepra të kompozitorëve si Bach, Beethoven, Ysaÿe dhe Paganini, ndërsa regjistrimet e tij muzikore janë vlerësuar me çmime të rëndësishme ndërkombëtare. Krahas koncerteve si solist, ai ka bashkëpunuar me artistë të njohur të muzikës klasike. Gjithashtu edhe pianistja kanadeze Hélène Mercier ka ndërtuar një karrierë të spikatur në skenën ndërkombëtare të muzikës klasike, duke u vlerësuar për interpretimet e saj elegante dhe ndjeshmërinë muzikore.
Gjatë karrierës së saj, pianistja Mercier ka bashkëpunuar me artistë të njohur dhe është ngjitur në skena të rëndësishme koncertore, duke ruajtur një profil të veçantë në repertorin klasik. Pas koncertit të 27 tetorit, kalendari artistik i TKOB-së do të vijojë përgjatë sezonit me shfaqje dhe koncerte të tjera, duke e mbajtur muzikën dhe artin në qendër të programit të institucionit.










































