Broja mund të bëhet gati për Kombëtaren, rikuperimi ecën mirë, Kumbulla shkëlqen me Espanjolin

0
6

Kombëtarja do të kthehet në aktivitetet zyrtare të saj në muajin mars, me duelet e para në kuadër të eliminatoreve të Botërorit 2026, ku siç dihet shorti na ka vendosur në grup me Anglinë, Serbinë, Letoninë dhe Andorrën. Ambiciet e Shqipërisë janë për një nga dy vendet e para, por realizimi i këtij objektivi duket shumë i vështirë, sepse si Serbia, por sidomos Anglia, janë rivalë shumë të fortë. Trajneri i Kombëtares, Silvinjo, ka nisur një tur vëzhgimi të lojtarëve dhe ka mundur të shkojë në disa vende duke ndjekur elementët, si në Çeki, Itali e Angli, për të mundësuar që disa elementë të rinj që po paraqiten mirë me skuadrat e tyre të kenë mundësinë të veshin fanellën kuqezi në këto eliminatore. Ndërkohë, ka lajme të mira. Armando Broja ka pasur rikuperim të mirë dhe besohet se mund të luajë në një nga ndeshjet e Kombëtares në mars, ndërsa mbrojtësi Marash Kumbulla shkëlqeu në Spanjë, ku Espanjoli i tij mundi Realin e Madridit. Një tjetër, kuqezi, kapiteni Berat Gjimshiti, pati një ndeshje të madhe për Atalantën që barazoi me Torinon të shtunën.

Broja ka shenja të mira rikuperimi

Armando Broja me shumë mundësi mund të jetë gati për sfidat e muajit mars me Kombëtaren. Analizat e fundit të Evertonit treguan se sulmuesi i kombëtares shqiptare mund të kthehet nga dëmtimi shumë më shpejt sesa ishte menduar. Ai po rikuperon shpejt, sepse është stërvitur mirë dhe ka sakrifikuar për të përballuar dhimbjet. Mediat angleze raportojnë se Broja mund të jetë i gatshëm pas 6 javësh, kur pritej që rikuperimi i tij të shkonte minimalisht 10 javë. Kjo do të thotë se Broja mund të luajë më 21 mars kundër Anglisë. Kjo do të jetë ndeshja e parë e kuqezinjve në kualifikueset e Kampionatit Botëror 2026.

Kumbulla

Reali i Madridit pësoi disfatë 0-1 ndaj Espanjol në La Liga, ku titullar ishte edhe Marash Kumbulla, që zhvilloi ndeshje pozitive. Mbrojtësi i Kombëtares shqiptare qëndroi në fushë gjatë gjithë duelit, teksa u ndëshkua me karton të verdhë në fundin e sfidës. Ai u vlerësua me notën 7 nga faqja e specializuar e statistikave “Sofa Score”, teksa fitoi 3 nga 5 duelet me kundërshtarët madrilenë. Kumbulla gjithashtu regjistroi edhe 14 pasime të sakta, teksa spastroi 9 herë zonën. Ndërsa sot, mbrojtësi ka reaguar përmes një njoftimi në profilin e tij në “Instagram”. “Performancë e shkëlqyer nga ekipi në një natë të paharrueshme! Falënderime të veçanta për tifozët për mbështetjen dhe energjinë që na kanë dhënë.

Le të shkojmë”, shkruan Kumbulla. Ndërkohë, mediat spanjolle i thurin elozhe mbrojtësit të përfaqësueses kuqezi. Marash Kumbulla ka lënë përshtypje të mira qëkur u transferua në formë huazimi në verën e vitit të kaluar nga Roma. Qendërmbrojtësi i Shqipërisë e ka fituar vendin e titullarit dhe është bërë i padiskutueshëm në skuadër. Kumbulla në 20 ndeshje të zhvilluara në La Liga në edicionin aktual, i ka shënuar dy gola. Njërin e shënoi në fitoren 2:1 ndaj Majorkës, dhe tjetrin në barazimin 1:1 me Seviljen. Dhe forma e mirë në të cilën po kalon Kumbulla, ka bërë që te klubi i elitës spanjolle të futbollit të mendojë për transferimin e plotë të tij në verë, kur i skadon huazimi.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here