Ka nisur gjyqi i themelit për dosjen “Partizani”, ku dëshmitari i radhës është ish-presidenti i Republikës, Bamir Topi.
Gazetarja Anila Hoxha raporton se Bamir Topi është thirrur për të dëshmuar në këtë proces, ndërsa në sallën e gjyqit janë të pranishëm prokurorët e SPAK, Arben Kraja dhe Enkelejda Millonai. Sali Berisha nuk ndodhet në seancë, por përfaqësohet nga avokatët e tij, ndërsa të pranishëm janë Jamarbër Malltezi dhe Xhimi Begeja.
Gjatë pyetjeve nga prokuroria, Topi foli për njohjet e tij me personat nën hetim. Për Jamarbër Malltezin, ai tha se e njeh si dhëndrin e Sali Berishës, me të cilin ka punuar për një periudhë të gjatë.
Diskutimet në sallë
Gjykata: Rezulton që SPAK është i pranishëm me prokurorët Arben Kraja dhe Enkelejda Millonai.
Shtetasi Berisha nuk është i pranishëm, por janë avokatët e tij. Fatmir Bektashi nuk është i pranishëm, i pranishëm është avokati i tij. Xhimi Begeja është i pranishëm në seancë. Andia Pustina nuk është e pranishme, avokatja e saj është e pranishme. Jamarbër Malltezi është i pranishëm.
Gjykata: Keni detyrim të thoni të vërtetën, gjithë të vërtetën.
Bamir Topi: Betohem.
Gjykata: Fjala është për prokurorinë.
Enkelejda Millonai: A i njihni të pandehurit Fatmir Bektashi, Andia Pustina, Jamarbër Malltezi?
Bamir Topi: Malltezin e njoh si dhëndër i doktor Berishës, me të cilin kam punuar për një kohë të gjatë. Dua të specifikoj se asnjëherë nuk jemi ulur qoftë edhe për një kafe. Pra, ka qenë një njohje në distancë.
Me zotin Begeja kemi banuar në një lagje të vjetër, me një distancë rreth 500 metra. Ai jetonte te Selvia, unë te Rruga e Bërdikadave. As jemi ulur, as kemi konsumuar ndonjë bisedë.
Zotin Bektashi e njoh si një personazh që është marrë me politikë dikur. Në mos gaboj, ka qenë dikur zv.ministër. Andia Pustina nuk e njoh.
Enkelejda Millonai: Në cilën kohë ka qenë zoti Bektashi zv.ministër?
Topi: Kam përshtypjen që ka qenë zv.ministër në kohën e Meksit, në mos gaboj.
SPAK: Mund të na sqaroni në lidhje me procedurën me planin e përhapjes? Cilat ishin ato struktura që bënin studimin përfundimtar?
Bamir Topi: Në cilësinë e Presidentit të Republikës isha edhe Komandant i Forcave të Armatosura. Procesi i planit të përhapjes ishte një proces politik që vinte nga Ministria e Mbrojtjes, një proces teknik dhe vinte si një akt. E gjithë përgatitja përbëhej nga shtabi dhe Ministria e Mbrojtjes.
Në atë periudhë ishte një kohë reformash, marrje reformash për të hyrë në NATO dhe e gjithë procedura, i gjithë procesi, asistohej nga ekspertë shumë të njohur të NATO-s. Realizohej, mbyllej nga shtabi dhe vinte tek unë vetëm për t’u mbyllur juridikisht.
SPAK: Gjatë asaj kohe, ju kujtohet se sa vendimmarrje mund të keni pasur për planin?
Bamir Topi: Ka qenë jo vetëm e drejtë e Presidentit për të mbyllur një procedurë që shkonte me një arritje madhore për t’u anëtarësuar në NATO.
SPAK: A jeni vënë në dijeni në lidhje me ndonjë problematikë?
Bamir Topi: Qysh nga momenti që nis procesi, kjo nuk është përgjegjësi e zyrës së Presidentit. Në mos gaboj, ka ardhur nëpërmjet Vladimir Qiriazit, duhet të ketë qenë viti 2009. Kisha një axhendë dite të ngarkuar dhe normalisht e prita, duke qenë se kishte statusin e gjeneralit. Ka filluar të shprehë shqetësime dhe i kam thënë të asistojë me grupin e këshilltarëve. Në fund të ditës kam marrë informacion se shefi i kabinetit më tha: “U konsultua, dhamë mendime, por nuk është një gjë që është në kompetencë të Presidentit, sepse bëhet fjalë për një pronë që ka dalë nga plani i përhapjes nga gushti i vitit 2007”. Më tha: “Është në kompetencë të qeverisë”. Kaq ka qenë dijenia ime.
SPAK: A keni qenë në dijeni për privatizimin?
Bamir Topi: Kam dëgjuar, siç kanë dëgjuar të gjithë. Ka qenë jashtë procedurës së Presidentit.
SPAK: A jeni njoftuar me shkresë për ndonjë problematikë nga zoti Qiriazi?
Bamir Topi: Këtë mbaj mend që ju thashë.
SPAK: Ju keni shkarkuar nga detyra si komandant zotin Vladimir Qiriazi. Kush i bënte propozimet?
Bamir Topi: S’mund t’jua them si procedurë, por besoj se vinte nga Shtabi i Përgjithshëm si propozim.
Gjykata: Mbrojtja ka pyetje?






































