Nga 150 euro për 275 mijë familje shqiptare, qeveria merr vendimin për një tjetër bonus, ja kategoritë që përfitojnë

0
9

Qeveria shqiptare ka vendosur të ndryshojë Buxhetin në ditët e fundit të vitit 2024, duke miratuar shpërblime për familjet në nevojë, të cilat trajtohen me ndihmë ekonomike, personat me aftësi të kufizuar dhe kujdestarët e tyre. Një bonus të dytë, do të ketë edhe për pensionistët. Konkretisht, sipas vendimit zyrtar do të ketë një shpërndarje të tillë të të ardhurave: – 2.2 miliardë lekë në formën e shpërblimeve të menjëhershme për disa nga kategoritë sociale më vulnerabël, në formën e bonusit prej 15,000 lekësh për të gjitha familjet që trajtohen me Ndihmë Ekonomike, Personat me Aftësi të Kufizuar (PAK), si dhe kujdestarët e tyre.

Pra, 150 mijë lekë të vjetra ose 150 euro për të gjitha familjet që trajtohen me Ndihmë Ekonomike, Personat me Aftësi të Kufizuar (PAK), si dhe kujdestarët e tyre. Gjithashtu, Qeveria Shqiptare do të japë dhe bonusin e Pranverës për pensionistët duke siguruar krijimin e një llogarie speciale në Bankën e Shqipërisë, në mbështetje të të moshuarve, në të cilën do të transferohet një fond prej 6.3 miliardë lekësh. – Në pranverë do të përfitojnë bonus në masën 10 mijë lekë ose 100 Euro të gjithë ata pensionistë, pensioni mujor i të cilëve është nën 20 mijë lekë dhe 5 mijë lekë ose 50 Euro të gjithë ata pensionistë, vlera e pensionit mujor të të cilëve është mbi 20 mijë lekë.

Pra, të gjithë ata pensionist që kanë një pension mujor më të vogël se 200 mijë lekë të vjetra, do të marrin një bonus në pranverë në vlerën e 100 mijë lekëve të vjetra ose 100 euro. Ndërkohë, të gjithë ata pensionist që marrin një pension mujoj më të lartë se 200 mijë lekë, do të përfitojnë bonus në vlerën e 50 mijë lekëve të vjetra ose 50 euro.

Detajet

Gjithashtu, kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, gjatë mbledhjes së djeshme të këshillit bashkiak, ndau lajmin për dhënien e shpërblimit të fundvitit për mbi katër mijë punonjës të shërbimeve mbështetëse. “Ata janë heronjtë e heshtur të qytetit, këtu përfshihen pastruesit, ata që merren me mirëmbajtje, sepse do të duam që për mbi 4360 punonjës, ne të kishim një mundësi për t’iu dhënë një pagë shtesë, ose një asistencë shtesë financiare për Vitin e Ri”, tha Veliaj. Ky vendim vjen si një shenjë vlerësimi për përpjekjet dhe kontributin e vazhdueshëm të këtyre punonjësve, veçanërisht në një periudhë festive që mbledh komunitetin dhe familjet.

Por, ky nuk është ndryshimi i vetëm që i është bërë buxhetit të këtij viti. Qeveria ka ulur fondin për bujqësinë dhe gjithashtu i ka dhënë një fond në formën e kredisë “Albcontrolit” që ka shtuar ndjeshëm fondet për transportin rrugor, si dhe ka caktuar 173.3 milionë lekë për 6 bashki (Divjakë, Durrës, Gjirokastër, Pukë, Shkodër e Vlorë) për “Rivitalizimin e tregjeve tradicionale”. Ky rishikim i ka dedikuar vëmendje të madhe transportit rrugor, fondet e të cilit janë rritur me 12.8 miliardë lekë. Referuar tabelave buxheti për transportin rrugor do të rritet nga rreth 29.3 miliardë lekë në 42.2 miliardë lekë.

E nga ana tjetër janë shkurtuar fondet për bujqësinë me 453 milionë lekë. Por nga ana tjetër janë shkurtuar ndjeshëm fondet për institucionet, ku ndikim ka dhënë padyshim mos realizimi i shpenzimeve përgjatë këtij viti. Nëse pritej që 95 institucione do të shpenzonin 430.9 miliardë lekë, tashmë pritshmëritë janë shkurtuar me 12 miliardë lekë dhe deri më 31 dhjetor 2024 ato do të harxhojnë 418.9 miliardë lekë. Ky akt normativ nuk ka prekur pritshmëritë për të ardhurat dhe shpenzimet. Të ardhurat për këtë vit planifikohet të arrijnë 714 miliardë lekë, ndërsa shpenzimet në 771.3 miliardë lekë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here