Paraja po dominon futbollin botëror. Jo rastësisht në kontinentin europian futbolli konsiderohet si industri e katërt, pasi ai ka përfitime marramendëse dhe një prodhim në vijimësi. Megjithatë, vende të ndryshme kanë shkallë të ndryshme zhvillimi. Financat po dominojnë aktualisht Premier League angleze, një kampionat që bën diferencë sidomos me blerjet më të shtrenjta. Aq para sa shpenzojnë klubet angleze në treg në një vit nuk u shpenzojnë katër ligat e tjera të mëdha të marra së bashku. Ndërkohë, Premier League ka qenë mbretëreshë e afatit kalimtar të janarit. Klubet angleze i kanë shpenzuar rreth 3 miliardë euro veç për sezonin 2022/23, ndërsa ishin mjaft aktive edhe në ditën e fundit të afatit kalimtar. Pothuajse të gjitha mediat e mëdha sportive që i bazojnë informacionet e tyre nga burime shumë të sigurta dhe serioze, raportojnë se klubet angleze u harxhuan më së shumti në Evropë në afatin kalimtar të janarit. Në total, duke i përfshirë verën e kaluar dhe këtë dimër, klubet e Premier League i kanë shpenzuar rreth 3 miliardë euro për edicionin 2022/2023. Çelsi i shpenzoi 121 milionë euro mbrëmë duke e transferuar mesfushorin Enzo Fernandez. Kjo nënkupton se klubet angleze i shpenzuar 922 milionë euro gjatë janarit, një rekord absolut ky. Rreth 300 milionë euro klubet e Premier League i shpenzuan vetëm në ditën e fundit të këtij afati kalimtar. Kjo i bie se u kalua për 83% rekordi i janarit 2018, kur klubet angleze i shpenzonin 170 milionë euro në ditën e fundit. Në atë vit, klubet e Premier League i kishin shpenzuar 486 milionë euro, ndërsa në këtë afat kalimtar kjo shumë u rrit për 90%. E për dallim nga 333 milionë eurot e janarit të vitit 2022, në këtë janar klubet elitare angleze e shpenzuan gati trefishin e parave. Këto informata i ka siguruar kompania e shërbimeve financiare “Deloitte”. Premier League e dominon absolutisht listën e harxhimeve në Top 5 ligat evropiane. Shpenzimet e klubeve të kampionatit anglez e mbulojnë 79% të shpenzimeve në pesë ligat kryesore evropiane. Në përgjithësi, shpenzimet në këtë janar në katër ligat më të forta evropiane, pa e përfshirë Premier League, ranë për 35% nga viti 2022. Klubet nga La Liga, Serie A, Bundesliga dhe Ligue 1 i shpenzuan 255 milionë euro. Vetëm Çelsi me 326 milionë euro, ka shpenzuar më shumë se katër ligat tjera më të forta evropiane. Klubet e Premier League i shpenzuan 85% të parave duke blerë lojtarë që vijnë nga jashtë Britanisë së Madhe.