Dëshmia nga Franca e ish-telekronistit të RTSH-së: Sekretari i parë i Komitetit të Partisë Vlorë banonte në një nga vilat e ‘Ujit të ftohtë’, ata që hynin aty tregonin se…

0
134

Nga Vasil Qesari

Pjesa e katërt
Përmbysja e ngrehinës së madhe totalitare në Shqipëri do të linte pas, jo vetëm ndryshimin e sistemit, shoqëruar me plot shpresa, mirazhe e klithma lumturie por, fatkeqësisht, edhe mjaft plagë, drama, viktima, pluhur, mllefe e ç’gënjime nga më të ndryshmet. Dhjetë vjet e më tepër pas asaj ngjarje, e cila tronditi thellë shoqërinë, duke përmbysur tërësisht shumë kode, rregulla e koncepte të mëparshme, njerëzit vazhdojnë endé t’i bëjnë vetes pyetje të tilla, si: Ç’kish ndodhur në të vërtetë në shoqërinë shqiptare, gjatë 50 vjetëve të fundit të diktaturës? Si qe e mundur që sistemi arriti të deformonte gjithçka? Përse njerëzit e kishin pranuar atë? Cila qe logjika totalitare e transformimit të shoqërisë e individit? Si qenë konceptuar e funksiononin strukturat e mekanizmave totalitare: propaganda, policia sekrete dhe ushtrimi i ideologjisë së terrorit?

Si ndodhi që ndër mbarë vendet komuniste të Lindjes europiane, Shqipëria të cilësohej përjashtim apo rast i veçantë? Pse Enver Hoxha i qëndroi verbërisht, fanatikisht e gjer në fund besnik Stalinit, duke e kthyer vendin në një burg ku dhuna, frika e spastrimet vazhduan gjer në fund të viteve ’80-të? Pse vendi u izolua çmendurisht, duke i mbyllur njerëzit mes bunkerësh e telash me gjemba? Përse, pra, ndodhën gjithë fenomenet e mësipërme…?! Libri ‘Post-scriptum për diktaturën’, s’pretendon t’u japë përgjigje definitive pyetjeve të mësipërme, apo kompleksitetit të arsyeve që sollën e mbajtën në fuqi pushtetin totalitar në Shqipëri.

As edhe të jetë një afresk i plotë, i thellë e i gjithanshëm i jetës e vuajtjeve që përjetuan njerëzit gjatë atij sistemi. Autori i tij, ndofta, ka meritën që bashkë me shikimin retrospektiv të periudhës totalitare si dhe zellin e një analisti të pasionuar, është përpjekur të kthejë edhe një herë kokën mbrapa, për të dhenë jo vetëm kujtimet e opinionet e tij personale, por dhe për t’i u rikthyer dhe një herë vizionit të asaj epoke me filozofinë e thjeshtë të ruajtjes së Memories e mbështetjes së Apelit për të mos harruar kurrë maksimën e njohur, se…kadavrës vazhdojnë t’i rriten thonjtë e flokët edhe pas vdekjes! Dhjetë vjet e më shumë pas përmbysjes së madhe, libri në fjalë ka vlera aktuale e shpresojmë të vlerësohet nga lexuesi sepse, siç shprehet edhe një studiues shqiptar…e keqja më e madhe që mund t’i ndodhë një populli, vjen atëherë kur ai nuk arrin të bëjë analizën e së kaluarës së vet. Një popull amnezik është i detyruar të jetë vazhdimisht neuropatik e të përsërisë përvojat e tij të dhembshme…!

Vijon nga numri i kaluar

TREGIM PËR SEKRETARIN E PARE
Para se të hysh në zyrën e sekretarit të parë të Partisë në rreth, do të duhet të kalosh pa tjetër në paradhomën e një sekretari tjetër, i cili quhet ndryshe ndihmës. Në çdo rast, është vetëm ai që mundëson apo shoqëron këdo që është i autorizuar të hyjë në shtatmadhorinë e shefit. Porta e zyrës së sekretarit të parë është hermetike. Me izolim special, në mënyrë që asnjë bisede që zhvillohet në të mos dëgjohet, qoftë edhe nga vetë ndihmësi i tij.

Ja…! Juve u është dhenë mundësia të hyni brenda saj e të vëzhgoni gjithçka qetësisht. Dera e rendë hapet e para syve shfaqet një goxha zyrë plot dritë. Dyshemeja e saj është e mbuluar cep më cep me një moket të trashë ngjyrë vishnje. Pastaj, ajo që ju bie menjëherë në sy, është një portret i madh i Enver Hoxhës, i cili zë pjesën më të madhe të faqes së murrit përballë. Pikërisht, aty, është dhe vendi ku ulet e punon sekretari i parë. Në qendër të zyrës, ndodhet një tavolinë e rendë prej ahu, ku mund të ulen mbi njëzetë vetë. Ndërsa, përballë saj, zë vend tavolina e punës së sekretarit të parë, e cila formon germën T me atë të mbledhjeve.

Në të majtë të zyrës, mbi një mobile tip bibliotekë, qëndron një televizor me ngjyra, montuar me forcat tona në Uzinën e Radio Televizorëve të Durrësit. Po aty, është edhe një radio e madhe e markës ‘Krasnaja Oktober’, e mbetur në inventarin e zyrës, qysh nga koha e largët e miqësisë me sovjetikët. Më poshtë akoma, janë ekspozuar disa nga prodhimet industriale të rrethit: një kavanoz me naftë bruto, dy qeska me kripë të jodizuar, ca llamba elektrike, një bllok bitumi e dy-tri kuti konservash peshku. Kurse, anën e djathtë e zë plotësisht një bibliotekë tjetër e stërmadhe, me rafte të shumta por me pak libra. Në to mund të dallosh vetëm ca blloqe të purpurta të veprave të Enver Hoxhës, si edhe broshura të ndryshme propagandistike.

Mbi tavolinën e punës së sekretarit të parë, janë instaluar katër telefona me ngjyra të ndryshme. Njëri prej tyre, lidhet direkt me Sekretariatin e KQ të Partisë, në Tiranë. Një tjetër, me degën e Sigurimit të Shtetit në rreth, si dhe me shtabin e Komandës së Mbrojtjes. I treti, me Shtëpitë e Partisë në Ujë të Ftohtë, dhe i fundit, me një linjë të veçantë, i cili bën të mundur komunikimin direkt me çdo lloj numri në Tiranë.

Por, le të kthehemi përsëri tek përshkrimi i zyrës së sekretarit të parë. Pak më tej, nga ana e djathtë e tavolinës së punës, është një kasafortë e madhe çeliku, porta sekrete e së cilës është e vulosur me dyllë të kuq, pikërisht në afërsi të vrimës së çelësit. Në anën e majtë, pranë dritareve të mëdha e me perde të renda, ndodhet një kënd intim, për pritjen e miqve. Një tavolinë e ulët dhe e zezë me një tavëll cigaresh përsipër, shoqëruar nga një divan i gjerë me tre kolltukë përreth. Mobilet e tjera të zyrës, janë pak a shumë tip. Të thjeshta e me dru arre. Të një modeli me ato që ndodhen edhe në zyrat e sekretarëve të tjerë. Me një fjalë, aspak moderne por, të një stili që mund të cilësohet stil burokratik socialist…!

Dhe ja, pas pak, në zyrë hyn vetë sekretari i parë, i shoqëruar nga ndihmësi i tij, i cili vendos me delikatesë mbi tavolinë një dosje me kapakë të kuq. Ai është një burrë që i ka kaluar të pesëdhjetat. Me pak thinja mbi tëmtha. Veshur me kostum blu të thellë. Me këmishë ngjyrë qielli, si ato që mbajnë zakonisht edhe anëtaret e Byrosë Politike, e që janë, përgjithësisht, dhurata nga ambasadorët e vendit jashtë shtetit.

Fytyra e sekretarit të parë është e rruar dhe e pastër. Lëkura, ngjyrë rozë, në të bardhë. Plot shkëlqim dhe e ushqyer mirë. Flokët të prera shkurt e të krehura me merak. Sekretari i parë bën kujdes për pamjen e tij të jashtme. Por, ama, pa e tepruar. Ai nuk duhet të duket primitiv, por as edhe modern. Asgjë, nuk duhet të kujtojë tek ai, dandizmin borgjez. Kështu, bie fjala, për deodorantë apo erëra të tjera, as që bëhet fjalë. Vetëm në raste të veçanta, ai përdor një locion të lehtë mbas rroje. Natyrisht, edhe ai, dhuratë nga një mik, i cili udhëton shpesh jashtë shtetit.

Megjithatë, sekretari i tanishëm ndryshon shumë nga paraardhësi i disa viteve më parë, i cili shpesh rrinte ditë të tëra pa venë brisk në faqe e nuk e hiqte kurrë nga koka e tij tullace, kasketën ngjyre kaki. Në prag të pensionit, ai i përkiste brezit të veteranëve e qe transferuar aty, nga një rreth i largët juglindor. Shumë njerëz thoshin, bile, se ai kish bërë karrierë nga nami i madh që kish marrë lart, për organizimin e aksioneve me goditje të përqendruara në bujqësi. Të tjerë, e mohonin atë variant, duke thënë se ai kish të bënte me gruan e të Madhit. Kish qenë pikërisht ajo, e cila kish ndërhyrë për transferimin e tij, në atë rreth bregdetar. Aty, ku me të shoqin, për çdo dimër, kalonin familjarisht pushimet.

(Qyteti i Vlorës, me rreth 70 mijë banorë, në vitet ’80-të, kish vetëm 5 – 6 linja komunikimi telefonike me Tiranën. Tri ishin të instaluara në zyrat e sekretarit të parë e kryetarit të Komitetit Ekzekutiv. Një, në vilat e Ujit të Ftohtë dhe, e treta, për përmbushjen e nevojave të popullit, qendrave të punës e institucioneve të ndryshme. Aso kohe, pjesa dërrmuese e njerëzve komunikonin me të afërmit e tyre në rrethe të ndryshme të vendit, me të ashtuquajturat ‘Lajm–thirrje’. Kasketa alla Lin – Biao u bë veçanërisht e “modës” gjatë viteve të Revolucionit Kulturor në Kinë. Ajo u përdor fillimisht nga vetë Enver Hoxha e pastaj, automatikisht, nga anëtarët e Byrosë Politike, ata të KQ si edhe poshtë në “bazë”, nga funksionarë e militantë të Partisë).

Në zyrën e sekretarit të parë përgjithësisht ka qetësi absolute. Kjo, ndodh se ai është i prirë drejt operativitetit në bazë. Zakonisht, kur nuk ndodhet aty, me problemet operative të ditës merret ndihmësi, i cili e kalon orarin zyrtar duke kryer biseda telefonike të pafund. Në ditët që ndodhet në zyrë, sekretari i parë është shumë i zënë me punë. Ai, telefonon pa reshtur, duke dhenë porosi pak a shumë të tilla: “Kujdes detyrat e planit…! Si ecin shërbimet në bujqësi…? Më njoftoni për grafikët e punëve…! Për çka mendoni të bëni, reflektoni mirë…! Unë, mendoj se, do të ishte mirë që të vepronit kështu…etj”.

Kur ndodh që bie zilja e telefonit, të lidhur direkt me Udhëheqjen në Tiranë, sekretari i parë ngre receptorin me nxitim dhe i shqetësuar. Ai dëgjon pa reaguar dhe i përqendruar në kulm. Kur, bashkëfolësi matanë i drejton pyetje, ai përgjigjet me nota servilizmi të ekzagjeruara. Shprehjet e fytyrës i ndryshojnë sipas rasteve. Në qoftë se, bëhet fjalë për ndonjë përgëzim nga lart, apo ndonjë shkrim pozitiv të botuar në ‘Zëri i Popullit’ që raporton për realizimin e detyrave të planit në rrethin e tij, ajo i ndrit nga gëzimi. Atëherë, ai reagon menjëherë me shprehjet:

Faleminderit, shoku X…! Ne do të vazhdojmë të punojmë sipas udhëzimeve të Partisë e shokut Enver…! Në të ardhmen do të shënojmë rezultate edhe më të larta…! Të rrojë Partia…! Në raste kritikash, ai skuqet e djersit, plot siklet. Nuk tenton të justifikohet, por bën menjëherë, autokritikë. Angazhohet se, do marrë masa urgjente e se do të ndëshkojë ata që zvarrisin punët.

Më të shumtën e kohës, sekretari i parë e kalon nëpër mbledhje.

Mbledhje në Tiranë, mbledhje në aparat, mbledhje në organizatat e partisë në rreth etj. Ndërsa, në ditët e qeta, ai e nis orarin zyrtar në orën 8 të mëngjesit. Së pari, me leximin e shifrës (udhëzimeve e lajmeve sekrete të ardhura nga lart për probleme të ndryshme të Partisë), e pastaj me buletinin e Degës së Punëve të Brendshme. Mëngjesi, vazhdon më pas, me leximin përciptas të titujve kryesorë të shtypit qendror e lokal, si edhe të buletinit të Seksionit të Statistikës në Komitetit Ekzekutiv, ku përshkruhen me hollësi ecuria e treguesve të realizimit të planit në ndërmarrje e kooperativa bujqësore.

Çdo ditë të hënë, sekretari i parë ka takimin e tij të rregullt, me kryetarin e Degës së Punëve të Brendshme. Një burrë me pamje të ashpër. Me shtat të lartë e trup boksieri. Ai i raporton atij, për shkallën e vigjilencës e sigurisë në rreth, si edhe për ngjarjet që kanë ndodhur gjatë javës së kaluar. Ndër të tjera, e njofton edhe për arrestimin në qytet, të dy personave. Një mësuesi e një marangozi, të cilët, kryenin agjitacion e propagandë. Gjithashtu, e vë në dijeni, edhe për internimin në një zonë të thellë malore, të një familje të deklasuar.

Sekretari i parë, e dëgjon me vëmendje dhe aprovon, duke tundur kokën me kënaqësi. Ai e përgëzon atë për luftën e suksesshme ndaj armiqve dhe, e këshillon, që të risi edhe më lart vigjilencën e punën përgjuese ndaj tyre. Mbas shefit të Sigurimit, në zyrë hyjnë varg një grup veteranësh. Sekretari i parë ngrihet në këmbë. I përqafon, një për një me radhë dhe ulet bashkë me ta, në tavolinën e mbledhjeve. Ata e informojnë për punën e bërë në mbledhjen e biografive të dëshmorëve të Luftës Antifashiste Nacional-çlirimtare dhe i kërkojnë dieta e financim, për vajtje-ardhjet që kanë bërë nëpër fshatra. Sekretari i siguron se çdo gjë do të rregullohet.

Pastaj, në zyrë hyn një grup prej katër vetash, të shoqëruar nga instruktori i sektorit të Edukimit. Ata i prin kryetari i Degës së Lidhjes së Shkrimtarëve e Artistëve, i cili paraqet programin e veprimtarive për nder të ditëlindjes së udhëheqësit të dashur Enver Hoxha. (Dekor festiv në qytet, ekspozitë e arteve figurative, festival folklorik, koncert i fjalës artistike nga aktoret e teatrit dramatik, foto-ekspozitë në muzeun e rrethit etj).

Gjatë takimeve të tilla, sekretari i parë nuk mungon asnjëherë, t’i qerasë shokët me kafé. Atë, zakonisht, ua servir në zyrë bufetierja e barit të Komitetit të Partisë, që ndodhet në katin e parë. Në raste të veçanta, kafet i sjell ndihmësi e, kur është fjala për miq të rëndësishëm të ardhur nga lart, pra nga Tirana, atëherë shkalla e nderimeve dhe respektit, janë të veçanta. Sekretari i parë lë çdo punë, dhe i çon ata, fillimisht për kafé në Ujë të Ftohtë, e pastaj për drekë në një prej Shtëpive të Partisë.

Sekretari i parë ka një veturë fringo të re, të markës franceze ‘Peugeot’. Ajo, është vetura më luksoze e cila qarkullon në qytet, krahas atyre të kryetarit të Komitetit Ekzekutiv, atij të Degës së Punëve të Brendshme dhe tre-katër drejtuesve të tjerë në rreth. Ai, e përdor ‘Peugeot’-në, vetëm në vendet ku kalojnë rrugë të asfaltuara. Për lëvizjet brenda qytetit, si edhe vajtje-ardhjet në Tiranë. Në ditët kur ai ndodhet në zyrë, shoferin i tij e sheh vazhdimisht me sfungjer e pece në dorë. Ai lan, pastron e lustron pareshtur karrocerinë, xhamat e ndenjëset e veturës, e cila lëshon reflekse llamburitëse.

Ndërsa për udhëtimet në zonat e thella, sekretari i parë përdor një automjet të markës rumune “Aro”. Në raste të tilla, edhe veshja e tij ndryshon, për t’i u përshtatur sa më mirë klimës e mjedisit ku shkon. Ai, mban një xhup të gjelbër doku të gomuar e me jakë pelushi, pantallona të errëta stofi të trashë e kasketë. Në mbledhjet e organizatave bazë, inspektimet për realizimin e detyrave, në raste festash e përvjetorësh, një veshje e tillë modeste, tregon jo vetëm thjeshtësi, por edhe shkrirje me popullin.

Kreu i Partisë në rreth, ashtu si edhe para ardhësit e tjerë, banon në një vilë buzë detit. Ajo është e rrethuar me mure të lartë dhe ka një portë të madhe hekuri. Përreth saj vërtiten vazhdimisht dy-tre civilë. Pa dyshim, roje të policisë. Mbi çatinë e vilës, janë instaluar disa lloje të ndryshme antenash për marrjen e kanaleve të huaja televizive. Ata pak njerëz që kanë pasë rastin e rrallë të hyjnë në brendësi të vilës (hidraulikë, elektricistë, bojaxhinj a kopshtarë), tregojnë në intimitet se mjediset e saj ngjajnë me ato të shtëpive borgjeze që ata kanë parë vetëm në emisionet e huaja televizive.

Brenda saj nuk mungon asnjë nga pajisjet e nevojshme elektro-shtëpiake. Ngrohja bëhet me korrent, dhomat janë plot hapësirë, kolltukët të rehatshëm e mobilet prej dru arre. Furnizimi i familjes me ushqime, bëhet dy herë në javë, direkt nga magazinat e ndërmarrjes tregtare të qytetit, ndërsa gatimin dhe pastrimin e shtëpisë e bën shërbyesja. Mishi vjen nga tufat më të mira të Lumit të Vlorës, peshku nga dalani i Zvërnecit, fazanët nga qendra e eksportit në pyllin e Poros, vera nga rezerva e veçantë e shokëve të udhëheqjes në kantinën e Nartës, mjalti nga Kanina, agrumet nga Jonufra e Qeparoi.

Shpesh, sekretari i parë punon gjer vonë. Kjo, ndodh në raste mbledhjesh në zyrën e tij ose, kur i duhet të përgatitet për ndonjë plenum, konferencë apo takim të rëndësishëm në Tiranë. Kur del prej saj, ai përshëndetet miqësisht me shokët, zbret qetë-qetë shkallët e nuk harron të nderojë me grusht edhe policin, i cili bën roje me armë në portën e jashtme të komitetit. Pastaj, i hipën veturës dhe mbërrin në shtëpi. Ha darkë, së bashku me bashkëshorten e fëmijët e, po qe se në televizion nuk ka ndonjë film interesant, tërhiqet në një kënd të qetë të sallonit dhe nxjerr nga çanta e tij prej lëkure, Buletinin e verdhë. Vë syzet, shfleton disa fletë e, pas pak, ndjen t’i rendohen sytë. Është ora e gjumit. Ai shkon të flejë.

Nesër e pret një ditë tjetër e rendë pune, në frontin e vështirë që i ka besuar Partia…!
(“Buletini i verdhë” i ATSH-së.-Agjencisë Telegrafike Shqiptare-Buletin sekret për “përdorim të brendshëm”, i cili botohej për udhëheqjen e kuadrot e lartë të Partisë e pushtetit. Ai përmbante komente të medieve të huaja mbi Shqipërinë si edhe lajme, informacione për ngjarje të ndryshme ndërkombëtare, të cilat nuk botoheshin kurrë në shtypin e kohës).

KARRIERA E SHOKUT TE MIRE S.S.
Shoku i mirë S.S. e ka nisur karrierën në Parti nga hiçi.
Prindërit e tij, kishin zbritur nga fshati në qytet aty nga fillimi i viteve ’60-të, atëhere kur i ati, në saj të ndërhyrjes së një kushëriri të largët, oficer i lartë në Tiranë, qe veshur kapter ( magazinier ), në një repart ushtarak. S.S., qe pranuar në radhët e Partisë, gjatë kryerjes së shërbimit ushtarake, pastaj, kish nisur punë si brigadier në një ndërmarrje bujqësore malore. Pas 4 vjetësh pune, për arsye të biografisë së mirë (dajua i tij qe Dëshmor i Luftës Antifashiste Nacional-çlirimtare) e, meqenëse, kish mbaruar shkollën Bujqësore me korrespondencë, qe emëruar zv/sekretar i organizatës bazë të Partisë në ndërmarrje.

Gjatë asaj periudhe, në karakteristikën e tij të përvitshme, e cila dërgohej në zyrën e Kuadrit të Komitetit Ekzekutiv të rrethit, ai cilësohej vazhdimisht si kuadër model. I devotshëm, besnik, i thjeshtë dhe që punonte me të gjitha energjitë, për vënien në jetë të mësimeve të Partisë e shokut Enver. Por, shokët e udhëheqjes në rreth i zbuluan cilësitë e tij shembullore, krejt rastësisht. Pikërisht, gjatë një dreke të organizuar me shumë bollëk, me rastin e 10-vjetorit të krijimit të ndërmarrjes, ku S.S. kish mbajtur fjalën e rastit. Gjatë asaj dreke, S.S. nuk kish ndenjur qoftë edhe një minutë, ulur. Ai qe vazhdimisht në lëvizje.

Dinamik, i papërtuar, i qeshur dhe i shqetësuar, ai vente e vinte në kuzhinë, në mënyrë që tavolinës së shokëve nga qendra, të mos i mungonte asgjë…! Mbas dy muajsh, për çudinë e të gjithëve, shokut S.S. i erdhi vendimi i transferimit e, njëkohësisht, edhe i emërimit kryetar në një Kooperativë Bujqësore fare pranë qytetit. Ky, është për të edhe hapi i parë, drejt karrierës aq të ëndërruar. Natyrisht, ai e ndjen veten të kënaqur, por jo gjer në fund. Prandaj, vazhdon të punojë edhe më tepër. Aty ku e sheh më të nevojshme. Emri dhe opinioni rreth tij, duhet të jenë sa më pozitivë e me nam të mirë jo vetëm tek komunistët, por edhe mes kooperativistëve. Është kjo arsyeja pse, sa herë që shkon në fushë a në mal, mes blegtorëve, ai përqafohet me fshatarët, u ndan cigare nga paketa e tij e i pyet me radhë për shëndetin e familjeve.

Por, shoku S.S., sillet krejt ndryshe me vartësit. Me financierët, agronomët, veterinerët e brigadierët. Me ta është fodull, i ashpër e shpesh edhe arrogant. E kjo, sipas tij, është logjike. Sepse, Partia e ka caktuar drejtues e i ka besuar atë detyrë, jo që të tolerojë e të qëndrojë indiferent, por të jetë sa më kërkues e i rreptë në realizimin e detyrave. Shoku S.S, nuk është nga ata njerëz që kënaqet me pak. Qenia kryetar kooperative, për të, nuk është veçse hapi i parë drejt së ardhmes. Ai vështron larg. Bën plane e ëndërron të bëhet dikush. Të zërë një vend të rëndësishëm në shoqëri. Por, gjithashtu, ai është i ndërgjegjshëm se, suksesi e sidomos karriera e tij, nuk varen nga ai. Atë e kanë në dorë të tjerë njerëz. Ata që punojnë lart, në Komitetin e Partisë e, pikërisht, sekretari që mbulon kuadrin.

Përveç kësaj, shoku S.S. këtej e tutje, nis të seleksionojë edhe më mirë shoqëritë e miqësitë. Gjithmonë, në funksion të projekteve të tij ambicioze, ai mendon se duhet të punojë me objektiva më të qarta. Të gjejë rrugë e mënyra për të pasur një mbështetje të nivelit të lartë në Komitetin e Partisë. Dhe, rasti për ta krijuar atë, vjen. Së pari, ai nis të miqësohet edhe më shumë, me instruktorin që mbulon problemet e bujqësisë. Shkëmben vizita familjare, e fton në darkën e ditëlindjes së tij dhe, herë pas here, me shoferin e tij, i çon në shtëpi mish, fruta e perime nga kooperativa. Më pas, me ndihmën e mikut të tij instruktor, ai fillon të komunikoje miqësisht edhe me shokun Y.D., sekretari që mbulon kuadrin. /Memorie.al/

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here