“Nga ‘Vila Lule’ që arkitekt Sotiri i’a bërë dhuratë gruas te Pista ‘Iliria’, me dashuritë e fshehta të vajzave gjermano-lindore që”/ Historia e panjohur e Plazhit të Durrësit

0
185

Cilat kanë qenë plazhet e preferuara, dhe si bënin shqiptarët pushimet para dhe pas viteve ‘50-të, në veçanti ata që preferonin detin? Durrësi ai më kryesori, në tre muajt e verës, i frekuentuar nga aristokracia, pasanikët, por dhe nga vetë Mbreti Zog. Pastaj periudha e viteve 1960 – ’70 – ’80 – të, kanë qenë të veçanta për shqiptarët, individë apo familje që pëlqenin detin. Në ato fillime plazhet ishin të pakta dhe Durrësi, Vlora, Saranda ishin ato më kryesorët. Shëngjini filloi të preferohej me vonë, si dhe Divjaka, ndërsa Dhërmiu, apo bregdeti jonian, ndonëse pëlqehej ishte i kufizuar nga udhëtimi i largët, i vështirë dhe mundësia e pakët për sistemim.

Ka qenë një periudhë shumë agresive ndaj rinisë kryeqytetase në çdo drejtim sidomos, pas mes viteve 1975. Ato quheshin “Grupet e Rinisë”. Të organizuar nga organizatat e rinisë, ato përbëheshin nga disa të rinj që, lëviznin të autorizuar për të ndaluar çdo të ri apo te re që sipas tyre, demonstronte tendenca Perëndimore në veshje, qëndrim, etj. Në veçanti ato ishin të shumtë të numër dhe mjaft dhunues ditën e shtunë apo të djelë gjatë periudhë së plazhit. Në stacionin e trenit në Tiranë, ato dilnin në mënyrë sistematike dhe ndalonin djem e vajza, nuk i lejonin të hipnin në tren, kur i shikonin veshje ekstravagante, flokë apo barseta të gjata.

I merrnin emrat, shkollën, apo vendin e punës për t’i kritikuar, apo nxjerrë në fletë-rrufe. Por, edhe gjatë udhëtimit me tren, apo mbërritjes në Durrës, ato dilnin përpara dhe kontrollonin plazhistët. Kishte raste kur i merrnin i shoqëronin tek berberi apo i kishin me vete dhe i qethnin zero, t’i merrnin veshjet dhe nuk të lejonin të shkoje në plazh. Por, edhe gjatë plazhit, ndalonin në çadrat që dëgjonin muzikë të huaj, apo nëse mbaje një kryq në qafë, ato ta merrnin si shfaqje të huaja.

Udhëtimi me këmbë drejt Durrësit, për vizitë te Biga “Adem Reka”

Dimër, viti 1967, ka qenë marshimi më spektakolar i qytetarëve tiranas drejt Durrësit. I veçantë dhe i paharruar pasi, jo për plazh, apo dëfrim, por për një çështje madhore për një ngjarje

tronditëse për kohën. Sapo kishte humbur jetën, punonjësi i Portit Detar, Adem Reka, që në mbrojtje të Bigës, (vinç i madh lundrues) e cila më pas morri emrin e tij, ai ra heroikisht në krye të detyrës, në një natë me furtunë dhe kur një kohë e keqe rrezikonte gjithçka. Më pas, heroizmi i tij u kthye në një pikë referimi dhe simbol për popullin shqiptar.

Ai u shpall ‘Hero i Punës Socialiste’, dhe drama, filmi “Horizonte të Hapura”, (bashkë me personazhin e paharruar, ‘Robert Çamçakëzin’, i interpretuar nga aktori elbasanas, i ndjeri Shpëtim Shmili, i admiruar nga rinia, si një tip modern), i’u dedikuan heroizmit të tij. Dhe për ta nderuar, u vendos që populli i Tiranës, duke respektuar aktin heroik të tij, të nisej me këmbë si shenjë sakrifice, duke marshuar me orë drejt Durrësit, për të vizituar nga afër bigën që ai shpëtoi, tashmë me emrin: Biga “Adem Reka”. Pra, për në Durrës, drejt detit por jo në plazh dhe as me tren apo mjete të tjera, ndërmarrje, shkolla, institucione, studentë, etj., kanë shkuar edhe në këmbë.

Ushqimi me tallon edhe në plazh?

Talloni i famshëm i ka shoqëruar qytetarët shqiptarë edhe gjatë pushimeve. Si në gjithë plazhin, edhe te “Iliria”, gjatë periudhës dyjavore për banorët e kabinave apo çadrave, nga administrata e plazhit, i jepej një tallon. Në rrugën paralele përballë kabinave në kurriz të “Bllok”-u udhëheqjes, ndodhej dyqani i bukës, ai tavapjekës dhe një ‘Ushqimore-Bulmet’, i ngjashëm me një market të vogël, tek i cili sipas listës emërore të kryefamiljarit, u garantohej një racion mish apo pulë, djath, një shishe vaji, vezë, etj. Te “Iliria”, nuk kishte Rajon Policie, as farmaci, as qendër zëri, as ambulancë e shërbim ambulator, pasi ato ishin përqendruar e vendosur te “Hekurudha”. Edhe kinemaja verore, e vetme përgjatë zonës së plazhit ishte matanë rrugës, midis “Hekurudhës” e, “Ilirisë”.

Po tek “Hekurudha”, ndodhej edhe godina e Postë Telegraf-Telefon, ngjitur me Pallatin e Bujqësisë, i cili ekziston edhe sot aty, si një relike muzeale e periudhës së socializmit, por tashmë i rrënuar dhe i rrethuar nga godinat e reja të ndërtuara pas viteve ’90-të. (Janë vitet kur ministritë apo dikasteret e rëndësishme, orientohen të ndërtojnë pallate në plazh për punonjësit e tyre). Ndërkohë, te Iliria kanë qenë edhe disa vila një dhe dykatëshe, ku sistemoheshin familje, por ato janë përdorur edhe nga Sigurimi për të survejuar grupet me turistë ose ato marksite-leniniste kur vinin në atë sektor.

Pista e vallëzimit dhe dashurive fshehurazi, me vajzat e huaja!

Kanë qenë të vendosura përballë njëra tjetrës, vetëm rëra i ndante: Nga lindja ishte Pastiçeri- Restorant “Iliria” dhe nga perëndimi pista. E para kishte fluks të madh gjatë gjithë ditës, punohej me shërbim të pa ndalur si e vetmja pastiçeri në atë zonë, ku shërbehej edhe me rroba banjo, nga kafja turke fërnet, ponç, konjak, etj. Për të mbajtur të ftohta pijet freskuese, përdorej një fuçi e madhe e mbushur me ujë e kallpë të mëdhenj akulli brenda saj, ku futeshin shishet e arançatat, të Vap-ikut. Radhë krijohej te banaku, kur banakierja me një lopatë druri nxirrte akulloren që prodhonte “Cantabriga” italiane e cila, kushtonte 5 lekë një kupë, e 10 dy të tilla.

Përballë Pastiçerisë ishte Restoranti, me tavolina brenda e jashtë, dhe një tabelë ku shkruhej: ”Nuk shërbehet me rroba banjo”, çka i ndalonte kamerierët të servirnin. Çdo ditë në drekë apo mbrëmje shihje njerëz që për të siguruar një tavolinë, qëndronin në këmbë në pritje për t’u zbrazur apo liruar një e tillë. Kjo më shumë në fund javë kur pushues “extra”, zbarkonin nga Tirana. Po kështu edhe pista, ku paradite shërbej edhe me kostume banjo, ndryshe në drekë e darkë. (Ky ishte një rregull për të gjitha restorantet, pistat, mjaftonte një bluzë, apo këmishë, për të shërbyer). Bashkë me atë të “Hekurudhës”, të projektuara në ujë, pista e “Ilirisë”, ishte më e gjatë dhe futej me thellë në det.

Ndonëse me sipërfaqe të vogël, ajo frekuentohej e kishte klientët e saj, madje edhe nga ata që uleshin në mëngjes dhe aty qëndronin gjithë ditën pa lëvizur deri kur ajo mbyllej në mesnatë. Edhe këtu për të siguruar një tavolinë, një ndër familjarët braktiste plazhin në mesditë kur dielli ende nuk kishte perënduar, ulej duke bllokuar një tavolinë familjare për mbrëmjen. Të dyja kishin orkestër, ku edhe kërcehej. Ndonëse jo vendi i njohjeve e “love story” të bujshme ajo pistë është shfrytëzuar shumë për dashuritë e fshehta me vajzat e huaja gjermano-lindore që për t’ju shmangur ndjekjeve të Sigurimit, largoheshin nga “Adriatiku”, dhe vinin te “Iliria” si pikë takimi midis tyre e të rinjve shqiptarë. Në dimër, këto mjedise nga mungesa e pushuesve, mbeteshin të shkreta dhe në to fëmijë që luanin futboll, ose me patina.

Trampolina dhe me not “deri te fuçia”

Dalja sa më shpejt në plazh, hapja e gropës me mjete rrethanore për të vendosur çadrën sa më afër detit, ishte një ritual i përditshëm dhe që e kryente një pjesëtar i familjes. Qëndrimi në rërë ishte pa zhezlonë, apo me mjete moderne si sot. Një basme apo diçka tjetër përdorej për t’u ulur, shtrirë e vendosur ushqimin, kur dreka e marrë nga shtëpia konsumohej në çadër për pushuesit ditorë. (Në raste të tjera, shfrytëzoheshin hijet e plepave përreth). Të veçanta ishin çadrat e diellit e improvizuar me çarçafë, që lidheshin në katër kulmet e shkopinjve të ngulura në rërë.

Dita kalohej duke luajtur me letra, të famshmet 5 x 4, spathi, xing, shah, etj. Çdo sektor kishte trampolinën e tij, pastaj vinin fuçitë: E para që të lejonte të shkoje me not, e dyta ta ndalonte dhe e treta (kur kishte) shërbente vetëm për varkat ditore me qira me lopata që merreshin te “Hekurudha” e që kontrolloheshin nëse kaloje këtë kufizim. Si mjete notimi përdoreshin dhe komardare makinash, apo nga ato që shiteshin në dyqanet e zonës. Shumë pushues, kryesisht ato dursakë, për të mos i marrë me vete çadrat në vajtje-ardhjet ditore, çadrat i linin tek një byrektore, në dyqan, apo te të njohur në kabinat.

Në muajt qershor e shtator, kishte pak pushues, më shumë vinin nga rrethet, familje pensionistësh, pasi ishte më e lehtë të siguroje një kabinë apo fletë kampi, ose ato që nuk kishin fëmijë për shkollë, pasi 1 shtatori ishte nisja e vitit shkollor. Kjo periudhë ka qenë e shfrytëzuar e pëlqyer edhe nga sportistë, kryesisht të “17 Nëntorit”, që gjatë muajit qershor, vinin duke qëndruar në çadrat, pastaj në kabinat e zakonshme, deri kur klubi morri në administrim një vilë ish-ndërtesën e Policisë, për sistemimin veror të sportistëve të tij.

“Blloku” udhëheqjes, ndarja e detyruar me tela…!

I ngjashëm me atë të Tiranës, një e tillë ishte edhe ajo pas “Ilirisë” ku qëndronin kryesisht familjet e Byrosë Politike, Komitetit Qendror të PPSh-së, Kuvendit Popullor, etj. E njohur si “Stabilimenti”, në ato fillime aty kanë qenë dy rreshta në formë “U”-je me kabina njëkatëshe prej druri e pak mur, të ndërtuara e që janë shfrytëzuar nga ushtarakët italianë, të cilat i lanë kur u larguan. Një lokal i vogël pranë tyre dhe disa vila, që më pas u transformuan për qeveritarët. “Blloku”, fillimisht ka qenë një sipërfaqe e vogël, pastaj u zgjerua e mori tjetër pamje, u rrethua duke qenë i frekuentuar edhe nga Enver Hoxha, si një territor i pastër, afër Tiranës, larg zhurmave apo fluksit të lëvizjeve masive, pasi në atë zonë krejtësisht të izoluar e askush brenda saj pa autorizim, nuk mund të futej brenda saj.

Madje nga larg, ajo hapësirë gjigante ku mbizotëronte një gjelbërim i madh, dukej si e shkretë dhe pa frymë njeriu. “Blloku” me “Ilirinë”, ndahej me tela jo të lartë, ushtarin që bënte shërbim duke kontrolluar edhe thellësinë përballë “Bllok”-ut. Ajo që kujtohet dhe mbetet e veçantë për pushuesit, apo pasionanatë e xhiros së madhe ditore e të mbrëmjes, ishte kthesa spektakolare e detyruara që kryhej disa metra para telave. Duke qenë se fëmijët e udhëheqjes frekuentonin xhiron, qëndrimin dhe miqësitë te “Breshka”, për të dalë nga “Blloku”, kalonin telin rrethues që vazhdonte rreth 15 metra, duke u futur në detë me ujin pak mbi gjurin.

Vila “Lule”, simboli i “Ilirisë”

“Iliria” ka qenë një zonë e njohur edhe për disa vila, ndër të cilat ajo më kryesorja, një ndërtesë e bukur trekatëshe, që ka shërbyere dhe si pikë referimi e që ka mbetur në kujtesën e çdo plazhisti ilirias, pasia aty do kaloje, për të dalë në plazh e kthyer te kabinat. Nisur nga një foto e mbetur nga ajo kohë, pronë e familjes, por e rrallë, me të cilën nis historia unikale për kohën e asaj ndërtese të bukur afër e përballë detit e projektuar nga arkitekti i famshëm Kristo Sotiri, në vitin 1935, të cilën e quajti Vila “Lule”. Pastaj shtetëzimi, largimi i familjarëve, midis tyre edhe i atij që e ideoi.

Historia arkitektit që e projektoi…!

Kristo Sotiri, lindur në Pogradec në mars të vitit 1870, shkollimin e kreu në Rumani, fillimisht në Tucla pastaj në Galaci, ndërsa studimet e larta në Itali, në Universitetin e Padovës dhe në vitin, 1898 diplomohet inxhinier ndërtimi. Pas saj vijoi studimet në Akademinë e Arteve të Bukura në Venecia, duke marrë diplomën e dytë, tashmë si arkitekt. Ende student i Akademisë njihet dhe martohet me me Konteshën Bianca Maria Querini, ndër familjet aristokrate më të vjetra të Venecias. Nga kjo martesë çifti lindin një vajzë, që morri emrin Querina. Për motive pune, në fund të dhjetëvjeçarit të parë të shekullit kaluar, arkitekt Sotiri rikthehet në Rumani, pastaj në Shqipëri rreth viteve 20-të, i angazhuar në zyrën e Punëve Botërore në Korçë.

Pastaj arkitekt presidencial dhe me ardhjen e Zogut, arkitekt i Oborrit Mbretëror, duke u transferuar në Durrës. Në vitin 1932, i vdes gruaja Bianca dhe pas dy viteve martohet me Juliana Kaçinarin, me të cilën ka dy djem, Salvatorin e Vangjelin. Pas mbarimit të Luftës në 1945-ën, caktohet inxhinier te Rruga Ura, në atë të Ndërtimit, në Drejtorinë e Përgjithshme të Porteve. Ndahet nga jeta më 28 shkurt të vitit 1953, dukë lënë pas vepra kolosale, ndër të cilat Vila e Zogut, Maozelumin e Dëshmorëve në Durrës, por dhe projekte, si ato të Bashkisë së Tiranës, Stacionin të Trenit, ish- Bibliotekën Kombëtare, ish-Pallati Princeshave-pastaj Pallati i Pionierëve – Tiranë, një vilë në Shirokë, Kishën e Mitropolisë, atë të Vllahëve në Korçë, banesa familjarësh, si dhe mjaft ndërtime në Rumani, Venecia, etj.

Një dhuratë për gruan!

“Babai e filloi punimet për ndërtimin e vilës rreth viteve ‘30-të”, kujton Salvator Sotiri, djali i Kristo Sotirit, arkitektit. “E kishte projektuar si një ndërtesë trekatëshe me tre kupola, në vijën e parë të plazhit, për të kaluar pushimet verore. Për ndërtimin e saj, ai morri ustallarë të njohur edhe nga Tirana, midis tyre Rexhep Çitakun. E pagëzoi me emrin “Vila Lule”, si dhuratë për gruan dhe mamanë tonë, Juliana. Ne jemi dy vëllezër dhe kemi lindur e rritur te ajo vilë deri më 1945-ën aty kemi banuar.

Kam qenë 10-vjeç, kur e kemi e braktisur sepse bashkë me vilat e tjera që janë pranë saj, një e dykatëshe, të vendosura në vijën e parë të rërës, midis tyre edhe Kampi i Pionierëve që ka shërbyer si vilë verore për Ahmet Zogun, u shtetëzuan dhe na dërguan për të jetuar e punuar në Durrës. Patëm vështirësi, deri sa u sistemuam në pallatin ku qëndruam deri në 90-ën. E kishim humbur shpresën, se një ditë do të riktheheshim aty ku e kishim lënë e ishim ndarë gjysëm shekulli më parë”.

Të tjerë banorë, frekuentues të saj…?!

Vila “Lule”, mbulohej me dy plepa të mëdhenj me një verandë të freskët nga hija e pemëve. Më vonë atë e rrethuan edhe 3 bunkerë. Në periudhën e fluksit të madh, disa prej familjeve të anëtarëve të Komitetit Qendror, apo të qeveritarvë të tjerë i sillnin te vilat e “Ilirisë” dhe ajo që është ngjitur me vilën “Lule”, u adaptua si mensë për to. Në dimër, vilat e “Ilirisë” mbylleshin dhe çelësat i mbante administrata e Drejtorisë së Pritjes që bashkë me ato të “Bllok”-ut përkujdesej për mirëmbajtjen e tyre.

“Ne durrsakët shkonim në plazh dhe te vila kishim qendrën. Ajo kishte disa shkallë, një korridor, ku ne linim plaçkat apo biçikletat”-kujton Salvatori. “Bashkë me vëllain Vangjelin, (që fatkeqësisht është ndarë pak kohë më parë nga jeta), qëndronim pranë saj, pasi aty kishim kaluar fëmijërinë. E vështronim me nostalgji, madje as nuk i thonim njeriu që ishte e jona. Sa afër dhe aq larg na dukej”.

Epilog nostalgjik…!

Një këngë e mrekullueshme italiane, e kohëve të fundit e kënduar nga M. Vandeli, Dik Dik, Camaleonti, grupe, këngëtarë të viteve ’70-të, që më rikthen emocionet, tek ai plazh, ato këngë, ajo rini, ai brez. Një tekst i jashtëzakonshëm:

“Come passa il tempoAbbiamo tutti un sogno, una fotografia/

Una canzone prigioniera in un jukebox/ Che ci ha lasciato un segno, un po’ di nostalgia/ In quell estate al mare intorno a noi/ E c’era una ragazza, una domenica, una chitarra, che non smetteva mai/ Il mare, la spiaggia era cosi la nostra isola di Whigt/ Noi che avevamo sempre la voglia di andar via/

Eravamo pazzi dell America/ Eravamo tutti felici, sogniatori/

E tutto era piu bello/ O ci sembrava a noi/ Ma come passa il tempo dai vent’anni e poi/ Come passa il tempo/ Come si i butta via/ Io che ho zbagliattoi tanto in vita mia/ Come passa il tempo e non ripassa mai/ Va come una Vespa e non ritorna mai/ Un cinema all’aperto, e un’maglione blu e un amore che ha volato via/ Ci credevamo eterni/ Ci credevamo eroi/ Ma il tempo se ne frega e passa su di noi/ Come passa il tempo, sulla felicia/ Noi non abbiamo vinto/Ma viviamo ancora un sogno/ Va dove tutto va/ Va e ci sembra lento/ ieri era” Memorie.al

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here