Google search engine
Home Politike Ndryshon ligji, Policia Ushtarake do mbahet larg mbrojtjes së pronave të ushtrisë,...

Ndryshon ligji, Policia Ushtarake do mbahet larg mbrojtjes së pronave të ushtrisë, dyfishohet shpërblimi vjetor dhe trajtimi financiar për veshje civile

0
242

Në Komisionet Parlamentare ka nisur të shqyrtohet nisma ligjore e qeverisë për ndryshimin e ligjit për Policinë Ushtarake. Sipas ndryshimeve ligjore, Policisë Ushtarake i hiqet nga kompetenca e mbrojtjes së drejtpërdrejtë të pronave të Forcave të Armatosura. Fjalia ‘mbrojtjes e pronës’ është zëvendësuar me ‘mbështetje për mbrojtjen e pronës’. Ndryshimi është i rëndësishëm, pasi Policia Ushtarake do të vihet në lëvizje për mbështetjen dhe mbrojtjen e pronës vetëm për të kryer veprime procedurale dhe vetëm kur të njoftohet nga strukturat e tjera që e kanë në administrim atë pronë të ushtrisë. Pronat e ushtrisë do të ruhen në kuptimin fizik nga roje fizike, grupe kontrolli, siguri fizike, rrethim të jashtëm etj., ndërsa Policia Ushtarake do të veprojnë vetëm nëse një gjë të tilla do t’ia kërkojnë strukturat e Ministrisë së Mbrojtjes. Pra Policia Ushtarake do të jetë strukturë mbështetëse dhe jo strukturë e parë që ka përgjegjësinë për mbrojtjen e pronës ushtarake. Ndryshimet parashikojnë që personali i Policisë Ushtarake do të mbajë përgjegjësi edhe për mosveprime me pasoja penale. Në ligjin aktual parashikohej vetëm veprimi me pasoja penale. “Nga eksperienca e deritanishme nga strukturat e parandalimit dhe hetimit të veprimtarisë antiligjore në PU, është konstatuar që në disa raste përgjegjësia penale e personave nën hetim është realizuar nëpërmjet mosveprimit si një nga format e konsumimit të veprës penale, por ky përcaktim i paparashikuar në këtë ligj është përdorur për të lehtësuar pozitat juridike të personave të akuzuar, duke lejuar edhe deri në mosndjekjen penale ose mosfillimin e procedimit penal ndaj personave të dyshuar”, thuhet në relacionin shpjegues të projektligjit.

Dyfishohet shpërblimi vjetor dhe trajtimi financiar për veshje civile

Ndërkohë një tjetër ndryshim parashikon që Policia Ushtarake, përpos shoqërimit të personaliteteve të larta ushtarake, do të shoqërojë edhe personalitete civile, në bashkëpunim me Gardën e Republikës. Ndryshimi është bërë për shoqërimin e Ministrit të Mbrojtjes nga Policia Ushtarake si një autoritet civil. Projektligji rrit masën e shpërblimit vjetor të punonjësit të i Policisë Ushtarake brenda vitit. Pika 3 e nenit 41 të ligjit në fuqi parashikon që punonjësi i Policisë Ushtarake trajtohet me veshmbathje civile, në vlerë leku, një herë në vit, në masën e gjysmës së pagës mujore. Ndryshimet parashikojnë trajtimin në vlerën e një page mujore.

Qeveria: Pronat nuk do të mbrohen më, vetëm do mbikëqyren

Ndërkohë zv/ministrja e Mbrojtjes, Dallëndyshe Bici, e cila ka prezantuar projektligjin në Komisionin e Ligjeve, ka thënë se zonave ushtarake do i hiqet mbrojtja nga policia ushtarake si dhe Ministri i Mbrojtjes nuk do të mbrohet vetëm nga garda por edhe nga policia ushtarake. Sipas ndryshimeve fjalia “mbrojtjes e pronës” është zëvendësuar me “mbështetje për mbrojtjen e pronës”. “Pronat e ushtrisë do të ruhen në kuptimin fizik nga roje fizike, grupe kontrolli, siguri fizike, rrethim të jashtëm etj., ndërsa Policia Ushtarake do të veprojnë vetëm nëse një gjë të tilla do t’ia kërkojnë strukturat e Ministrisë së Mbrojtjes. Ligji i miratuar në vitin 2015 ishte risi për strukturën e policisë ushtarake. Ishte hera e parë që u krijua një kuadër ligjor për policinë ushtarake. Por, ky projektligj ka hasur vështirësi në zbatimin e tij. Qëllimi i ndryshimeve ligjore është që e gjithë struktura të realizoj misionin në mbështetje të ligjit dhe e gjithë struktura të ketë një trajtim të barabartë”, deklaroi zv/Ministrja Dallëndyshe Bici.

Opozita: Nuk i shërben të mirës publike

Por këto ndryshime janë cilësuar korruptive dhe jo në favor të interesit publik për opozitën. Deputetja e PD, Dhurata Çupi ngre pyetjen se kush do i mbrojë tani pronat ushtarake. “Siç është bërë tashmë e udhës edhe ky është ligj me interesa korruptive. Është një ligj që vetëm interes publik nuk ka. Është ligj i varfër në terminologji. Është ligj me 15 nene, që gjithë atë që e kam thënë, që ju në 15 nene, vetëm një nen ju intereson, pra neni 10. Të tjerat janë zbukurime. Ka theks të fortë korruptiv. Neni 10, shkronja A, ndryshon ‘mbron pronën shtetërore policia ushtarake’ në ‘mbështet pronën shtetërore’. Nuk duhet të kaloj në komisionin e ligjeve. Kush i mbron tanimë pronat ushtarake, nëse nuk e bën policia ushtarake? Në shkronjën k, pas fjalëve “në mbrojtje të personaliteteve ushtarake”, dhe ato civile. Pse u dashka ministri të mbrohet me ligj të veçantë?”, deklaroi Çupi tek Komisioni i Ligjeve. Ndërsa për mazhorancën këto ndryshime ligjore janë të rëndësishme për të rregulluar marrëdhëniet e Policisë Ushtarake me institucionet e tjera. “Ka karakter Teknik, s’lidhet me programin e Këshilli i Ministrave. Lidhet me projekt aktet e Ministrisë së Mbrojtjes. Ky projektligj vjen në kuadër edhe të krijimit të institucioneve të reja të drejtësisë. Do të mundësojë rregullimin e marrëdhënieve ligjore mes policisë ushtarake dhe agjencive të tjera ligjzbatuese. Ka efekte financiare shtesë për Ministrinë”, deklaroi deputeti i PS, Denis Deliu.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here