Shoferët deri 70 vjeç do ta kenë lejën e drejtimit 15 vjeçare, ndërsa do ndryshojë limiti i shpejtësisë brenda qyteteve dhe në autostradë. Këtë e ka bërë të ditur kreu i Grupit Parlamentar socialist, Taulant Balla në Komisionin e Veprimtarisë Prodhuese ku u diskutua propozimi i tij për ndryshime në Kodin Rrugor. Balla tha se një ndryshim i tillë, pra që të rritet shpejtësia në autostrada, nuk është përfshirë në propozimin e paraqitur deputetëve, por pse jo të hidhet në diskutim dhe të merret në vendim, duke e afruar më afër me standardet e Bashkimit Evropian. Sigurisht, fjalën e fundit do e thotë Autoriteti Rrugor që do e përcaktojnë se në cilat rrugë do të aplikohet, tha Balla, nëse do marrë konfirmim nga Kuvendi. “Propozim që vjen nga nevoja për të përshtatur Kodin Rrugor me atë të BE. Ndryshimet burojnë nga eksperiencat më të mira të vendeve të BE, do të veçoja atë gjerman dhe Italian. Objektivat kryesore: Parandalim më efikas të aksidenteve rrugore dhe për afrim të limiteve moshore me vendet anëtare të BE. Iniciativa për ndryshimet është pjesë e një sërë diskutimesh ka bërë qeveria dhe anëtarë të Bundestagut në negocimin dhe firmosje e lejeve të drejtimit që njihen tashmë në Gjermani. Nëse deri tani vlefshmëria e lejedrejtimit është 10, pritet të bëhet 15. Ne ndihmojmë me këtë qytetarin. Nuk e di pse në krye të 10 viteve duhet rifreskim, kur në Gjermani është 15. Ulim burokracitë, minimizim shkuarjen në sporteleve, kursim kohe dhe financash. Efektet e pritshme: 9.7 milionë dollarë kursim për qytetarët në një vit, përfitues 80 mijë shqiptarë në vit. Në këndvështrimin tim, për të patentuarit me moshë të re, i referohen Kodit Rrugor Italian. Ata kanë marrë këtë vendim për tre vitet e para dhe nga kjo lloj mase rezultoi të ishte një masë e duhur”, tha ai. Ndër të tjera, Balla deklaroi se me këto lloj kufizimesh pretendohet të ulen aksidentet që vijnë nga të patentuari për herë të parë. Ai tha se rritja e moshës për mbajtjen e patentës bëhet edhe për shkak të uljes së numrit të specialistëve për makineri të caktuara.“Me këto lloj kufizimesh pretendojmë të ulim aksidentet që vijnë nga të patentuari për herë të parë. Rritja e moshës për mbajtjen e patentës bëhet edhe për shkak të uljes së numrit të specialistëve për makineri të caktuara. Këta lloj specialistësh mund të vijojnë ta bëjnë deri në moshën 70 vjeç, kjo sërish referuar eksperiencave më të mira evropiane. Një numër i madh shqiptarësh vijnë në verë për të rinovuar patentën dhe për këtë propozoj që kolegët ta kalojnë para se të mbyllim sesionin parlamentar në fund të korrikut, që t’u shkojmë në ndihmë shqiptarëve që jetojnë jashtë”, tha Balla.
Ja si do ndryshojë limiti i shpejtësisë
Balla propozoi gjithashtu që të ulet edhe shpejtësia nga 40km/h në 30 km/h brenda qytetit, pasi sipas tij kjo shpejtësi është shumë e lartë dhe shkaktare për aksidente. “Limiti ka qenë shumë i vjetër, ndërkohë që përcaktimin e limitit të shpejtësisë edhe nëse do bëjmë ndryshime në Kodin Rrugor, do e përcaktojë autoritet se në cilat rrugë është e mundshme, në rrugët brenda zonave të banuara limiti i shpejtësisë 40 km/h është shumë i lartë. kemi pasur në qendër të Tiranës aksidente për shkak të këtij limiti, brenda qyteteve të jetë 30 km/h, këto janë 2 çështje që i kemi hedhur si një shtysë për një diskutim mes kolegeve të këtij komisioni dhe deri në draftin përfundimtar të ndryshimeve në ligj të marrin formën e përbashkët. Në Shqipëri ka ardhur momenti që në autostrada të shtohet shpejtësia nga 110 deri në 130 km në orë. Kjo nuk është e përfshirë në propozimet e mia por e hodha si ide që mund të diskutohet dhe pse jo të shtohet, duke e afruar më afër me standardet e Bashkimit Evropian”, tha ai. Ndërkohë, ai shtoi që ky propozim duhet të konkludohet në një draft përfundimtar që të ketë dakordësi nga e gjitha palët. “Do ishte mirë që të ishte një propozim i përbashkët”, nënvizoi Balla.






































