Nikolla Llambro: Politika nuk ka interes të harxhojë para për filmin, ata që marrin guximin të shkruajnë një skenar, u mbetet në sirtar

0
66

Aktori Nikolla Llambro është një figurë e dashur për spektatorin shqiptar. Roli i parë në kinema është në filmin “Shpërthimi” i vitit 1974 prodhim i Kinostudios, por mbahet mend me rolin e tij të paharruar të Zeman Mashkullorës te filmi “Liri a vdekje”, për rolin e shoferit te “Koncert në vitin ‘36”, rolin e partizanit Gaqo te filmi “Nata e parë e lirisë”, etj. Në intervistën për gazetën “SOT” aktori Nikolla Llambro thotë se dikur në Kinostudio ishte koha e të mëdhenjve, ku regjisorë dhe aktorë punonin me pasion. Por sot sipas tij nuk tregohet më ajo vëmendje për filmin shqiptar. Nikolla Llambro thotë se sot buxhetet  janë të pakta dhe një film artistik me metrazh të gjatë vetëm me atë financim që jep Qendra Kombëtare e Kinematografisë nuk mund të realizohet. Sipas tij, politika nuk ka interes që të shpenzojë para për prodhimin e filmave, duke bërë që sot t’i përballë krijuesit me vështirësi.

-Jemi në muajin e kinematografisë, ku ju si aktor keni role të ndryshme në filmat që janë prodhuar në Kinostudio para viteve ’90. Çfarë mund të na thoni për Kinostudion, që pas disa ditësh do të ketë dhe një aktivitet për 70-vjetorin e saj?

Kinematografia që kur u krijua dhe me filmin e parë “Tana” ishte një event shumë i rëndësishëm për artin dhe kulturën shqiptare, e cila deri në ato vite ishte e vakët, por që mori zhvillim të madh pas viteve ’60 dhe sidomos pas viteve ’70. Kinematografia shqiptare pruri në kulturën shqiptare ngjarje të rëndësishme historike, kulturore, shoqërore, ekonomike, të cilat për kohën që ajo i shërbeu u mirëprit dhe jo vetëm u duartrokit, por u dashurua për spektatorin shqiptar. Në ato vite duke mënjanuar propagandën, unë në përgjithësi them se kinematografia shqiptare e ka luajtur rolin e vet në shërbim të edukimit kulturor dhe artistik të spektatorit që i shërbeu. Në ato vite janë xhiruar filma nga regjisorë të shquara të brezit të parë si Kristaq Dhamo, Viktor Gjika, Gëzim Erebara, Dhimitër Anagnosti dhe të tjerë, të cilët krijuan bazën e filmit shqiptar, që ishte një bazë e fortë nga pikëpamja artistike dhe profesionale, duke krijuar jo vetëm regjisorë të rinj, por edhe aktorë të talentuar që Shqipëria i kishte. Duke ecur më tej vjen brezi i dytë i regjisorëve, të cilët mësuan dhe krijuan dhe ata filma, që mbeten në fondin e artë. Edhe brezi i parë edhe brezi i dytë u bënë krenaria e kinematografisë shqiptare. Në atë kohë sigurisht që kishte censurë dhe ishte e kontrolluar, por ama u krijuan dhe filma të kalibrit botëror, që nuk kishin fatin të ekspozoheshin në arenën ndërkombëtare aq sa duhej të vlerësoheshin dhe të merrnin çmime. Po të ecim më tej më pas fillojnë regjisorët e brezit të tretë dhe në atë kohë e para ‘90 kinematografia shqiptare qëndronte lart dhe me dinjitet, duke i sjellë spektatorit dashamirësinë dhe kënaqësinë e filmit. Në atë periudhë u krijuan dhe filma që e kishin të theksuar propagandën, por ka dhe filma që i qëndrojnë dhe do ti qëndrojnë kohës me dinjitet dhe personalitet, një nga këta filma është dhe “Rrethimi i vogël”, që ishte një fenomen social i ndërhyrjes në pushtet, etj. Këto fenomene sot janë bërë më të theksuara, ku njerëzit nuk gjejnë të drejtën për problemet që kanë.

-Dikur filmat i prodhonte Kinostudio, me ndërrimin e sistemeve sipas jush me çfarë u përball kinemaja shqiptare, sa u ruajt ajo punë që ju dhe të tjerë të brezit tuaj e vlerësojnë?

Ishte koha e Kinostudios, ku ne aktorët mësuam nga aktorët e mëdhenj si Kadri Roshi, Violeta Manushi, etj, që janë shumë dhe historia e kinematografisë i ka vulosur me germa të arta. Ne brezi tjetër mësuam nga ata dhe ecëm në gjurmët e tyre, duke krijuar filma me dinjitet. Kanë lindur probleme, që disa aktorë kërkojnë të falur pse kanë luajtur një rol apo një tjetër para 1990. Unë nuk jam dakord me këto. Si aktor kam bërë punën. Në kohën e Kinostudios financimi i filmit bëhej nga shteti, regjisorët dhe krijuesit të gjithë nuk e kishin problem nëse do kishin para për filmin, sepse financonte shteti. Janë habitur grekët kur i kam thënë, që neve prodhonim 14 filma artistikë në vit, por në këto 14 ne ishim të kënaqur që 2 ose 3 të ishin të një kalibri artistik të prodhuar. Unë nuk e quaj që erdhi demokracia. Ne nuk sollëm demokraci, u përpoqëm të sillnim demokraci, por u ndërrua sistemi nga një sistem socialist në kapitalist. Duke ardhur në këtë sistem çdo gjë kaloi në ekonominë e tregut dhe pushteti si duket jo vetëm në kinema, por dhe në të tjera nuk kishte kohë ose nuk i interesonte më propaganda. Natyrisht filmi do ta bëjë propagandën e vet, por pas ‘90 kinematografia shqiptare u la pas dore dhe akoma kështu është. Jepen para sa nuk arrin të bëhet filmi. Unë kisha një regjisor, miku im që kishte një skenar të jashtëzakonshëm dhe filmi donte një buxhet të plotë dhe nuk e siguroi dot, sepse Qendra Kombëtare e Kinematografisë nuk ia pranoi skenarin. Buxhetet për filmin shqiptar të jepen të plota për filmin, sepse me aq sa jepen nuk bëhet dot një film. Në kohën tonë regjisori e merrte skenarin nga Kinostudio dhe atje bëheshin ndryshime, sepse kishte një komision që e shikonte, por sot regjisori e bën vetë skenarin në më të shumtën e rasteve dhe ka regjisorë që bëjnë dhe producentin. Kjo ndodh sepse është një mënyrë për të bërë disa të ardhura për të jetuar, sepse sot një regjisor nëse nuk ka aktivitet nuk rron dot, ndaj është i detyruar ti bëjë vetë të gjitha. Ka kaq pak filma të mirë sot.

-Jeni shprehur më parë se sot nuk ka skenarë filmash si dikur. Çfarë i mungon?

Unë mendoj se qeveritarët, politika nuk ka interes të harxhojë para për filmin. Pra edhe ata, që marrin guximin të shkruajnë një skenar u mbetet në sirtar. Sot nuk ka skenaristë të mirëfilltë.

-Ju jeni larguar në Greqi prej vitesh, por në kinemanë shqiptare keni sjellë role që kanë mbetur në kujtesën e publikut…

Me kinemanë unë kam mbresat më të mëdha në jetën time artistike si aktor. Në kinema janë shumë role, të cilat dhe sot i kujtoj me nostalgji. Kujtoj filmin “Liri e a vdekje” me rolin e Zeman Mashkullorës, rolin e partizanit Gaqo te filmi “Nata e parë e Lirisë”, një rol i veçantë për mua, roli i shoferit në filmin “Koncert në 1936”, etj, apo dhe më pas roli i Markos në filmin “Të thyer”. Filmi im i parë ka qenë “Shpërthimi”, ku kam lozur rolin e Mitaqit në vitin 1974.

-Ju jeni në Greqi prej vitesh dhe keni vijuar aktivitetin artistik atje. Ku keni qenë më shumë i fokusuar në aktivitetin tuaj në Greqi?

Në Greqi unë jam larguar në vitin 1991. Nga viti 2000 këtu në Greqi kam vijuar aktivitetin artistik me kinemanë dhe me teatrin. Kam filmin “Maria” me metrazh të shkurtër, ku unë kam fituar dhe çmimin “Aktori më i mirë Ballkanik”. Në Greqi unë kam 22 krijime gjithsej. Në televizion kam një nga rolet që është pritur shumë mirë te seriali “Dashuria erdhi nga larg”, personazhi i Ramizit. Në Greqi jam i ngopur me aktivitetin artistik. Por nuk kam punuar vetëm me grekët, kam punuar me gjermanë, kam bërë reklama që kanë qenë shumë të vlerësuara.

-Ju keni 3 dekada që jeni larguar nga Shqipëria, si i ruani sot kontaktet me regjisorët apo aktorët kolegët tuaj në Shqipëri?

Kam ikur nga Shqipëria në nëntor të 1991-shit. Sa pa dalë telefoni celular, komunikimi dhe kontaktet me kineastët, regjisorët, aktorët qe pothuaj se i pamundur. Vetëm kur vija me pushime në Shqipëri takoheshim, por pak. Tani është lehtësuar shumë kontakti dhe komunikimi me kolegët, mbasi ka shumë mundësi nëpërmjet këtyre “lloirave” siç themi ne nga Gjirokastra, të takohesh me këdo deri në fund të botës. Mbaj kontakte miqësore e profesionale me regjisorët e filmave ku kam debutuar dhe jo vetëm. Është emocionuese dhe e bukur. Flasim, kujtojmë me nostalgji apo diskutojmë. Kontakte, biseda me regjisorë si Kristaq Mitro, Saimir Kumbaro, Esat Musliu më ngjallin emocionet e së kaluarës. Kënaqësi të veçantë ndjej kur komunikoj me regjisorin Piro Milkani, Mevlan Shanaj, dramaturgun Bashkim Kozeli, etj. Më kanë ofruar debutim Robert Budina te filmi “Agon”, Edmond Budina në dy filmat “Ballkan Pazar” dhe “Të thyer”. Por kam dy oferta nga dy regjisorë të tjerë në dy filma.

Në 1974  roli i parë

Nikolla Llambro u diplomua në Institutin e Lartë të Arteve, Dega e Dramës më 1974.  Ndër rolet që ka bërë gjatë këtyre viteve në film përmendim te filmi “Agon”, “Të thyer” apo dhe “Ballkan Pazar”. Sa i takon kinematografisë, Nikolla Llambro fillon në vitin 1974 me rolin e Mitaqit në filmin “Shpërthimi” regjia Muharrem Fejzo, 1975 roli i Aleksit në filmin “Në fillim të verës” me regji nga Gëzim Erebara, 1978 “Koncert në vitin 1936”  me regji nga Saimir Kumbaro roli i shoferit Qemal, më 1979 roli i Zeman Mashkullorës në filmin “Liri e vdekje”, regjia Ibrahim Muça, 1984 “Nata e Parë e Lirisë” regjia Esat Musliu roli i Gaqos, më 1985 roli i Gogos në filmin “Gurët e shtëpisë sime” regjia Dhimitër Anagnosti, etj. Mes serialeve në Greqi përmendim role si Ramizi më 2002 në serialin televiziv “Dashuria erdhi nga larg”, më 2005 filmi “Sheshi Kollonaqi” shefi i policisë, 2006 filmi “Eduart” gardiani i burgut, 2006 filmi “Pandora” Anestis rol kryesor, më 2008 “Maria” Janis rol kryesor, etj. Roli i parë në teatër ka qenë tellalli në 1974 me dramën “Kohë Lufte”, në Gjirokastër. Më pas të tjerë role janë dhe te “Fundi i një dredhie” më 1979 xhandari Sheme, 1975 roli i bariut në “Shtërngatë në male”, më 1976 në dramën “Njeriu me Top” me rolin Mato Gruda me të cilin u shpall dhe  fitues i çmimit të parë në Festivalin Kombëtar të Teatrove Profesionistë në Tiranë, etj. Në teatrin grek vjen me role në veprat “Emigrantët”, “Njerëz Dhe Minj”, etj.

PËRGJIGJU

Shkruani komentin tuaj
Vendosni emrin tuaj