Komedia “Kukulla” me aktorët Klodian Hoxha dhe Cubi Metkaj, katër net në teatër

0
28

Komedia “Kukulla” do të jetë në skenën teatrore për katër mbrëmje me radhë për publikun. Teatri Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivgoli” bën me dije se shfaqja me regji nga Elma Doresi do të jetë në mbrëmjet e datave 2, 3, 4 dhe 5 qershor. “Një komedi për  mendësinë e meshkujve ballkanas, komplekset dhe trajtimin e femrës si pronë pa marrë parasysh dëshirat e mendimet e saj, si një “Kukull””, shprehet teatri. Vepra e autorit Miro Gavran ka në role aktorët Klodian Hoxha dhe Cubi Metkaj. Në qendër të shfaqjes qëndron Marko, i cili pas një lidhje shtatëvjeçare fillon të përballet me problemet e të dashurës së tij që heziton të krijojë familje. Duke qenë se nuk ai nuk e duroi dot vetminë, pas disa muajsh fillon të jetojë me një grua-kukull, shpikja më e fundit e krijuar për ta bërë njeriun të lumtur. Produksion i Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”, vepra e autorit Miro Gavran është me përkthim nga Artur Lena, kostumografi Sofi Kara, skenografi Beqo Nanaj dhe kompozitor Silver Metkaj. Regjisorja Elma Doresi  tregon se është një vepër që përcjell mesazhe, e cila trajton tema shumë njerëzore dhe është shumë e prekshme në marrëdhënien në çift. “Qëllimi jonë ka qenë të shohim realitetin që ndodhemi, ta prekim këtë realitet dhe ti themi njerëzve që na shohin, që disa gjëra janë gabim”, thotë Doresi. Komedia sjell situata komike, batuta dhe momente humoristike, por edhe dramatike. Kjo shfaqje u shfaq premierë në qershor 2012 në Storefront & Bench Productions në Nju Jork, SHBA. Përkthyer në anglisht, gjermanisht, polonisht, çekisht, sllovenisht, rusisht, sllovakisht, danisht, holandisht, spanjisht dhe shqip. Shfaqja është luajtur në 15 teatro në SHBA, Kroaci, Sllovaki, Çeki, Indi, Slloveni, Sllovaki, Danimarkë, Kubë, Holandë dhe Australi. Veprat e Gavran janë përkthyer në 25 gjuhë.

PËRGJIGJU

Shkruani komentin tuaj
Vendosni emrin tuaj