Luftë e fortë për emrat e rinj në KLGJ dhe KLP, mazhoranca fut në lojë goglat, ja anëtarët që ikin dhe ata që vijnë

0
95

Mazhoranca ka vendosur ta zgjidhë me short konfliktin për emrat e rinj në Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe Këshillin e Lartë të Prokurorisë. Në të dyja organet janë nga dy vend vakte për shkak se në dhjetor ju mbaroi mandati anëtarëve. Kuvendi nuk arriti të zgjedhë dot emrat zëvendësues dhe procesi zgjati. Pak ditë më parë sekretari i Kuvendit dërgoi emrat për diskutim dhe votim në komision. Dje në drejtimin e kryetares znj.Klotilda Bushka, u zhvillua mbledhja e dytë e nënkomisionit “Për përzgjedhjen e kandidatëve për anëtarë të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë nga trupa e pedagogëve të fakulteteve të drejtësisë dhe të shkollës së Magjistraturës”. Pika e parë e rendit të ditës ishte zhvillimi i dëgjesave me 4 kandidatët e kualifikuar: z.Ilir Rusi, znj.Orjona Muçollari, znj.Mirela Bogdani dhe znj.Yllka Rupa, të cilët janë vlerësuar në raportin e Sekretarit të Përgjithshëm të Kuvendit se plotësojnë kushtet e parashikuara. Më tej nënkomisioni zhvilloi dëgjesë me Genci Gjonçaj, Sekretar i Përgjithshëm të Kuvendit, lidhur me dy raportet e depozituara prej tij në komisionin për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut. Gjonçaj parashtroi se roli i Sekretarit të Përgjithshëm të Kuvendit në këtë proces është një rol kushtetues dhe ka tagrin ligjor të kryej procesin e verifikimit të kushteve dhe vlerësimit të kritereve profesionale dhe morale për kandidatët për anëtarë të Këshillit të Lartë Gjyqësor nga trupa e pedagogëve të fakulteteve të drejtësisë dhe të Shkollës së Magjistraturës. Gjonçaj bëri një ekspoze të qartë të procesit dhe procedurave të ndjekura që nga shpallja e 2 vakancave për KLGJ dhe KLP nga trupa e pedagogëve të fakulteteve të drejtësisë dhe të Shkollës së Magjistraturës, deri në dorëzimin e dy raporteve të hartuara në përfundim të procesit të verifikimit, ku është vlerësuar shkalla e përmbushjes dhe mos përmbushjes së kritereve profesionale e morale nga secili kandidat. Z.Gjonçaj sqaroi se në përgatitjen e këtij opinioni dhe këtij raporti, është konsultuar dhe ka marrë informacion nga: Prokuroria e Përgjithshme, SHISH, DSIK, ILDKPI, Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, ISSH. “Është një proces, i cili përveç se duhet të jetë serioz nga pikëpamja administrative dhe e mirëdokumentuar, duhet të jetë një proces që në këto Këshilla, të çojë persona me integritet”, nënvizoi Gjonçaj, duke ftuar nënkomisionin që përpara vendimmarrjes të verifikonte informacionin e klasifikuar të ardhur për secilin prej kandidatëve. Më tej Gjonçaj iu përgjigj pyetjeve të anëtarëve të nënkomisionit dhe solli argumente ligjore për s’kualifikimin e disa prej kandidatëve.

Hedhja e shortit

Rendi i ditës vijoi me shqyrtimin e listës së kandidatëve, e cila do të hidhej në votim. Për shkak se asnjë prej kandidaturave nuk arriti të marrë minimumin e votave të nevojshme për t’u konsideruar të zgjedhur në votim, në bazë të Rregullores së Kuvendit, lista e kandidatëve të kualifikuar sipas raportit të Sekretarit të Përgjithshëm kaloi në procedurën e hedhjes së shortit. Në përfundim të këtij procesi, u vendos ti propozohet seancës plenare që në KLGJ: znj. Orjona Muçollari të zëvendësojë anëtarin aktual z. Maksim Qoku dhe znj.Yllka Rupa të zëvendësojë anëtarin aktual Erjon Muharremaj, ndërsa në KLP: z.Ilir Rusi, të zëvendësojë anëtarin aktual z. Sandër Beci dhe znj.Mirela Bogdani, të zëvendësojë anëtarin aktual z.Gent Ibrahimaj. Emrat tani do kalojnë për votim në seancë plenare.

PËRGJIGJU

Shkruani komentin tuaj
Vendosni emrin tuaj