Igli Tare është një nga emrat e spikatur të futbollit tonë, me një kontribut të rëndësishëm në ekipin përfaqësues dhe që nuk ka reshturi së promovuari elementë shqiptarë në radhët e klubit të Lacios në Serie A italiane. Duhet thënë se Tare po mbush një dekadë si drejtor sportiv i Lacios, ku ka shkëlqyer me aftësitë e tij për të mbajtur klubin në kuota të larta pretendimesh dhe me fitime serioze në shitblerjen e lojtarëve, gjë për të cilën ka marrë shumë lëvdata edhe nga specialistë dhe media sportive në Itali. E pranojnë të gjithë se presidenti Klaudio Lotito i ka besuar atij çelësat e klubit dhe shqiptari nuk e ka zhgënjyer deri më tani. Nga ana tjetër, Tare ka një intuitë në treg që nuk e tradhton. Ai merr lojtarë cilësorë me vlera të ulëta nga jashtë Italisë dhe i shet disa herë më shumë pasi janë testuar e provuar në të mirë të klubit lacial. Edhe me stafin teknik e drejtues Tare ka shkuar mirë dhe ka krijuar autoritetin e tij. Por me trajnerin Mauricio Sarri duket se nuk po e gjen gjuhën e përbashkët. Pritet një shkarkim i trajnerit ose e shumta largim i tij në fund të sezonit, pasi përplasjet e tij me Taren kanë arritur kulmin.
Situata e acarimit dhe ultimatumi për Lotiton
Në shtypin italian evidentohet fakti se Mauricio Sarri kërkon të jetë vetë protagonist në klub, duke bërë zgjedhjet e tij, por ai akuzon Taren se nuk e lë të lirë të veprojë si të dojë dhe se Tare e ka kushtëzuar jo vetëm në merkato, por duket sipas tij që i ka ndërhyrë edhe në aspekte të tjera të punës, gjë që e ka bërë trajnerin Sarri të “çmendet” e të lëshojë akuza nga më të ndryshmet. Sipas medieve italiane,situata duket e ndërlikuar por edhe e ndezur, e nga çasti në çast mund të ketë një skandal. “Trajneri Maurizio Sarri mund të largohet nga skuadra e Lacios”, ka shkruar “Il Messaggero” të mërkurën. Trajneri italian ishte befasuar nga transferimi i klubit në ditën e fundit të afatit kalimtar, sulmuesin Jovane Kabral. Ky i fundit u transferua nga drejtori sportiv i Lacios, Igli Tare pa dijeninë e Sarrit. Në fakt, thuhet se Sarri dhe stafi i tij nuk e kishin idenë se kush ishte Kabral dhe nxituan t’i shikonin disa prej videove të sulmuesit derisa Tare po e finalizonte marrëveshjen. Kjo thuhet se e ka acaruar shumë Sarrin, i cili i ka kërkuar presidentit Klaudio Lotito që personalisht të jetë përgjegjës për transferimet e lojtarëve. Në fakt, Sarri i ka dhënë ultimatum Lotitos duke i thënë se ai do të mbetet në krye të klubit vetëm nëse Tare largohet. Sarri mori drejtimin e Lacios para fillimit të këtij edicioni dhe ka kontratë deri vitin e ardhshëm. Por me deklarata të tilla ai po ia shkurton vetes ditët e qëndrimit në krye të Lacios. Lotito ka dhënë prova se i beson verbërisht shqiptarit, duke i besuar të gjitha lëvizjet e klubit, por Sarri pretendon se Lacio nuk mund të shkojë përpara nëse Tare ndërhyn vend e pa vend, prandaj ka lëshuar ultimatumin: Ose unë tek Lacio, ose Igli Tare, njëri duhet të largohet në qershor! Ky ultimatum mund të shkojë në drejtim të gabuar për Sarrin, por nga ana tjetër mund të verë para presionit edhe vetë Taren, i cili në mediat italiane cilësohet si “padrino” i klubit, autoritar, diktator dhe natyrisht që i fut hundët në formacionin që bëjnë trajnerët.