“Pas dhënies së dënimit me vdekje për Bahri Omarin në ‘Gjyqin Special’, motra e Enverit, erdhi tek ne dhe i tha babait…”/ Rrëfimi i të birit të Koçi Xoxes

0
31

Pjesa e tretë

Publikohet historia e rrallë dhe e panjohur e Koçi Xoxes me origjinë nga Kolonja, por i lindur në vitin 1911 në fshatin Negovan të Follorinës në Greqi ku familja e tyre ishte vendosur për arsye ekonomike, i cili pasi studioi dhe u diplomua shkëlqyeshëm në gjimnazin klasik të Selanikut në vitin 1929, ku u njoh për herë të parë me idetë dhe literaturën komuniste e grupet marksiste-leniniste që vepronin asokohe në Greqi, u kthye në qytetin e Korçës, duke u bërë më pas një nga themeluesit e celulës së parë komuniste në Shqipëri dhe nënkryetar i Grupit Komunist të Korçës, që në fillimin e viteve ’30-të, e kryetar i Shoqërisë ‘Puna’ në vitin 1936, ku në votimet që u mbajtën atë vit, populli i Korçës e zgjodhi në funksionin e kryetarit të Bashkisë, por nuk u lejua nga qeveria e Mbretit Zog, pasi ishte arrestuar e burgosur disa herë për veprimtari komuniste. Pjesëmarrja e Koçi Xoxes në mbledhjen themeluese të Partisë Komuniste të Shqipërisë në nëntorin e ’41-it, (ku ai shkoi një ditë me vonesë, për shkak se u mor me organizimin e demonstratës së 7 nëntorit të atij viti në qytetin e Korçës ku mbeti i vrarë i riu komunist, Koci Bako), ku për kontributin e madh në lëvizjen komuniste, u zgjodh në mungesë, si anëtar i Komitetit Qendror provizor, e më pas si anëtar i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Nacionalçlirimtare që nga 10 korriku i vitit 1942 në mbledhjen e Labinotit, delegat në Kongresin e Përmetit në 24 maj 1944, ku i’u dha grada gjeneral-leitnant dhe në mbledhjen e Beratit në tetorin e atij viti u zgjodh nënkryetar i qeverisë së kryesuar nga Enver Hoxha. Karriera brilante e Xoxes menjëherë pas mbarimit të Luftës duke ngjitur shkallët e hierarkisë partiake dhe shtetërore, si sekretar organizativ i Partisë Komuniste Shqiptare, anëtar i Kryesisë së Përgjithshme të Frontit Demokratik të Shqipërisë, deputet i Kuvendit Popullor, ministër i Punëve të Brendshme dhe zv/kryeministër i ‘qeverisë demokratike’, duke qenë figura numër dy e Shqipërisë komuniste, pas gjeneral-kolonel Enver Hoxhës. Fotot e panjohura dhe dëshmitë e rralla të dy djemve të tij, Gencit dhe Fatosit, të cilët për herë të parë hedhin dritë rreth historisë së panjohur të familjes së tyre dhe babait, Koçi Xoxe, marrëdhëniet dhe raportet e tij me Enverin, si dhe arsyet e vërteta të goditjes dhe eliminimit fizik të tij, si dhe fatin tragjik të tyre pas vitit 1949, kur atë e pushkatuan diku në një pyll në periferi të Tiranës, (aty ku është ish-Kinostudio “Shqipëria e Re”), ku ndodhen edhe sot eshtrat e tij!

Në ’43-in, Enveri e dërgon Koçin me mision sekret në Greqi!

Sipas dëshmive të dy djemve të Koci Xoxes, (Gencit dhe Fatosit), aty nga nëntori i vitit 1943, pasi ishte konsoliduar në postin e kreut të Partisë Komuniste Shqiptare edhe me mbështetjen e dy emisarëve jugosllavë (Miladin Popoviç dhe Dushan Mugosha) që morën pjesë në mbledhjen themeluese të 8 nëntorit ’41, Enver Hoxha e thirri Koçin dhe e ngarkoi me detyrë që të shkonte në Greqi, për të takuar gjeneralin Sarafis, që ishte komandant i forcave të armatosura të EAM-it. Në atë mision sekret, Koçi morri me vete dhe Nesti Kerenxhin e të dy shkuan e takuan gjeneralin grek, që ishte i vendosur me trupat e tij në zonën e Kozhanit. Gjatë atij takimi, sipas porosive të marra në Tiranë, Xoxe i shprehu gjeneralit Sarafis, gatishmërinë dhe miratimin e Enver Hoxhës, për krijimin e Shtabit të Përbashkët Ballkanik, gjë të cilën Enverit ja kishte kërkuar Josif Broz Tito, me anë të emisarëve që kishte pranë tij në Shqipëri. Gjenerali grek nuk ja miratoi Xoxes sugjerimin e Enverit, kurse Enveri në kujtimet e tij, thotë të kundërtën, pra që ai, (Enveri), nuk ka qenë asnjëherë dakord për krijimin e atij Shtabi, ndonëse si Xoxe dhe Kerenxhi, kanë dëshmuar të kundërtën e atyre që ka thënë Enveri. Pas kthimit në Shqipëri, me urdhër të Shtabit Përgjithshëm, Koçi u caktua të shkonte në qarkun e Korçës në zonën e Gorë-Oparit, për t’u marrë me organizimin e çetave dhe formacioneve partizane. Në atë qark, Koçi punoi deri në mbarimin e Luftës, ku dha një kontribut të madh në organizimin e Lëvizjes Antifashiste me brigadat partizane. Koçi gjithashtu mori pjesë në Kongresin e Përmetit, ku u zgjodh nënkryetar i Këshillit të Përgjithshëm Antifashist Nacionalçlirimtar të Shqipërisë dhe i’u akordua grada gjeneral-leitnant, që ishte grada e dytë më e lartë pas Enver Hoxhës (i cili morri gradën gjeneral-kolonel) dhe gjithashtu Xoxe u emërua në funksionin e zv / kryeministrit të Qeverisë së Përkohshme, që doli nga ai Kongres, duke qenë direkt zëvendësi i parë i Enverit, në të gjitha funksionet e tij. Po kështu, në mbledhjen e Beratit në tetorin e vitit 1944, Koçi u emërua në funksionin e nënkryetarit (zë / kryeministër), të qeverisë së përkohshme të kryesuar nga kryeministri, gjeneral-kolonel, Enver Hoxha.

Kryetari i Gjyqit Special në marsin e ’45-ës

Me mbarimin e luftës, aty nga fillimi i vitit 1945, Koçi Xoxe u caktua në funksionin e Kryetarit të Gjyqit Special që do të zhvillohej për dënimin e rreth 70 ish-funksionarëve të lartë që nga qeveria e parë e Ismail Qemalit dhe deri tek ajo nën pushtimin gjerman (ish-ministra, kryeministra, deputetë, senator, prefektë, kryetarë bashkish, ushtarakë të lartë, etj.), të cilët u konsideruan si “kriminelët të luftës dhe armiq të popullit”. Sipas dëshmive të dy djemve të Koci Xoxes, (Gencit dhe Fatosit), ndonëse në mbarim të atij gjyqi, u dënuan me vdekje 17 të pandehur dhe me burgime të gjata pjesa më e madhe e tyre, nga dokumentet dhe dëshmitë e personave që kanë asistuar në ato seanca, bëhet e ditur se Koçi Xoxe shpesh debatonte ashpër me prokurorin Bedri Spahiu, duke i kërkuar atij që ai të mos përdorte ofeza gjatë debateve me të akuzuarit.

Dëshmia e gruas së Koci Xoxes: Motra e Enverit erdhi tek ne dhe kërkoi t’i falej jeta Bahriut!

Në atë gjyq u dënua me vdekje dhe Bari Omari, kunati i Enver Hoxhës. Sipas dëshmive të familjarëve të Koçi Xoxes, gruas së tij Sofikës si dhe dy djemve, Gencit dhe Fatosit, në atë kohë kur u dha dënimi me vdekje për Bahriun, në shtëpinë e Xoxes shkoi motra e Enverit (Fahrija) që ishte dhe gruaja e Omarit. Ajo i tha Koçit që të shikonte mundësinë që burri i saj, Bahriu, të mos dënohej me vdekje, por t’i falej jeta, pasi ai nuk kishte bërë krime dhe gjatë Luftës kishte strehuar Enver Hoxhën dhe disa nga komunistët e tjerë që ai i sillte në shtëpinë e tyre. Koçi e pyeti Fahrijen se kush e kishte këshilluar që ajo të vinte dhe të takohej me të dhe ajo ajo i’u përgjigj se kishte biseduar dhe me vëllanë e saj, Enverin, i cili i kishte thënë: “Shko dhe tako Koçin, se vetëm ai e ka në dorë që Bariut t’i falet jeta”. Koçi, tepër i habitur nga fjalët dhe hipokrizia e Enverit, i tha hapur dhe pa asnjë drojë Fahrijes, se po të ishte për Koçi Xoxen, Bahri Omari jo vetëm që nuk do të pushkatohej, por ai as nuk duhet të ishte arrestuar, për vetë kontributin që kishte dhënë gjatë Luftës, duke mbajtur dhe strehuar Enver Hoxhën në shtëpinë e tij. Pas fjalëve të Koçit, Fahrija u largua dhe pas pak ditësh, bashkëshorti i saj, Bahri Omari, u pushkatua bashkë me 17 të pandehurit e tjerë që u dënuan me vdekje, të cilët u varrosën diku në periferi të Tiranës së asaj kohe, tek Kodra e Priftit dhe eshtrat e tyre u jetën vetëm pas viteve ’90-të. Disa muaj pas mbarimit të atij gjyqi, Koçi u konsolidua si njeriu më i besuar i Enver Hoxhës dhe bashkëpunëtori më i ngushtë i tij, me një pushtet politik absolut. Kështu, ai përveç postit të zv / kryeministrit u emërua dhe Ministër i Brendshëm, (post i cili deri në atë kohë mbahej nga Haxhi Lleshi) dhe gjithashtu ishte dhe në funksionin e Sekretarit Organizativ të Partisë Komuniste të Shqipërisë, (e cila në atë kohë ishte në ilegalitet dhe fshihej pas Frontit të Përgjithshëm Demokratik), duke qenë kështu figura e dytë pas Enver Hoxhës, në të gjitha funksionet partiake dhe shtetërore. Sipas dëshmive të familjarëve të Xoxes, bashkëshortes Sofikës dhe djemve të saj, miqësia Koçit me Enverin ishte aq e ngushtë, saqë në më të shumtën e rasteve ata të dy dhe bukën e hanin së bashku, herë tek shtëpia e Enverit dhe herë tek shtëpia e tyre, pasi vilat e tyre ishin ngjitur me njëra tjetrën dhe për ta gatuhej nga e njëjta kuzhinë.

Krisja dhe prishja e marrëdhënieve Xoxe-Enver!

Miqësia e madhe në mes Enver Hoxhës dhe Koçi Xoxes vazhdoi deri aty nga mesi i vitit 1948, kur filloi çarja e madhe në mes tyre, e cila nuk do të kishte më kthim pas. Lidhur me konfliktin e Xoxes me Enverin, pas viteve ’90-të, është botuar një libër i publicistit, shkrimtarit dhe analistit hungarez, Georges Herman Hodos, i cili ka pasqyruar hollësisht ngjarjet e periudhës 1945-1949, që kanë të bëjnë kryesisht me marrëdhëniet ndërmjet Koçit dhe Enverit, si dhe grupeve e klaneve që fshiheshin pas tyre. Publicisti disident, Hodos, ka qenë vetë një nga viktimat e proceseve politike staliniste të montuara menjëherë pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore dhe pas daljes nga burgu në vitet ’50-të, ai u detyrua që të largohej nga atdheu i tij Hungaria, e ka jetuar si azilant politik në SHBA-ës, ku dhe ka shkruar një libër voluminoz, në të cilin ka pasqyruar të gjitha proceset e bujshme politike të ndodhura në Evropën Lindore që u kurdisën nga KGB-ja sovjetike që kur ishte gjallë Stalini. Në atë libër, Hodos është ndalur hollësisht dhe me “çështjen Xoxe-Enver”, duke e pasqyruar atë deri në detaje dhe me objektivitet të plotë, çka konfirmohet dhe me dokumentat arkivore si dhe dëshmitë e ndryshme të bashkëpunëtorëve të Xoxes e familjarëve të tij. Sipas analistit hungarez Hodos, çarja e miqësisë ‘së artë’ në mes Xoxes dhe Enverit, u shkaktua pas letrës që Informbyroja i dërgoi udhëheqjes së lartë shqiptare, kur Stalini u prish me Titon. Që në nga nëntori i vitit 1944, thuhet se në udhëheqjen shqiptare ishin kristalizuar dy rryma. Në një krah ishin ata që konsideroheshin të moderuarit, (për shkak se ishin më shumë të lidhur apo ithtarë të anglo-amerikanëve), të cilët përfaqësoheshin nga Sejfulla Malëshova, Mehmet Shehu e Nako Spiro, kurse në krahun tjetër, ishin të ashtuquajturit punëtor, që përfaqësoheshin nga ministri i Brendshëm Koçi Xoxe. Lart këtyre dy grupeve ose rrymave, qëndronte vetë Enver Hoxha, i cili përkrahte herë njërin dhe herë tjetrin grup, sipas interesave dhe konjukturave që i paraqiteshin. Marrëdhëniet në mes këtyre grupeve u acaruan shumë në vitin 1947, kur një delegacion ekonomik shqiptar i kryesuar nga Nako Spiro, (në atë kohë Kryetar i Komisionit të Planit të Shtetit, që de jure ishte kryeministër i Shqipërisë), u nis për në Jugosllavi, për nënshkrimin e marrëveshjes ekonomike ndërmjet dy vendeve. Jugosllavët nuk pranuan nënshkrimin e marrëveshjes, pa pasur më parë garancinë e palës shqiptare për bashkërendimin e planeve ekonomike në mes dy vendeve. Sipas analistit hungarez, Hodos, në atë kohë jugosllavët duke parë rezistencën e udhëheqjes shqiptare, nxitën Xoxen që të hidhej në sulm kundër krahut kundërshtar të tyre. Këtu e ka zanafillën dhe përplasja në mes dy grupeve, që ishin shfaqur në udhëheqjen e lartë shqiptare, e cila në ndeshjen e parë në mes tyre në prillin e vitit 1947, çoi në fitoren e krahut të Xoxes, i cili pati dhe mbështetjen vendimtare të Enver Hoxhës. Më pas jugosllavët urdhëruan Xoxen, që të hidhej në kundërsulm kundër klanit që i kundërshtonte ata dhe Xoxe e bëri atë gjë, duke urdhëruar arrestimin e nëntë deputetëve të Kuvendit Popullor, në majin e vitit 1947, midis të cilëve dhe vetë Sejfulla Malëshovën, i cili u përjashtua fare nga udhëheqja e partisë. Sipas hungarezit Hodos, pas Malëshovës me urdhrin e Koçi Xoxes, që kontrollonte si Partine ashtu dhe Sigurimin, u dënuan dhe u pushkatuan një pjesë e madhe e mbështetësve të Malëshovës, të akuzuar për veprimtari antishtetërore. Në atë kuadër, u shkarkua dhe gjeneral-major Mehmet Shehu, nga posti i shefit të Shtatmadhorisë Shqiptare. Lidhur me këtë situate, ka dëshmuar pas viteve ’90-të, edhe koloneli në pension, Myftar Tare, ish-zëvendësi i Koçi Xoxes, i cili tregonte se: edhe pas shkarkimit të Mehmetit nga funksioni i Shefit të Shtatmadhorisë, ishte Koçi ai që nguli këmbë, që Mehmeti të merrte postin e ministrit të Komunikacionit, sepse sipas Tares, Xoxe e donte dhe e respektonte shumë Shehun. Nisur nga situata që u krijua në udhëheqjen e lartë, në qershor të atij viti, vetë Marshalli Josif Broz Tito, i shkroi një letër udhëheqjes shqiptare, ku akuzonte rëndë, kryesisht Enver Hoxhën, për nxitje të prirjeve armiqësore ndaj Jugosllavisë dhe për orientim anti jugosllav të politikës shqiptare. Por kjo letër bëri efekt të kundërt në mbledhjen e Byrosë Politike, e cila e hodhi poshtë atë, duke e cilësuar një ndërhyrje në punët e Brendshme të partisë, pavarësisht prej dy votave kundër, asaj të të Koçi Xoxes dhe Pandi Kristos, gjë e cila më pas do t’i shërbente Enver Hoxhës, për ta akuzuar Xoxen si njërin e jugosllavëve.

Ndeshja Enver-Xoxe në Plenumi!

Sipas publicistit, shkrimtarit dhe analistit hungarez, Georges Herman Hodos, i cili siç theksuam pak më lart, ka pasqyruar hollësisht ngjarjet e periudhës 1945-1949, që kanë të bëjnë kryesisht me marrëdhëniet ndërmjet Koçit dhe Enverit, si dhe grupeve e klaneve që fshiheshin pas tyre, në atë situate, Enveri i kërkoi Moskës leje, për të dërguar një delegacion në Bashkimin Sovjetik. Stalini e pranoi atë gjë dhe Enveri e udhëhoqi vetë delegacionin, ku bënte pjesë dhe Nako Spiro, (si Kryetar i Komisionit të Planit të Shtetit), ku ata nënshkruan një marrëveshje ekonomike. Nisur nga fakti që sovjetikët ndihmuan Shqipërinë, pa e njoftuar më parë jugosllavët, ishte një sinjal i qartë për Titon, se Stalini tashmë nuk qëndronte më në politikën e tij të mëparshme për Shqipërinë, që ua kishte lënë në duar të jugosllavëve. Pas kësaj, në nëntorin e vitit 1947, Tito nuk vonoi të dërgonte përsëri një letër tjetër udhëheqjes shqiptare, ku ai bënte fajtor Kryetarin e Komisionit të Planit të Shtetit dhe negociatorin e bisedimeve me jugosllavët Nako Spiron, si përgjegjës kryesor për konfliktet që kishin lindur në mes dy vendeve dhe prishjen e atmosferës miqësore në mes dy partive motra. Në diskutimin e kësaj letre në Komitetin Qendror, Koçi Xoxe e akuzoi Nako Spiron, për veprimtari nacionaliste antiparti, gjë të cilën e mbështeti dhe Enver Hoxha, duke i kërkuar Nakos, që ai të reflektonte për të gjitha akuzat që i bëheshin. Pas kësaj, të nesërmen Nako Spiro u gjend i vrarë në zyrën e tij. Analisti hungarez, Hodos, shkruan se në versionin e parë zyrtar të shpjegimit të asaj ngjarje, bëhej fjalë për një aksident banal gjatë pastrimit të armës, kurse versioni i dytë zyrtar, fliste për vetëvrasje, për shkak të “brerjes së ndërgjegjes si pasojë e tradhtisë”, që Spiru kishte bërë. Më në fund pas prishjes përfundimtare me Titon dhe rehabilitimit të Spiros pas vdekjes, u tha se ai ishte vrarë nga organet e Sigurimit të Xoxes. Në atë kohë, jugosllavët kur panë se sovjetikët po dominonin Shqipërinë, (nisur dhe nga një numër i madh specialistësh që erdhën nga Moska), ata afruan dy divizione ushtarake në zonën e kufirit (ndërmjet Korçës dhe Ohrit) duke kërkuar që të hynin në brendësi të territorit shqiptar, me pretekstin e rrezikut që paraqitej nga një sulm eventual i grekëve ndaj Shqipërisë. Në këtë atmosferë politike dhe “nën hijen” e këtyre dy divizioneve jugosllave, në Tiranë u mbajt Plenumi i VIII-të i Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Shqipërisë, ku Enver Hoxha, mezi mundi ta mbante postin e Sekretarit të Përgjithshëm, vetëm në sajë të një autokritike tepër të fortë që ai bëri. Dy nga përkrahësit e Enverit, Mehmet Shehu që kishte lënë në mes studimet në Akademinë Ushtarake në Moskë pasi ishte thirrur urgjent nga Enver Hoxha për t’u emëruar në postin e Shefit të Shtatmadhorisë, i cili ishte kundër orientimit jugosllav dhe Liri Belishova, vejusha e Nako Spiros, u përjashtuan nga Komiteti Qendror. Në atë kohë, Plenumi pranoi propozimin e Xoxes, për të miratuar bashkimin e ekonomive të ushtrive shqiptare dhe jugosllave. Ngjarjet precipituan menjëherë dhe Enver Hoxha me mbështetjen e ambasadorit sovjetik, në qershorin e 1947-ës, kërkoi përjashtimin e jugosllavëve nga Informbyroja, kurse në 1 korrik 1948 (një muaj pas vendimit të Informbyrosë për jugosllavët), ai i prishi të gjitha marrëveshjet ekonomike me Jugosllavinë dhe kërkoi largimin e menjëhershëm të gjithë specialistëve dhe këshilltarëve jugosllavë nga Shqipëria.

Enveri godet dhe arreston Xoxen!

Pas mbështetjes së madhe politike dhe ekonomike që Enveri mori nga Bashkimi Sovjetik, ai vendosi që t’u kthehej për t’i goditur rivalët e tij, duke e nisur atë goditje me Koçi Xoxen, kundërshtarin më potencial që ai kishte. Në mbledhjen e Komitetit Qendror të Partisë Komuniste Shqiptare, u zhvlerësuan të gjitha vendimet e Plenumit të VIII-të dhe u rehabilituan të gjithë udhëheqësit komunistë që ishin hequar nga postet e tyre deri në atë kohë, të cilët ishin akuzuar si anti jugosllavë. Së fundmi në atë plenum, u vendos shkarkimi i Koçi Xoxes nga funksioni i ministrit të Brendshëm dhe ai u emërua si Ministër i Industrisë dhe Minierave. Në postin e Ministrit të Punëve të Brendshme, Enveri emëroi ndihmësin dhe bashkëpunëtorin më të ngushtë të Koci Xoxes, kolonel, Nesti Kerenxhin, i cili deri në atë kohë mbante funksionin e zv/ministrit të Brendshëm dhe njëkohësisht atë të Drejtorit të Sigurimit të Shtetit. Memorie.al


PËRGJIGJU

Shkruani komentin tuaj
Vendosni emrin tuaj