Dokumente ekskluzive/ Fijet që lidhin Samir Manen me koncesionin e Portit të Vlorës

0
54

Dyshimet se pas marrjes me koncesion për 35 vite të portit të Vlorës për ta shndërruar në port jahtesh qëndron biznesmeni Samir Mane përforcohen nga dokumentat ekskluzive të siguruara nga Gazeta Shqip.

Dokumentat tregojnë se njëra prej kompanive që zotëron koncesionin në fjalë ka lidhje të forta me grupin “Balfin”, të zotëruar nga biznesmeni Mane. Fjala është për kompaninë britanike “Marina Projects” LTD.

Kompania britanike lidhet me Balfin Group përmes një kontrate me numër MP310-SOW-04 të nënshkruar në datën 26 gusht të 2020-s, pesë muaj para se Kryeministri Edi Rama të deklaronte dhënien me koncesion të portit ekzistues për t’u transformuar në port turistik dhe ndërtimin e portit të ri për mallra dhe pasagjerë në zonën e Triportit.

Përmbajtja e kontratës është e klasifikuar, por ajo kushtëzon marrëdhënien mes dy ortakëve të koncesionit, ortakut të parë, që statuti i koncesionarit përcakton kompaninë “Marina di Valona” dhe ortakut të dytë, që është kompania britanike, “Marina Projects” LTD.

Dokumente ekskluzive/ Fijet që lidhin Samir Manen me koncesionin e Portit

Në nenin 3.3 të statutit të themelimit ku flitet për “vendimmarrjet specifike të asamblesë së ortakëve thuhet se: “Ndryshimi i të drejtave dhe detyrimeve në Marina Service Agreement, ose çdo kontratë tjetër mes shoqërisë dhe ortakut të dytë do të bëhet në çdo rast me votat e ortakut të parë dhe ortakut të dytë”.

Kompania “Marina Projects” LTD zotëron vetëm 10 për qind të koncesionit, por përmbajtja misterioze e “Marina Service Agreement” ngre të tjera dyshime të forta se pas kompanisë së parë, pra kompanisë “Marina Di Valona”, që zotëron 30 për qind të koncesionit, qëndron pikërisht biznesmeni Samir Mane.

Dokumente ekskluzive/ Fijet që lidhin Samir Manen me koncesionin e Portit

Për më tepër, statuti është hartuar në mënyrë të tillë që ngjason me skemat e mirëfillta të përdorura në Shqipëri vitet e fundit në tendera dhe koncesione, ku kompanitë që shpallen fituese shesin aksionet e tyre për shifra qesharake te kompani të tjera.

Dyshimet përforcohen edhe nga fakti që kompania britanike “Marina Projects” LTD, që në Shqipëri është bërë pjesë e një ‘thele’ të majmë në një koncesion me vlerë miliona euro në vit, në Britaninë e Madhe rezulton anonime. Bilancet financiare të saj në autoritetet britanike janë modeste prej disa mijëra paundësh, ndërsa vlera totale e aseteve që zotëron është rreth 500 mijë paund.

Dokumente ekskluzive/ Fijet që lidhin Samir Manen me koncesionin e Portit

Këto të dhëna e përfshijnë atë në vendlindje te bizneset e vogla, që sipas dokumenteve të siguruara nga Gazeta Shqip e përjashtojnë atë nga auditet financiare të detyrueshme prej autoriteteve. Kompania rezulton e themeluar në vitin 2001 me emrin “Marina Solutions Unlimited”. Por, nga aktiviteti i saj me këtë emër mungojnë të dhënat.

Po ashtu, prej të paktën vitit 2017 dokumentet e siguruara nga Gazeta Shqip sugjerojnë se kjo kompani ka kaluar në ujëra të turbullta, me vendime sekuestroje nga ana e gjykatave dhe vështirësi të tjera financiare. Masa e sekuestros është vënë për llogari të bankës “National Westminster Bank PLC”.

Dokumente ekskluzive/ Fijet që lidhin Samir Manen me koncesionin e Portit

Gjithsesi, kompania “ka mbajtur” veten, ndërsa ka të punësuar mesatarisht në vit vetëm 13 deri në 15 persona. Pra, hartimi e zbatimi i projektit të portit të ri të jahteve të Vlorës, me një kosto mbi 22 milionë euro do t’i besohet një kompanie anonime britanike me një grusht punonjësish.

Vula përfundimtare që jep me koncesion për 35 vite Portin e Vlorës u dha më datë 13 tetor të këtij viti, ku Qeveria miratoi lidhjen e kontratës së qirasë me tarifën simbolike 1 euro. Sipas vendimit të Qeverisë, privati përfiton në këtë koncesion një sipërfaqe totale prej 57 mijë e 500 metër/katrorë, ku 38 mijë është sipërfaqe ndërtimore.

Deputeti i PD-së, Agron Shehaj e ka cilësuar tërësisht korruptiv këtë koncesion. “Qeveria po prish portin e mallrave në Vlorë, sepse tokën ku ndodhet porti do t’ia falë ortakëve të Kryeministrit për të ndërtuar aty kulla dhe një port turistik jahtesh. Por meqë porti i mallrave po prishet, qeveria do ta ndërtojë me koncesion duke e zhvendosur në zonën e Triportit”, deklaron ai.

Por edhe porti i ri i mallrave, i përcaktuar në Triport, ose porti aktual i peshkimit do të jepet po me koncesion. Qeveria për këtë ka nisur procedurat. Por sa do të kushtojë? “Qytetarët shqiptarë do të paguajnë një vlerë e parashikuar prej 60 milionë eurosh për të ndërtuar portin e ri tregtar në Triport”, thotë Shehaj.

Deputeti i PD ka hedhur dyshime se pas këtij koncesioni qëndron një klient i afërt i Qeverisë.

“Tenderi për koncesionin e portit të mallrave është zhvilluar një ditë më parë. Klienti i radhës së qeverisë do të dalë ditët në vijim, duke përmbyllur kështu aferën e radhë, këtë herë me kosto të dyfishtë për qytetarët shqiptarë, të cilëve do u merret toka publike dhe do u ngarkohet fatura prej rreth 60 milionë euro”, deklaron ai.


PËRGJIGJU

Shkruani komentin tuaj
Vendosni emrin tuaj