Në një pjesë të mirë të mediave në Kosovë u raportua dhe më pas u përhap me shpejtësi lajmi i vdekjes së artistit, Mirush Kabashi.
Lajmi rezultoi i rremë, pasi nga kontaktet e vendosura më vonë me vetë aktorin ai jo vetëm që është gjallë, por gëzon shëndet të plotë.
I gjithë lajmi i rremë besohet se ka marrë shkas nga keqinterpretimi i një postimi të vetë Mirush Kabashit pas ndërrimit të jetës së aktorit e regjisorit, Pirro Mani.
Kabashi ka sqaruar se ky status është keqinterpretuar nga një mësuese nga Shkodra, postimi i së cilës më pas ka marrë dhenë.
Reagimi i gazetares Edona Haklaj
Pak minuta më parë, në rrjete sociale, në portale, por dhe në televizionin ku unë punoj (i pakonfirmuar nga unë që mbuloj kulturën) është publikuar lajmi që Mirush Kabashi (larg qoftë) ka ndërruar jetë.
Sapo bëra një bisedë të gjatë me Mirushin, falë Zotit është mirë me shëndet, dhe buzagaz mu shpreh se deklarata që ka bërë dy netë më parë për Pirro Manin është keqinterpretuar nga një mësuese nga Shkodra, ku më pas postimi saj ka marrë dhenë.
Unë ndiej përgjegjësi të kërkoj falje mbi këtë rast, edhe pse lajmi nuk eshte konfirmuar dhe as derguar në redaksi nga unë.
Më vjen keq edhe që ky lajm u publikua tek ne i pakonfirmuar siç duhet.
Prof.Kabashit iu zgjattë jeta!









































