Komisioneri publik pranon kërkesën e ONM-së, zbulohet se çfarë është vendosur për prokuroren Lindita Ziguri

0
183

Komisioneri Publik ka pranuar kërkesën e Organizatës Ndërkombëtare të Monitorimit për ankimin e vendimit për konfirmimin në detyrë të Prokurorës Lindita Ziguri.

Më 12 janar 2021, KPK-ja konfirmoi në detyrë Prokuroren e Tiranës, Lindita Ziguri, por ONM nuk ra dakord me këtë vendim dhe bëri kërkesë pranë Komisionerit Publik për apelimin e vendimit.Kjo kërkesë është pranuar nga Komisioneri Publik.

Njoftimi:

Komisioneri Publik, brenda afatit ligjor, ushtroi ankim në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, pranë Gjykatës Kushtetuese, kundër vendimit nr. 332, datë 12.1.2021, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit, znj. Lindita Male (Ziguri), me funksion prokurore e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, Tiranë.

Komisioneri Publik, mbështetur në kompetencën e tij kushtetuese dhe ligjore, në vlerësim edhe të rekomandimit të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit (ONM) konstaton se, nga shqyrtimi i vendimit nr. 332, datë 12.1.2021, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe akteve shoqëruese të tij, paraqiten rrethana të tilla ligjore e fakti, që e bëjnë të cenueshëm vendimin në tërësinë e tij.

Komisioneri Publik kërkon që shkaqet e ankimit të merren në shqyrtim nga ana e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit dhe, pasi të ketë kryer vetë Kolegji një hetim dhe vlerësim të plotë të rezultateve të hetimit administrativ për subjektin e rivlerësimit, të vendosë, në mënyrë alternative, lënien në fuqi të vendimit nr. 332, datë 12.1.2021, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit ose ndryshimin e tij.

Mbështetur në pikën 1, të nenit 16, të rregullores së Institucionit të Komisionerëve Publikë, ankimi bashkë me rekomandimin e ONM-së janë publikuar në faqen zyrtare të këtij institucioni.

Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë.”

Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here