Ndërhyri Avni Ponari, FIBA Europe letër qeverisë Rama: Riktheni basketbollin

0
346

Basketbolli tash e 11 muaj është i pezulluar, duke i shkaktuar federatës së koshit dhe klubeve në tërësi një dëm kolosal, deri edhe stres psikologjik. Situata ka shkuar në një pikë ku s’mban më, aq sa qeverisë i ka shkruar së fundmi edhe FIBA Europë, organizmi më i lartë i këtij sporti në rang kontinental. Lëvizja e federatës europiane u mundësua pas ndërhyrjeve të presidentit të FSHB-së Avni Ponari, i cili, duke dhënë argumentet e tij dhe situatën dëshpëruese për basketbollin në Shqipëri, ka bindur FIBA Europe të hidhet në veprim, duke apeluar tek qeveria shqiptare të rikthejë sa më parë basketbollin në fushë. Kështu, në letrën që Drejtori Ekzekutiv i FIBA Europë, Kamil Novak, i drejton sekretarit të përgjithshëm të kryeministrisë, Engjëll Agaçit, shkruhet ndër të tjera se basketbolli nuk ka kurrfarë rreziku dhe kjo është e bazuar në studime konkrete në shumë vende europiane, teksa ai me përulje i lutet qeverisë t’i besojë Federatës Shqiptare të Basketbollit, të cilën e konsideron të aftë të menaxhojë me sukses aktivitetin pa krijuar probleme në këtë situatë pandemie. “Ne, FIBA Europe, mbikëqyrëse e 50 federatave kombëtare, e kuptojmë më së miri rrezikun që paraqet pandemia si dhe detyrat e paimagjinueshme të qeverive për të mbrojtur të gjithë popullatën. Diskutimet midis sportit dhe qeverisë duhet të shkojnë në të njëjtën linjë dhe jo në kahe të kundërta. Së fundmi, personalisht kam bërë një prezantim përpara Ministrave të Sportit të këshillit të Arsimit, Rinisë, Kulturës dhe Sporteve në Komunitetit Europian me temë: “Aktivitetet Sportive Ndërkombëtare në kohë pandemie “ Covid19”. Pas prezantimeve, pothuaj të gjithë Ministrat konfirmuan se “ Të mos luash nuk është zgjedhje”, duke argumentuar se një koncept mjekësor është krijuar, zhvilluar dhe aprovuar për garat respektive. Do të këmbëngulja që Ju dhe kolegët tuaj, të merrni në konsideratë të lartë, përmbajtjen e saj. Përveç përfitimeve fizike dhe emocionale nga ushtrimi me sport, mendojmë se ka dhe një sfidë të madhe, ajo e shëndetit mendor. Ju siguroj se FSHB-ja, trajtohet me vlerësim të veçantë nga federatat simotra. Në verën e vitit 2019, FSHB, organizoi me sukses Europianin e Kategorisë U-16 Djem, Div. C dhe në Tetor të vitit 2020 , asaj iu aprovua e drejta për vend organizator të Konventës Europiane të U-14 Get Together, e cila për shkak të Covid19 , nuk u zhvillua, por mbetet në fuqi për vitin 2021. Në shtator të vitit 2020, Presidenti i FIBA Europe, erdhi në Tiranë për të lancuar “Ligën Unike të Basketbollit”, gjë e cila shënjon një hap të ri për zhvillimin e basketbollit në Shqipëri e Kosovë. FSHB është mjaft profesionale dhe kompetente aq sa duhet t’i besohet në mënyrë absolute zbatimi i të gjitha udhëzimeve dhe rregulloreve/protokolleve për shëndetin dhe sigurinë, për rifillimin. Në sinqerisht kërkojmë prej jush, t’i besoni për rihapjen e sigurt të basketbollit në Shqipëri”, shkruan ndër të tjera Novak.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here