Vllaznia frikë të hyjë në merkato, shkodranët vihen në mbrojtje të grupit aktual

0
220

Kur të vjen e mira hapi derën dhe kjo shprehje vlen për Vllazninë. Shembull dhe bukuri e kampionatit, një skuadër që fiton rezultate e simpati, një klub që funksionon dhe mbi të gjitha vlerëson lojtarët e tij duke ndërtuar si duhet edhe të ardhmen. Fitoret në fushën e blertë dhe forca e grupit kanë ekzaltuar edhe vlerat e individëve, duke krijuar premisat që Vllaznia të fitojë edhe financiarisht, dhe bashkë me privatizimin e pritshëm është pikërisht rruga për të funksionuar si një sipërmarrje e vërtetë. Në tavolinën e drejtorit sportiv Matko Djarmati është paraqitur një ofertë prej 90 mijë eurosh për sulmuesin nga Kenia, Ismael Dunga. Biznes me leverdi po të marrësh parasysh se lojtari u mor me parametra zero, e megjithatë oferta është refuzuar. Si rrjedhojë, klubi ka vendosur që të mos largojë ata lojtarë që u bënë të rëndësishëm për rezultatet dhe për lojën e kuqebluve, duke refuzuar oferta që u kanë ardhur deri tani. Dunga dhe Hoxhaj ishin dy lojtarët për të cilët në klub kanë mbërritur oferta konkrete, por asnjë prej tyre nuk do të largohet, të paktën pa plotësuar ato kërkesa ekonomike që ka Vllaznia. Shuma prej 90 mijë dollarësh nga futbolli japonez për Dunga nuk mjafton sipas shkodranëve e për këtë arsye, nuk është gjetur akordi me Sagan Tosu për transferimin e tij. Ndërkohë, “SuperSport” bën të ditur se i njëjti përfundim është arritur edhe në rastin e Hoxhajt, me një ofertë nga jashtë Shqipërisë që nuk ka kënaqur kryesuesit. Këta të fundit vazhdojnë të insistojnë se duan të shesin futbollistë për të sjellë fitime në arkat e klubit. Por tashmë është e qartë se nuk do të largojnë lojtarë nën atë që mendojnë se është vlera reale e tyre

Sukseset e klubit

Hoxhaj, që sezonin e kaluar qëndroi në stol te Tirana, konsiderohet tani një aset i çmuar dhe ata që e duan, duhet të takojnë pretendimet financiare të kuqebluve. Por ky nuk është rasti i vetëm, pasi krye-golashënues i kampionatit sot është Ardit Hoxhaj, me 7 finalizime në 13 prezenca në kampionat, teksa vlen të përmendet se 8 shënoi gjithë sezonin e kaluar në plot 33 ndeshje për Flamurtarin. Në garën e bomberave për Këpucën e Artë, të dominuar nga lojtarët e ardhur nga jashtë, është ndër të paktët që mban lart flamurin e prodhimit vendas, por jo vetëm. Ecuria e ka kthyer edhe atë një objekt dëshirash në merkato dhe Vllaznia ka patur edhe një ofertë për 26-vjeçarin. Sërish edhe kjo është refuzuar, pasi sigurisht ecuria fantastike deri më tani, ka bindur drejtuesit se ky është viti i tyre dhe për ta bërë triumfues, ju duhet pikë së pari të ruajnë skuadrën që po ecën me marshin e suksesit. Dy oferta të refuzuara nuk janë pak, sidomos kur bëhet fjalë për një klub me të kaluarën e Vllaznisë. Brenda pak muajsh, nga skuadra ku lojtarët bojkotonin stërvitjen për shkak të mungesës së pagave, Vllaznia është kthyer në klubin që ka luksin të refuzojë oferta.

Sulmuesi/ Hoxhaj: Vllaznia si Milani, unë si Leao

Ardit Hoxhaj me shtatë golat e shënuar deri në këtë pikë të kampionatit e ka ndihmuar shumë Vllazninë, ndërsa është jo vetëm golashënuesi më i mirë i kuqebluve, por është edhe golashënuesi më i mirë i Superiores. Së fundmi, sulmuesi thekson se njerëzit i thonë se Vllaznia është si Milani, ndërsa vlonjati ua kthen se ai është si Leao. “Ne kemi shumë harmoni në skuadër. Lojtarët tanë janë shumë cilësor, pasi ndryshe nuk do të arriheshin rezultatet. Por gjithashtu janë edhe djem shumë të mirë. Kjo është e rëndësishme pasi nëse do të kishte disa të këqij, atëherë do të prishej fryma e grupit. Në stërvitje ne kemi shumë disiplinë me Bradriç. Por ai është edhe shumë i komunikueshëm. Di të flas edhe më ata lojtarë që qëndrojnë në stol dhe janë të pakënaqur. Unë kam qëndruar gjithashtu në stol fillimisht, mbajti komunikimin me mua dhe më tha se kishte ardhur momenti”, theksoi ai. Në fund ka një koment për veten dhe me kë i ngjan Vllaznia. “Tani mund ta them me plot gojën se jam tifoz i Milanit se jemi në vendin e parë. Unë vetë e mendoj dhe njerëzit na thonë: “Ju jeni si Milani, po zhvilloni këtë lojën e bukur, po nuk i dihet sesa do e keni hapin”. E unë që i them: “Në rregull, ne po vazhdojmë këtë lojën e bukur dhe në fund do t’ju themi sesa e kemi hapin”. Dilaver do të ishte Ibrahimoviç dhe unë si Leao”, përfundon Hoxhaj.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here