Nga Xhevdet Shehu
Pse janë mërzitur disa pinjollë të mërgatës së qyqeve nga të vërtetat që thuhen për ata që u bënë kavie të agjenturave të huaja. Përgjegjësia e Ramiz Alisë që e dorëzoi vendin në duar të njerëzve besnikë të tij, si Sali Berisha e të tjerë, të cilët qenë diletantë në politikë e servilë të njohur. Krerët kriminelë të arratisur erdhën me ngut pas ’90-s për të marrë kurorat e dafinës dhe për t’u hakmarrë ndaj një populli të tërë, siç u shprehën Arshi Pipa, Ndue Pjetër Gjonmarkaj, A. Ermenji, Leka Zogu etj. të pritur me bujë nga R. Alia, S. Berisha etj. Ata nuk erdhën për demokracinë dhe paqen në këtë vend pas vitit 1990, po për të kundërtën, për t’i vënë zjarrin Shqipërisë, sikurse ia vunë në të vërtetë dhe për të thelluar përçarjet kombëtare të iniciuara nga etërit e tyre shpirtërorë.
Një nismë me Hysni Kapon dhe Kadri Hazbiun që na mbeti peng për të rehabilituar dhe dekoruar disa pjesëtarë të mërgatës që bashkëpunuan me Sigurimin e Shtetit. Shqipëria nuk duhet kthyer sërish në kthetrat e fashistëve të çdo ngjyre. Regjimi i tyre u shemb me mundjen dhe dëbimin e fashistëve jashtë atdheut më 1944…
– Zoti Luçi, ditët e fundit, pas dy intervistave tuaja, pati një reagim të madh rreth veprimtarisë së Sigurimit të Shtetit në radhët e mërgatës politike shqiptare, madje pati një sulm të egër kundër shkrimtarit Nasho Jorgaqi, si autor i romanit “Mërgata e qyqeve”. Si i përcollët këto reagime?
– Krejt normalisht dhe pa ndonjë habi. Ato që kam thënë nëpër intervista unë, apo ato që ka shkruar Nashua janë tërësisht të vërteta. Nashua ka bërë një vepër artistike realiste e cila do t’i irritojë përjetë disa individë si Tufa e ca pak pleshta të tjerë, pinjollë të asaj mërgate që u bë kavie e agjenturave të huaja. Unë kam qenë konsulent i Nasho Jorgaqit për romanin “Mërgata e qyqeve”, të cilin e shoqërova gjatë vizitave në Bruksel e Paris për t’u njohur me mjediset përkatëse. Ai është treguar krejtësisht korrekt për ato që ka shkruar dhe nuk është faji as i Nashos dhe as imi që disave u përvëlojnë shumë këto të vërteta. Ne e kemi bërë detyrën tonë me përkushtim dhe jemi krenarë që e realizuam me sukses atë detyrë. Por ju them se janë shumë e shumë më tepër ata që na falënderojnë dhe urojnë edhe sot e kësaj dite, se sa ata që na sulmojnë. Nashon e sulmojnë për të vërtetat që thotë, por ata nuk kanë argumente sepse të gjitha faktet flasin kundër kësaj mërgate qyqesh që na shfaqet si fantazmë herë pas here.
– Duket se ju nuk keni ndryshuar mendim e qëndrim në raport me mërgatën politike shqiptare edhe 30 vjet pas përmbysjes së regjimit komunist. Pse?
– Sepse ne ishim në të drejtën tonë. Kjo periudhë 30-vjeçare pas 1990-s na ka dhënë edhe më shumë të drejtë. Janë dhënë shumë fakte e dëshmi dhe do të jepen edhe të tjera në favor të kësaj që po them. Duhet të jetë e qartë për të gjithë se shembja e komunizmit në ish BS dhe demokracitë popullore, përfshi Shqipërinë në radhë të parë erdhi si rezultat i faktorëve të brendshëm objektivë e subjektivë (ekonomike e politikë) dhe së dyti nga lufta frontale në shkallë botërore nga demokracitë perëndimore me në krye SHBA gjatë procesit të gjatë të luftës së ftohtë në të gjitha fushat e jetës ndërkombëtare bëri që bota perëndimore të fitonte garën mes dy sistemeve armiq të filluar qysh në 1917 kur fitoi revolucioni socialist i tetorit dhe gjatë Luftës Antifashiste botërore në vitet ’40. Në gjithë këtë proces të gjatë politik, ideologjik, ushtarak, ekonomik dhe kulturor, Shqipëria e pagoi më shtrenjtë pasi ajo u vu në një darë të fortë qysh në fillim nga titistët dhe perëndimi edhe më vonë nga ish BS e satelitët e vet. PKSH gjatë LANÇ-it dhe qeveritë shqiptare u përpoqën të ruanin lirinë e pavarësinë e vendit nga çdo rrezik i huaj nga perëndimi e nga lindja. Gjatë viteve 1944 – 91 u arritën suksese të padiskutueshme në fushat arsimore – kulturore, ekonomi, shëndetësi etj. që shumë shtete e patën zili për arsimimin e popullit, shëndetësinë e qetësinë në vend. Shqipëria u pranua në forumet ndërkombëtare si shtet i lirë e sovran, emri i saj fitoi prestigj e autoritet në botë në lidhjet diplomatike, miqësore e tregtare si një shtet përparimtar dhe mbrojtës i traditave të mira të popullit shqiptar, duke marrë aktivisht anën e popuj ve për çlirim kombëtar e shoqëror, për përparim e të drejtat njerëzore. Tërthorazi dhe drejtpërdrejt kjo vërteton drejtësinë e luftës sonë me armiqtë e Shqipërisë, një pjesë e të cilëve ishin shqiptarë. Mund të shtoj këtu se në veprën e Enver Hoxhës “Rreziku anglo – amerikan për Shqipërinë” është futur pa asnjë ndryshim teksti që u dha prej meje mbi veprimtarinë emigracionit politik shqiptar, kopjen e të cilit e kam ende sot.
– Ku ka gabuar mërgata politike shqiptare në atë kohë kur keni shërbyer ju dhe sot?
– Ka një vijimësi në veprimtarinë e kësaj mërgate në atë kohë dhe sot, mbështetur nga elementë të kamufluar si “komunistë” madje dhe si udhëheqës politikë. Qëndrimi në pozita të palëkundura antikombëtare është faji dhe përgjegjësia më e madhe e kësaj mërgate. Në momentet shpërthyese kombëtare e ndërkombëtare pas luftës së ftohtë, në botën e sotme, tranzicioni demokratik shqiptar në vitet ’90 në vend që të ndreqte gabimet politikë dhe historike të bëra më parë në Shqipëri, bëri të kundërtën – mohoi dhe shkatërroi vlerat e krijuara me gjak e djersë të popullit shqiptar duke shkatërruar plotësisht edhe ekonominë, ushtrinë, arsim – kulturën. Potenciali intelektual i lartë e i mesëm në të gjitha fushat e jetës së vendit u hodh në rrugë të madhe për hakmarrje ndaj vlerave që krijuam dhe u lanë pa bukën e gojës dhe u detyruan të mërgojnë. Në vend të tyre u ngritën shtresa të goditura nga pushteti popullor por pa përvojë qeverisje dhe një pjesë iu futën rrugës së hakmarrjes politike dhe një pjesë ish servilë e njerëz ordinerë në Shqipërinë socialiste iu futën rrugës së pasurimit, me çdo mjet pa u ndalur as para krimeve monstruoze. Pasi R. Alia, ish president i RPSSH, sekretar i Parë i KQ të PPSH dhe komandant i përgjithshëm i forcave të armatosura të RPSSH-së, i lënë si “hero legjendar” me testament nga Enver Hoxha, nuk mori masat e mundshme për të zbutur tranzicionin demokrat se nuk u tregua trim dhe nuk manovroi me stafin e vjetër e të ti, e dorëzoi vendin në duar të njerëzve besnikë të tij, me apo pa urdhër, të cilët qenë diletantë në politikë e servilë të njohur, doli se pasardhësit e tij kryen të tjera porosi politike. Për t’i dhënë grusht çdo qëndrese komuniste kur në fakt nuk kishte por për ta dramatizuar “demokratët e rinj” vunë në jetë strategjinë zero në Shqipëri e padronët e tyre të perëndimit e të lindjes do t’ua bënin Shqipërinë të florinjtë. R. Alia u justifikua se PS gjoja shpëtoi vendin nga lufta civile kur ky rrezik nuk qe dhe morri rolin e mësuesit brenda e jashtë burgut duke larë duart të dy palët e majta dhe e djathta PD. Gjithë bota e pa se ku u katandis Shqipëria në vitet ’92 – 2000 e më pas aq sa bota studion shkaqet për të mos u përsëritur gjetkë kurrë një katastrofë intelektuale dhe ekonomike si këtu.
– Megjithatë, ka disa anëtarë të kësaj mërgate që u riatdhesuan pas vitit 1990, thonë se edhe ata kanë kontributin e tyre në përmbysjen e regjimit komunist. Sa e vërtetë është kjo?
– Kjo nuk është aspak e vërtetë. Mërgata politikë shqiptare trumbeton se ajo korri fitore në përmbysjen e komunizmit kur në fakt komunizmi ra vet dhe nuk e vrau mërgata. Përfaqësuesit më në zë të mërgatës politikë shqiptare jashtë apo të riatdhesuar në vitet ’90 erdhën me tërbimin e humbjes dhe pa asnjë pendesë për të luajtur të njëjtin rol të vjetër, në proceset demokrate në vendin tonë si përçues të vijës politikë të vjetër në rrethana të reja gjeopolitike në Europë dhe Ballkan, megjithëse SHBA dhe Europa perëndimore nuk u dhanë ndonjë rol parësor në çelësat e pushtetit të ri në vitet ’90. Kështu që mbetën të përbuzur nga miqtë e tyre si shërbëtorë dhe nga populli si armiq të tij. Një pjesë e tyre u turrën të pasuroheshin me korrupsionin që lulëzon për fat të keq në kurriz të këtij populli atdhetar që ripet nga kushdo politikan vendas e i huaj.
Këta përfaqësues vazhdojnë avazin e Mukjes duke u përpjekur të lajnë veten me kallaj por ai nuk ngjit tek brezat e rinj në Shqipëri, të cilët ua njohin bëmat deri sot, pale te brezi i LANÇ-it që i ka ende kujtimet e gjalla të terrorit të tyre.
– Pse këmbëngulni kaq shumë në këtë pikë?
– Sepse kështu është e vërteta. Bashkëpunëtorët e regjur të fashizmit dhe një pjesë e pinjollëve të tyre sot hiqen si demokratë por huqet i tregojnë bosë profashistë se po kërkojnë me çdo kusht rehabilitimin e tyre para botës shqiptare dhe të huaj si dhe kërkojnë të zenë vendin e atdhetarëve. Fitorja mbi fashizmin i demaskoi përjetësisht dhe ajo damkë nuk u shqitet deri në varr. As veteranët ish partizanë as brezat e rinj nuk do t’u lajnë rolin e tradhtarëve. Kjo është rrjedha logjike e ngjarjeve historike. Rehabilitimi i tyre siç u bë në vitet ’90 e më pas i fashistëve, ballistëve e zogistëve është tepër fyes dhe ky po luan rol mundues në rimëkëmbjen atdhetare të kombit shqiptar sot për çka kanë përgjegjësi direkte aleatët antifashistë dhe tradhtarët në bashkëpunim nga frika e komunizmit shqiptar. Populli shqiptar u tregua tolerant me këto kontingjente se populli donte mish, kurse ata i hodhën kocka me Ramiz Alinë e Sali Berishën në vitet ’90. Shqipëria nuk duhet kthyer në kthetrat e fashistëve të çdo ngjyre. Regjimi i tyre u shemb me mundjen dhe dëbimin e fashistëve jashtë. Përsëri populli nuk ua dha pushtetin atyre apo pinjollëve të tyre.
– Po në ndërtimin e demokracisë a u njihni ndonjë meritë ish-mërgimtarëve politikë?
– Për çfarë demokracie flisni? Ata nuk erdhën për demokracinë dhe paqen në këtë vend, po për të kundërtën, për t’i vënë zjarrin Shqipërisë, sikurse ia vunë në të vërtetë dhe për të thelluar përçarjet kombëtare të iniciuara nga etërit e tyre shpirtërore. Demokratët e viteve ’90 keqkuptuan, shtrembëruan dhe zbatuan me keqdashje politikën e demokracinë perëndimore si përsa i përket zhvillimeve postkomuniste në Shqipëri dhe të çështjes kombëtare në Ballkan, aq sa rrezikuan kombin shqiptar nëse nuk do të kishte ndërhyrë NATO-ja për të shpëtuar Kosovën nga serbomëdhenjtë. Krerët kriminelë të arratisur erdhën me ngut për të marrë kurorat e dafinës dhe për t’u hakmarrë ndaj një populli të tërë, siç u shprehën Arshi Pipa, Ndue Pjetër Gjonmarkaj, A. Ermenji, Leka Zogu etj. të pritur me bujë nga R. Alia, S. Berisha etj. Ata rivendosën në Shqipëri grupimet e tyre, po zgjebja e bashkëpunimit me fashistët italianë e gjermanë, arratisja me turp, nuk i shpëtoi se megjithë jetën në mërgim, ku u strehuan si vegla të shërbimeve sekrete të huaja, ata nuk qenë reformuar dhe këtë e paguajnë ende se populli nuk i pranoi si triumfatorë dhe nuk i ndoqi me votën e tij, kështu që ata mbetën një pakicë e zgjebosur siç qenë gjatë LANÇ-it dhe pas çlirimit. As fuqitë e mëdha e ato shovene, të cilave u shërbyen me zell përmbi gjysmë shekulli, nuk u dhanë shpërblimin e punës së tyre të ndyrë (veç thërrimeve për të mbajtur të gjallë frymën e qelbur) dhe as Shqipërinë etnike për çka ata rrahën gjoksin që gjatë LANÇ-it, pra shërbëtorë qenë, e shërbëtorë mbetën derisa të vdesin. Edhe Leka Zogu me aventurat e veta përjashta dhe në Shqipëri për kohën që jetoi këtu e tregoi veten një kukull në duart e padronëve të vjetër e të rinj sa u turpërua përfundimisht pasi populli shqiptar në të dy anët e kufirit nuk e përfilli këtë bonapartist pazarllëqesh e mendjeshkurtër.
Me përjashtime të pakta, gjeneratat e reja të mërgatës politike shqiptare nuk e trashëguan armiqësinë e kriminelëve të luftës se nuk janë të gjakosur me ato të atdheut, prandaj u treguan tolerantë, i peshuan veprimet e tyre dhe kërkojnë të marrin pjesë në përparimin e Shqipërisë e kombit tonë. Për fat të keq një pjesë e tyre nuk janë të lidhur me mëmëdheun dhe po humbin lidhjet me të.
– Nuk mund të mos jeni pak më tolerantë me mërgatën pas kaq shumë vitesh, zoti Luçi?
– Jo. As kam qenë dhe nuk do të jem kurrë tolerantë dhe i mëshirshëm me këtë kategori që e njoh shumë mirë. Kam arsye të forta për këtë. Në radhë të parë se shumicën e gjëmave Shqipëria dhe shqiptarët e kanë pësuar nga kjo kategori njerëzish pa ideale as humane dhe as kombëtare. Prandaj dhe them se sidoqoftë është një fat që mërgata politike shqiptare e sidomos kriminelët e luftës janë në shuarje e sipër, se janë të përkohshëm, si rezultat i vdekjes e asimilimit në vendndodhje, për të mos iu bërë ferrë shërimit të plagëve shqiptare që morën në vitet ’90 dhe përparimit demokrat në të gjitha fushat e jetës së vendit në shekullin e ri, mijëvjeçarin e tretë.
Ata hedhin baltë mbi Sigurimin e Shtetit, i cili u paska bërë gjëmën më të madhe se i paska përçarë ata në mërgim e gjetkë. Gjithnjë në çdo luftë ka të fituar e humbës. Por mërgata shqiptare qe e përçarë qysh gjatë LANÇ-it dhe u bë më e përçarë në mërgim se qenë padronët e tyre që përçanin më shumë se sa veprimtaria e organeve të sigurimit të shtetit që doemos do të mbronte atdheun e vet nga këto karavidhe në mërgim që dërgonin banda e spiunë në Shqipëri, Kosovë e Çamëri për të zbatuar planet e tyre nën diktatin e padronëve. Ky rrezik duhej luftuar me mjete të thjeshta që kishte shteti shqiptar, kurse kriminelët e arratisur kishin tërë arsenalet moderne në dispozicion dhe lidhje me reaksionin botëror antishqiptar që e kishte si justifikim këtë mërgatë në veprimet kundër kombit shqiptar. Këta kriminelë i kanë urryer edhe vendet ku kanë punuar e jetuar. Kjo luftë e pabarabartë është bërë në kushtet historike përkatëse në përputhje me format e luftës së ftohtë të dy palëve. Sigurimi i Shtetit as e nënvleftësoi e as e mbivleftësoi mërgatën politike shqiptare në çdo front të luftës për jetë a vdekje. Dua të dëshmoj një të vërtetë historike se asnjëherë shërbimet sekrete të Shqipërisë nuk kanë kryer akte terrori jashtë shtetit ndaj kësaj mërgate, e cila dizinformoi në këtë drejtim për të mbuluar dorën e saj terroriste brenda e jashtë vendit.
– A keni ndonjë peng nga ajo kohë? Jemi në kushte të tjera dhe ju mund të keni reflektuar në ndonjë rast që mund të ketë qenë i tepruar?
– Kundërshtarët tanë nuk kanë reflektuar asnjë grimë dhe unë po ju them se nuk jam tërhequr asnjë grimë nga qëndrimet e mija. Ishim ballë për ballë. Ne fituam. Tani krenar se qysh nga viti 1955 dhe deri në 1991 kur dola në pension, kam punuar e luftuar kundër mërgatës politike shqiptare dhe padronëve të saj, qoftë fuqitë e mëdha, qoftë shovenët fqinjë, për të mbrojtur popullin tim legjendar e heroik, që megjithëse i varfër, bën jashtë mundësive të veta për të përparuar vendi në çdo drejtim. Përfitoj nga rasti të shpreh mirënjohjen time për shumë atdhetarë, që nuk rrojnë më apo që jetojnë ende, me të cilët kam bashkëpunuar ngushtë për hir të mbrojtjes së atdheut e kombit, pa kërkuar shpërblime e privilegje siç bëjnë demagogët e gjallë të mërgatës politike. Më vjen keq se një pjesë e këtyre heronjve të heshtur nuk është legalizuar para familjeve të tyre dhe para opinionit publik mbi ndihmesën e dhënë popullit të vet. Nisma e marrë në bashkëpunim me H. Kapon e K. Hazbiun mbeti e pa kryer jo për fajin tim, megjithë këmbënguljen time shumëvjeçare. Me ndonjërin që është gjallë, me kënaqësi kemi pirë kafe për të kujtuar ditët e vështira të punës sekrete, pasi qeveria socialiste e demokrate na hodhi në rrugë të madhe, duke na lënë të varfër e pse jo edhe pa pensione një pjesë. Në sektor të tjerë të vendit specialistët dekorohen e përkujtohen të gjallë a pas vdekjes. Kurse në këtë sektor aq delikat askush nuk e përmend. Shpreh edhe keqardhjen e madhe, se një pjesë e arkivave të këtij shërbimi u dëmtua rëndë në vitet ’90 dhe vështirëson punën e studiuesve në të ardhmen për këtë faqe të lavdishme të luftës të shërbimeve sekrete shqiptare, në veçanti të zbulimit shqiptar.