Dëshmia e ish-deputetit dhe diplomatit: Kur shoku i qelisë më pyeti për ‘rolin e kosovarëve në Masakrën e 4 shkurtit’…

0
269

Memorie.al publikon historinë e panjohur të Esat Myftarit me origjinë nga Peja, i cili që në bankat e shkollës së mesme kur ishte anëtar i një grupi djemsh të rinj që kundërshtonin politikën e Beogradit zyrtar ndaj politikës diskriminuese që ushtrohej ndaj popullsisë shqiptare që jetonte në trojet e veta, filloi punë si gazetar te “Rilindja” e Prishtinës nga ku u propozua për korrespodent i Agjensisë TANJUG, por e refuzoi atë dhe në vitin 1963 u detyrua të arratisej dhe të vinte në Shqipëri, me synimin për të kërkuar ndihmë dhe përkrahje nga shteti amë, për organizatën klandestine të “Djemve të Pejës”. Peripecitë e shumta në shtetin amë dhe ndjekjet e vazhdueshme të Sigurimit të Shtetit që gjatë kohës së studimeve në Tiranë dhe periudhës kur shërbente si arsmitar në qytezën e Shëngjinit e fshatrat e Bregut të Matës, ku dhe u arrestua në vitin 1975, pasi kishte kërkuar zyrtarisht riatdhesimin në vëndlindjen e tij Kosovë, duke e dënuar me dhjetë vite burg me akuzën për “agjitacion e propagandë”, të cilat i vuajti në kampin e Spaçit. E gjithë historia e dhimbëshme e gazetarit, publicistit, studjuesit, përkthyesit, deputetit dhe diplomatit, Esat Myftari, është e përshkruar me një mjeshtëri nga ana letrare në librin e tij, “Vdekja jote, jeta ime” një roman autobiografik që sapo ka dalë nga shtypi nga Shtëpia Botuese “Lena Graphic Desing” e Prishtinës, dhe me lejen e autorit, do publikohet pjesë pjesë nga Memorie.al

Historia e panjohur e gazetarit, publicistit e shkrimtarit Esat Myftari

Esat Myftari lindi më 16 qershor të vitit 1940, në qytetin Pejës në Kosovë, prej nga është dhe origjina e hershme e familjes së tij. Mësimet e para të shkollës fillore, 7-vjeçaren dhe gjimnazin, i kreu në vendlindjen e tij, duke i përfunduar ato në vitin 1959. Po në vitin 1959, Esati, djaloshi i ri, 19 vjeçar, filloi studimet në Fakultetin Juridik të Universitetit të Beogradit. I dashuruar pas historisë dhe letërsisë, fillon të shkruaj që në moshë të re kur ishte në bankat e shkollës 7-vjeçare dhe në periudhën e fakultetit, bëhet anëtar i Klubit Letrar “Përpjekja” me seli në Qytetin e Studentit të “Beogradit të Ri”, ku afirmohet shpejt dhe here mbas here, shkruan poezi e vështërime kritike letrare, por për shkak të përmbajtjes së tyre, nuk i dërgon për botim.

Në vitin 1961, mbasi kaloi me sukses konkursin përkatës, Esati filloi punë si gazetar në të përditshmen e krahinës së Kosovës, “Rilindja”, ku caktohet të mbulonte kronikën e qytetit të Prishtinës dhe Sindikatat e Kosovës. Po atë vit, i ofrohet një bursë kualifikimi, pranë Agjencisë Jugosllave “TANJUG”, me perspektivën për t’u bërë korrespondent jashtë Jugosllavisë së asaj kohe. Por gëzimi i tij për atë bursë kualifikimi që ishte destinuar për ta dërguar atë në botën e jashtëme, u shua shpejt, pasi specializimi që i ofrohej kishte si kusht antarësimin e tij në Lidhjen Komuniste të Serbisë, gjë të cilën Esati 20 vjeçar, e refuzoi në mënyrë kategorike.

Ndërkohë në vitin 1963, merr pjesë në një grup djemsh të rinj që nuk pajtoheshin dhe ishin kundër politikës që ndiqte Beogradi zyrtar ndaj shqiptarëve të Kosovës dhe kudo ku ata ndodheshin në trojet e tyre nën Jugosllavi, dhe në emër të “Grupit klandestin të Pejës”, si përfaqësues i tyre, kalon kufirin ilegalisht dhe vjen në Shqipëri. Qëllimi Esatit si përfaqësues i “Grupit ilegal të djemve të Pejës”, ishte për të vendosur kontakte me shtetin shqiptar dhe për të kërkuar mbështetje e ndihma të ndryshme, për mirëfunksionimin e atij grupi djemsh të rinj, që synonte t’i bënte rezistencë politikës diskriminuese të Beogradit zyrtar ndaj popullsisë shqiptare në Jugosllavi.

Në vitin 1974, një pjesë e anëtarëve të këtij grupi arrestohen nga autoritetet zyrtare të Ministrisë së Punëve të Brendëshme jugosllave, duke u akuzuar si pjesmarrës në manifestimet e vitit 1964, kohë kur u shpalosën flamujt kombëtar shqiptar nëpër qytetet kryesore të Kosovës dhe kur u ndërmorrën masa të rrepta policore e gjyqësore ndaj tyre. Motoja kryesore e kësaj lëvizjeje masive që ishte dhe e para e këtij lloji në Kosovën e mbasluftës, ishte bashkimi i trojeve shqiptare me shtetin e tyne “amë”, Shqipërinë.

Ndërkohë Esati që ndodhej në Shqipëri, ashtu si edhe disa nga bashkëatdhetarët e tij emigrantë kosovarë në Shqipëri, fitoi një të drejtë studimi dhe në vitin 1965, fillon studimet në Fakultetin e Shkencave të Natyrës në Tiranë, në degën “Bio-Kimi”. Mbas vitit të tretë të studimeve, i zhgënjyer nga politika zyrtare e regjimit komunist të Enver Hoxhës si dhe trajtimin që u bëhej emigrantëve kosovarë në Shqipëri, të cilët me ardhjen e tyre në në atdhëun amë, dukej se “nga shiu kishin rëndë në breshër”, i ndërpret studimet dhe kërkon riatdhesimin!

Natyrisht kjo gjë nuk i’u aprovua nga Tirana zyrtare dhe në vitin 1969, Esati fillon punën si arsimtar në shkollën 8-vjeçare të qytezës së Shëngjinit, në rrethin e Lezhës, ku punon deri në vitin 1974, nga ku e transferojnë në fshatin Tale të Bregut të Matës, ku ai gjithashtu punoi me përkushtim. Ashtu si gjatë gjithë periudhës që ishte me punë dhe banim në rrethin e Lezhës, Esati survejohej rregullisht me të gjitha mënyrat nga organet e Sigurimit të Shtetit, edhe në atë shkollë ku thuhej se atë e kishin dërguar me qëllim, pasi i frikësoheshin një arratisje të mundëshme të tij për në Jugosllavi nga Shëngjini, ai arrestohet dhe dënohet me 10 vite heqje lirije, i akuzuar për “agjitacion e propagandë ndaj pushtetit popullor”!

Pasi kryen dënimin e plotë duke vuajtur atë në kampin e Spaçit etj., (duke mos përfituar asnjë ditë ulje dënimi), Esati lirohet prej burgut politik në vitin 1985 e kthehet në rrethin e Lezhës ku kishte punuar dhe jetuar para dënimit dhe në vitin 1986, fillon punë si punëtor në Fabrikën e Letrës në Lezhë. Po atë vit krijon familje dhe më pas i lindin dy djemtë.

Në vitin 1990, në fillimet e pluralizmit, Esati merr pjesë aktive në lëvizjet popullore për përmbysjen e diktaturës komuniste në Shqipëri dhe që me krijimin e degës së Partisë Demokratike për rrethin e Lezhës, në fillimin e vitit 1991, për të kaluarën e tij dhe kontributin e madh në fillimin e atyre protestave popullore, ai zgjidhet sekretar i asaj dege.

Po kështu si rezultat i atij kontributi, në zgjedhjet e para pluraliste të 22 marsit të vitit 1991, Esati zgjidhet deputet i Partisë Demokratike në Kuvendin Popullor, duke përfaqësuar aty zgjedhësit e Bregut të Matës, ku kishte punuar si arsimtar deri ditën e arrestimit në vitin 1975.

Një vit më vonë, në vjeshtën e 1992-it, emërohet në detyrën e Drejtorit të Drejtorisë së Diasporës, pranë Ministrisë së Punëve të Jashtme të Shqipërisë që kryesohej prej ministrit, Alfred Serreqi. Në atë detyrë, Esati punoi me përkushtim deri në vitin 2000, kur u emërua në funksionin e diplomatit pranë Ambasadës Shqiptare në Riad, ku ai qëndroi deri sa doli në pension.

Që nga ajo periudhë kohe, Esati i kushtohet pasionit të tij, shkrimeve, studimeve dhe përkthimeve dhe që nga viti 2011, ai fillon të botojë disa libra, të cilët janë mirpritur nga kritika dhe lexuesit, edhe për shkak të tematikës së tyre, si dhe variantit të gegërishtes që ai ka shkruar ato, gjë e cila ndeshet shumë rrallë në botimet shqiptare, të shtetit amë!

Libri i parë i botuar nga Esat Myftari është “Emrush Myftari”(monografi), dhe pasi tij vijnë: “Kosova dhe Enver Hoxha” (studim), “Profili politik i Esat Mekulit” (monografi), si dhe “Vdekja jote, jeta ime”, i cili është një roman autobiografik, ku ai ka përshkruar me një mjeshtëri dhe në mënyrë kronologjike pjesën më të madhe të jetës së tij, që nga familja dhe jeta në Kosovë si gjimnazist, arratisja në Shqipëri, peripecitë e shumta nga survejimet e përndjekja e Sigurimit të Shtetit, arrestimi, hetuesia, gjyqi dhe dërgimi në burgun e Spaçit.

Të gjitha ngjarjet dhe çdo gjë që përshkruhen në librin “Vdekja jote, jeta ime”, janë reale dhe personazhet aty paraqiten me emra dhe mbiemrat e tyre konkretë, ndërsa vetëm ata persona që ndikuan për keq në jetën e tij, (kryesisht, ata të organeve të Ministrisë së Punëve të Brendëshme të asaj kohe, si punëtorë operativë, hetues, policë, titullarë të Ministrisë së Punëve të Brendëshme e të Degës së Punëve të Brendëshme të Tropojës, Lezhës, dëshmitarët në gjyqin e tij, etj.), autori u ka ndryshuar vetëm emrat, duke i dhënë ata me mbiemrat e tyre të vërtetë.

Vijon nga numri i kaluar

Pjesë nga libri “Vdekja jote, jeta ime”, i autorit, Esat Myftari

– Se vërtetë nuk do të ketë ma konvertime masive, por ama, shumëzimi i rasteve individuale, mund të ushqehet në njimijë e nji mënyra, çka do të çonte në nji përfundim të përafërt, në mos identik.

Simoni e mblodhi veten.

– Më fal, Ridvan, e ke lexuar Kur’anin?

– Po, dikur, para shum vitesh.

– Edhe unë e kam lexuar copa-copa Biblën – pohoi Simoni.

– E shikon, pra, jemi në të njejtat ujna – pohoi Ridvani me të qeshun.

– Po, tamam.

Me shokun e qelisë që më pyeti për “Masakrën e 4 shkurtit”!

Por Simoni, me sa dukej, e kishte majë gjuhe pyetjen rezervë:

– A s’të vjen keq të të pyes për diçka krejt tjetër?

– Aspak.

– Pse ju quajnë juve, kosovarëve, njerëz të pabesë?! A mund të jetë 4 shkurti shkaku i vetëm i kësaj?

Ridvani u shtang, jo për kujtimin e nji date si ajo, por për ligsinë që vu re në sytë e tij dhe erën e keqe që mbante sugjestioni i pyetjes.

– Simon, 4 shkurtin e shtjellojnë në mënyra të ndryshme, gja që më duket nji marrëzi. Në Shqipninë zyrtare, sikurse e di, kjo datë kujtohet me rregullsi, përkushtim e bujë. Në çdo përvjetor mbushën gazetat me rrëfime të ndryshme. Madje në Tiranë edhe nji rrugë e Bllokut, mban ket emën.

Pala tjetër thotë se ajo datë asht me shifra qëllimisht të fryme, ende e pa mbështetun me emna konkretë, me shkak-pasojë të fshehun e me synime provokuese. Si e thotë historiani Ruzhdi Krasniqi i diasporës, të gjitha këto teprime bahen për dy arsye bazë: e para, për të relativizue bashkëpunimin e partizanëve shqiptarë me ata serbë në Drenicë, Gjilan e Ferrizaj dhe, e dyta, që të humbë në peshë masakra e Tivarit, ku udhëheqja e komunistëve shqiptarë ishte vërte kodoshe e orëve të para në shërbim të serbo-malazezëve! Simbas këtij historiani, kjo përpjekje për të ba nji lloj simetrije krimi asht nji metodë e vjetër por e dalë boje dhe fort e lig. Veç kësaj, 4 shkurti shërbeu edhe si hakmarrje e për të përligj gjyqet speciale në kinema “Kosova”, në Vlonë, në Gjinokastër e gjithandej nëpër vend. Kurse nji sociolog i kohëve të reja shkon edhe ma thellë në histori. Ai thotë se “kjo lloj propagande ka të bajë me abuzim pronësie mbi shtetin shqiptar, sepse kosovarët e krijuem atë, kurse shqiptarët e trashiguen. Të tjerat s’janë veçse mosmirënjohje e përfitim egoist”.

– Por ket cilësim e ka bërë edhe Fishta, domethënë para ngjarjes që trajtove, – nguli kambë Simoni me nji farë revolte të përmbajtun ndaj përgjigjës së papritun e shum kundërsulmuese të Ridvanit.

– Ku e kur e paska thanë?

– E ku ta di o burrë, kështu kam dëgjuar – tha i skuqun në ftyrë Simoni e me ton mbrojtës.

Pjesën tjetër të ditës e kaluen ma shumë me gogësima fjalësh të shplame, ndejë në cepet e kithta të pajtosit.

Pak para se të errej, ata i kthyen në birucë. Kur u shtri, Ridvani po e ndjente trupin si të rrahun: por sakaq bardhësia e gelqerës dhe ajri i pastruem e i lehtë po ia shkriftone mushknit. Ridvani u kthye me ftyrë kah muri e po i merrte erë gëlqerës, erë që po i ndjellte kotje, gjumë të hershëm dhe, ma në fund, e përkundi në nji andërr të bekueme.

Mbas pak i’a mbërrini Buraku i tij që s’po pyeste për vogëlsitë mizore të këtij burgu dhe e mori bashkë me Rozin e tij për t’i çue në Pejë. E çuditshme kjo puna e andrrave: kur erdh si refugjat, ato po e vizitonin shpesh e përbanin lidhjen e vetme me familjen e vendlindjen, kështu që i priste me dëshirë e në çaste pikëllimi u përgjerohej të mos e harronin. Gjithçka që shihte në to ishte hapësinë Kosove e realitet i atjeshëm. Por, me kalimin e viteve, ato gjithnji e ma shumë po rralloheshin e po zavendësoheshin me visore tjera, me personazhe të tjerë, emotivisht ma të ftohtë e heraherës të dyshimtë apo hakërrues. Deri sa u zhdukën, moment ky kur ndjeu sikur e fshiku krahu i vdekjes. Por tash që kishte mbetë vetëm e po kalëronte mjaft dobësi të dikurshme, ato i qenë kthye prapë vullnetmire, me premtime se do t’i falnin çaste të lume. Buraku i tyne i la në vendin ma të dashun për te: rranzë Parkut të madh. Ridvani e mori për dore Rozin dhe bashkë me të iu ngjitën shkallëve. Kur mbërrinë në maje të tyne, u hodhi nji vështrim fushave që shtriheshin në pambarim për t’i thanë asaj se atje në fund, mu në vijën e përndezun, ku bashkoheshin qiell e tokë, qe zhvillue beteja e famshme e Mesjetës, ku historia e Ballkanit kishte marrë kthesen e vet të madhe.

Kujtimet për një kohë të shkuar, Rozin dhe të afërmit në Kosovë

“Parku ka qenë dobësia ime, Rozi”, – e nisi rrëfimin e tij të ri Ridvani, – mundëm me thanë se, në këto stola, e kam gëzue rininë time të parë. Nëpër këta druj gdhendnim inicialet tona, zhvillonim biseda naive e të fryme për lashtësinë e forcën shqiptare, fshihnim gabimet e mëkatet e vogla vetjake. Me nji fjalë, ishte parajsa që na e kishin zili qytetet tjera të Kosovës”.

Mandej ata zbritën tërthorës te “Xhamia e kuqe” e u ndalën para dyrve të mëdha të nji shtëpie dykatshe. “Ishte shtëpia e dajëve orndreqës, ndër pasunarët e qytetit, – vazhdoi rrëfimin e vetë Ridvani, – ku admiroja drandofilet, shermashekun e manin e oborrit dhe ku me kandej me bujtë sepse atje binin orët e mëdha të mureve, sidomos në të zbardhun i ndigjoja mirë. Ose kur dajës së vogël i tekej me luejt me primin e tij mramjeve melodi dalmate. E pabesueshme: ket lloj atmosfere do ta gjeja ma vonë te Virgjinia Vulf, madje qysh në paragrafet e parë të nji romani të saj, veçse sfondin atje e përbante Bing Bengu, kurse këtu minarja dhe ezani i kristalt i hafiz Saliut; atje më priste ngrohtë në mënyrë të veçantë e bukura teze Sanija, mbetë pa fëmijë, që aq shpejtë na e rrëmbeu nji sulm akut apendisi e njerëzia thjesht nuk po e besonin se nji bukuri e tillë e ngrime, por ende kaq shprehëse, mund të futej në dhé aq heret e përgjithmonë. Ishte nji bukuri tragjike, Rozi. Burri i saj, që vllau im e quente nji Garri Kuper shqiptar, si tregtar e nacionalist që ishte, qe detyrue të ikte por e vranë në tokën greke, partizanët sllavë të Selanikut. Shiko këtë gur drejtkandësh, pa ndonji gdhendje të veçantë, i thoshim “guri i xhenazës”, sepse këtu i baheshin salikimet xhenazës e xhematit i printe nji hoxhë enigmatik, që e quenin Mulla Jusufi.

– Po shtëpia jote, ku asht?

– Durim – i qe përgjigj Ridvani – se aty kam me të mbajtë ma gjatë.

Si zbritën anas çesmës me mbishkrime arabe – ku thuheshin lutjet gjatë abdesit – kaluen anash shtëpisë së Kadajve, dallandyshës së parë të arkitekturës së re të qytetit, dhe u ndalën përpara Urës së Zallit me sheshin përskaj, vendin fatal ku ai i kishte hyp autobusit e qe nisë për në Shqipni.

“Shpirti m’asht djeg për këto pamje, i tha Rozit, me za të dridhun e shikim të ngulun në valët e vogla të Lumbardhit. “E sheh edhe vet, me nji hop fluturimi ne erdhëm këtu, kaq e vogël asht hapësina jonë shqiptare. E megjithatë, kemi gjithë atë kufi në mes, të ngritun me qëllim prej dy shtetesh, për ta lanë Kosovën në fylteren e vet”.

Rozi po e ndigjonte në heshtje rrëfimin e tij dhe, ndonëse kuptonte pak, ajo po ngjeshej mbas trupit të tij për t’i dhanë zemër e për ta bindë që sa të jenë bashkë, s’ka pengesë që i ndanë. Ridvani ia hudhi dorën në krah dhe i tha se e vlente të shikonin edhe shkollën fillore dhe Gjykatën e Qarkut që për të ishin burim kujtimesh të pashlyeshme.

Kur mbërrinë te shkolla, nji ndërtesë njikatëshe bojëverdhë, ndër ma modernet e krahinës, u ulën në stolin përballë hymjes:

“Kjo asht shkolla fillore e kohës sime me emnin “M. Popoviq”, me mësuesin e moçëm Shkreli si drejtor, që s’e hiqte prej goje llullën e tij të madhe anekdotike, me vetulla kaleshe, i cili mbante disiplinë pa purtekë, e kur shalli i kuq ishte i pari si vlerë e shalli blu i dyti. Qe, të ajo pjesa e dalë në krahun e djathë, ishte klasa ime me mësuese N. Begolli që na la shpejt se e rrëmbeu piktori katolik, pa përfillë zakonin e fuqishëm, pak a shumë si unë e ti!…Shiko, Rozi, emërtimi i shkollave dhe rrugëve këtu të ne kanë nji histori të veçantë, që ngjajnë vetëm me ato të Samarkandit. Kur u krijue “Shqipnia etnike”, vepër e gjermanëve, kjo shkollë mbante emnin e lëvizjes sonë ma të madhe kombëtare, “Lidhja e Prizrenit”. Edhe rrugët atëherë patën rimarrë veshjen kombëtare….Mos harro se Kosova nuk e ka dashtë nazizmin por gjermanët, nuk e ka urrye as komunizmin por Rusinë: në gjendjen që ishte, ajo kërkonte me marrë frymë e jo me thithë ideologji; kjo asht e vërteta që u fsheh në tekstet e Shqipnisë dhe ti sot, edhepse mësuese, kaq pak di për Kosovën. Qëllimisht të lanë pa histori kombëtare.

Kurse kjo ndërtesë dykatëshe përballë, Gjykata e Qarkut, asht ajo që mori të gjitha vendimet e errta …”.

Meqë Rozit nuk po i pritej sa ta shihte shtëpinë ku qe rritë Ridvani, ky mori rrugën për andej, por ndaloi për pak te karriket para hotelit “Korzo” dhe porositi dy kriklla birrë.

“Pak para arratisjes, këtu më pati gjetë Besim Sahatçiu, kushërini i parë nanës sime, të përhumbun në mendime me krikllën e birrës përpara si tash, vazhdoi rrëfimin e vet Ridvani. Qe ulë pranë meje e më pati thanë: “Ridvan kjo e jotja, vërtetë asht pozë à la Esenin, por të damton pa masë! Në qoftë se janë të vërteta ato që pëshpëritën për ty, po gabon. Edhe ky vend nuk të siguron dinjitet, e di, por asht vendlindja jote, ku, megjithatë, ke mundësi realizimi qoftë edhe të pjesshëm. Por dije se mërgimi dhe statusi i refugjatit politik përherë kanë qenë kulshedra për djemtë e Kosovës. Nuk e pata përfill, sepse ishte prej atyne intelektualëve që ne i quenim mondialistë…ndaj vërejtja e tij me qe dukë se kontrastonte shumë me namin që kishte e që vinte vetëm si dhimbje farefisnore…”

Ma në fund, me shpirt të dredhun, e çoi në lagjen Jerine, te shtëpia e vet, për të cilën i kishte folë aq shumë e me nota aq patetike. I tregoi kopshtin e madh mbrapa ndërtesës dhe drujt e mollëve, kumbullave, dardhave e sharicave, nën hijet e të cilave kishte kalue kaq orë të ambla.

“E kemi pas zakon me thirrë vajzninë e fisit degëshum për reçel e pistil. Përzimja në kazanet e mëdhaj e pemëve, kumbullat e ndeme nëpër drrasa të lëmueme për hoshaf, kangët za-ulta të tyne – ishte turp m’atokohë të kumbonin ma larg se te kojshit e parë – dhe shprehjet me kuptime të tërthorta erotike të pa shterë, përbanin poetikën e rinisë sime të hershme që e kujtoj me kaq mall. Ishin tre katër netët e arta që dëshiroheshin prej të gjithëve, ishin netët kur andrra bahej ditë pse hiqej tutela dhe natyra – ajo landore e njerëzore – zhvishej deri në bërthamë.

Secilën pemë që e prekte, e përgëdhelte si nji qenje të gjallë e të brishtë. Mandej shkoi në oborr, te muri gjys i rrënuem, dhe i tregoi se ditën e ndamjes aty kishte qa aq shumë sa mezi kishin mbërri me e pajtue. Kjo ishte humbja e parë e madhe, si prelud i nji bjerrjeje të madhe shpirtnore e morale që do ta shoqnonte tanë jetën. Tash e mbas, ata si familje do të bredhnin shtëpi më shtëpi nëpër lagjet e qytetit ndonëse ishin qytetarë të vjetër e me konak të ngulun mirë në këtë tokë, madje si pjesë e historisë vendore.

“Qe edhe pjergulla e madhe që mbulonte nji pjesë të mirë të oborrit dhe tavolina prej druni të pagëdhendun – babës i pëlqenin trajtat e paprishuna të drunit të gjallë – ku verës drekonim familjarisht dhe ku unë lexoja me orë e lueja shah me kojshinë e tretë, nji serb ky fjalëpak, i afrueshëm e kambngulës. E quenin Sulo – nji emën me tingëllim mysliman por që mburrej pa teklif si nji ortodoks i rreshkun. Me të kisha hy në nji rivalitet josulmues. Të dy po e mernim afrimin me mirëkuptim dhe i kishin dhanë të drejtë njeni-tjetrit me qenë të hapët. Kompromisi i vetëm që kishim ba ishte ky: ai nuk do ta pranonte djathin e bollicës, kurse unë, kuptohet, mishin e derrit. Si rrjedhojë, kur rastiste me mbetë për drekë të njeni tjetri, në këtë pikë ishim të qetë e mirëbesues. S’do mend, edhe nanat tona ishin në dijeni për këtë marrëveshje gjentelmene dhe na mbështetshin me shumë fisnikí. Po midis nesh kishte edhe nji fushë tjetër gare, që kishte ngarkesa shumë ma shpërthyese e që preknin shkaqe të rrezikshme historike. Sula në adoleshencën e tij ishte nji admirues i madh i letërsisë ruse, kurse unë i asaj gjermane. Ndonëse ende shumë të rij, ne po merreshim me krenat e këtyne letërsive. Në atë moshë vëllimi i librit si masë landore, kishte vlera shtesë në vetvete, prandaj Sula vazhdimisht e çonte fjalën të “Lufta e Paqja” e “Vllaznit Karamazov”, kuse unë isha ma modest, unë qeshë dhanë mbas novelave të T. Mannit e Cvajgut, ndonëse që të dy po mburreshim me pupla të hueja. Por nuk zgjati shumë dhe, kur nuk e prisja, familja e Sulës u largue – në fakt ata kishin ardh prej Kraleve – për t’u kthye në vendin e origjinës. Ky ishte i vetmi serb që kishte shkel në cilësinë e shokut jetëshkurt të fëminisë dhe që ishte zhduk pa pasë ma ndonji lajm për të. Vite ma vonë mora vesh se ai na ishte ba oficer dhe se mbas demonstrative të 1968 qe emnue nën/komandant i kazermave të Pejës. Shokët më thanë se qe tregue i egër e shumë provokues!

Kurse kur u futën mbrenda, i tregoi dhomën e burrave. “Këtu, neve, djemëve të shtëpisë, i tha, na ishte ndalue me hy pa ndonji ngut të madh. Ajo më joshte me pastrinë, qetësinë e rregullin e vet. Dhe erdhi dita kur u ba nji përjashtim: aty mund të hyja vetëm unë, sepse vetëm unë isha i dhanë mbas leximit. Ky ishte kushti që kishte vu baba. Pra, mund të ulesha në minderin me jastëk të butë e shilte të trasha ose të shtrihesha në krevatin anglez, të paguem shtrejt në kohën kur baba ishte në pupa si tregtar dhe martesës kishte dashtë me i dhanë prestigj esnafi. Ditë për ditë kjo dhomë e burrave po me bahej si nji hijerore e ime ku po ngjizeshin mendime të guximshme, që po nxirrnin krye edhe në hartimet shkollore ose poezitë e fshehta të mia që dikur mora zemër e po i lexoja nëpër orë letrare.

Kurse dhoma ime e fjetjes asht kjo – i tha Ridvani Rozit kur hypën në katin e parë të shtëpisë stil elbasani, siç i thoshin në Pejë. Çardaku qenka po ai i atyne ditëve. Ramazani atëbotë pati përkue me muejin korrik dhe ne yftarin e hanim aty. Uleshim rreth sofrës, me gota ardiçi përpara dhe prisnim ndezjen e kandilëve në minaren e Çarshi-xhamisë. Edhe kur hynë në dhomën e ndejës përsëri u mrekullue me minderin që e gjeti pothuej si ditën e largimit prej saj: të gjanë, që përfshinte tre muret e dhomës, mbulue me sexhade thekëshumë. Të mbingarkuem ndjenjash, u shtrinë mbi minder dhe instiktivisht u mbërthyen me nji afsh të papamë, vend ku e rigjetën njeni-tjetrin pa kurrfarë frike.

Kur dolën në qytet, Ridvani e çoi te shadërvani me 6 çepa dhe i tha Rozit se do të pinte ujë kush e di sa. Por tamam kur filloi ti përpinte hurpat e para, te kambët e tyne zbriti Buraku me shalë të prarueme për t’i kthye në vendin ku i kishte marrë, por nuk arritën me hype…!

Përjetimi kishte qenë aq i thellë e plastik sa, edhe kur i doli gjumi e qe shpërba andra, figura e Rozinës po vazhdonte me farfurit në ajër si nji ektoplazmë joshëse e frymëzuese. Por mbi të gjitha, u gzue se kishte pas ereksion të fortë e përmbyllës. Edhe ajo ndjesi e fuqishme që kishte përjetue në andërr kishte vërtetue se, në thelb, shëndeti i tij nuk qe cënue aq sa kishte kujtue. Ishte nji provë e kjartë, mendoi ai n’at avull zgjimi, se edhe po t’i kishin shti qetësues në gjellë – pëshpëritjet thoshin se ato ishin përbamës të pashmangshëm – dozat do të kenë qenë të vogla, ndoshta sa për të shmangë vetkontrollin. E ndjeu veten vërtetë të mbushun. Sa do të donte ta ndante me dike këtë galdim. Megjithatë, vendoi mos me i thanë gja Simonit, sepse për të ai tashma ishte nji kërmill shiu që duhej largue sa ma parë prej birucës.

Vendimi për hetuesinë popullore dhe demaskimin publik

Ditëve të fundit qe caktue nji roje e re në ndrresën e mbasditës. Ndryshe prej të tjerëve, ky ishte plot humor dhe u duk se e kishte da mendjen me kuvendue me të për ngjarje të lehta nga përdita e jetës përjashta. Dikush i kishte thanë se kjo ishte terapia ma e mirë për nji shpirt të ngujuem. Fillimisht Ridvani u step dhe s’po dinte si me u mbajtë por, kur pa se roja vetë nuk po çante kryet, mori zemër. Fundja, nisma ishte e tij, ndoshta e kishte të tillë natyrën dhe në këto orë nate edhe mund të ishte jashtë kontrollit, arsyetonte ai me vete. Kuptohet, Ridvani nuk u nxit aq sa ta pyeste drejtpërdrejt se nga i vinte kjo siguri për thyemje rregulli. Por, kur mbramje mbas mbramjes u shtue shpërfillja e tij, erdh në përfundimin se kishte lëvizë diçka, se ky stil sjelljeje ishte nji porosi.

Roja ishte nji malsor shtat-hedhun, energjik. Tha se kishte sherbye qysh si adoleshent në nji anije të vogël peshkimi dhe se e njihte Ridvanin prej kohësh; shtoi se, nji herë, kur ky po darkonte me kolegët e punës, u kishte çue nji pjatë kacalecash të fërguem për të shoqnue pijën e tyne; se kishte respekt të madh për të gjithë arsimtarët e ardhun prej kahmos për të arsimue fëmijtë e tyne; se Shëngjini e kujtonte me dashamirësi… Fjalët e tij kishin ambëlsinë e kangës së pëlqyeme, që po vinte në veshët e tij me jone gati hyjnore, sepse po e siguronin se ai vazhdonte me u respektue ende aty ku s’ishte ma, pikërisht aty ku derdheshin ujnat e zeza të propagandës dashakeqe e tinzare.

Aty kah fundi i javës, roja e ngriti shkallën e informimit dhe i tha:

– Por kujdes: këto që t’i thash t’i keshë parasysh nesër, kur do të jesh në hetuesi popullore!

Ridvani u smbraps sikur të ishte çue para syve të tij nji shtjellë pluhni.

– Hetuesi popullore?!

– Po.

– Nesër, the?!

– Nesër – përsëriti roja, kësaj rradhe me ton të thatë e pothuej enigmatik. E kur Ridvani po bahej gati me i ba nji pyetje plotësuese, ai befas e mbylli sportelin me forcë, pa i thanë as “natën e mirë”, siç bante netëve tjera. Ishte nji largim brusk i tij që e shtyu Ridvanin me murmuritë nëpër dhambë “ec e besoju këtyne!”.

Të nesërmen në mengjes, i prunë supë të yndyrshme që i shijoi shum. Por mbas nji grime, kur po bluente me mend mënyrën se si do të mbahej në këtë ballafaqim të ri e të paparashikuem, filluen me i rrah tamthat e nëpër lëkurën e rrashtës me ec mija bubrrecë.

Ridvani i ra derës me grushta. U shfaq kryeroja me ftyrë të kënaqun. Ridvani i tregoi për gjendjen dhe kërkoi mjekun.

Por ai, i qetë, e pyeti:

– Mos vuen gja prej alergjije?

– Të lutëm, mjekun! – thirri Ridvani.

Po mjekun nuk e lajmoi kush. Kryeroja nxorri prej xhepit të vogël, të fshehun diku nën palën e xhaketës, dy hapa të verdhë.

– Piji këto!

Ridvani, pa u befasue për rolin e ri prej mjeku të kryerojës, i kapërdiu para syve të tij, ashtu, pa ujë. Mandej u kthye të vendi i vet. U desh kohë që ta merrte disi veten. Edhe bubrrecat, si me magji, ishin të parat që filluen tërheqjen për në çerdhën e tyne të mistershme. Pyetja ma shqetësuese që i bani vetës ishte kjo: të kenë shti këta në dorë mjete kaq të sofistikueme sa të krijonin gjendje patologjike me pasoja të atypëratyshme apo me veprim të vonuem? Instiktivisht i preku gjymtyrët, po ato s’po jepnin asnji shej ndryshimi, madje sikur në to qe kthye nji forcë e re, pothuej e kërthnezët, kurse po të ishin me efekt të vonuem, sigurisht që ato do të vinin pa pritë e pa kujtue ose do të binte shakull për tokë dhe ekspertiza e mjekëve do të sajonte konstatime mjeko – ligjore të përligjshme, sikur thuhej se kishte ndodhë me plot fakirë të tjerë. Nga do që ta ktheje dyshimin, gjendja mbetej po ajo, prandaj filloi ta bindte vetën se po e tepronte dhe se ai duhej ta cilësonte atë që i ndodhi si krizë të kalueshme çasti, apo tension çasti.

Mbas nja dy orësh, si u siguruen se ishte përmirësue – dukej sikur qe e kronometrueme kohëzgjatja e efektit të hapave, – e nxorën prej birucës dhe e futën në po atë xhip me të cilin e kishin pru aty ditën e arrestimit të tij. E lidhën dhe e vendosën midis dy policëve.

Gjatë rrugës, hapësinën e vogël e mbuloi nji heshtje sovrane. Policët ishin të krahinës, njerëzit e së cilës dalloheshin për të folmen e tyne defryese dhe e njihnin rastin e tij edhe në aspektet e qytetarisë së tij korrekte. Mbështetë për shpinorën e meshintë e me duer midis shalësh, Ridvani po i endte sytë nëpër visoret e blerta që i kalonin si vegime fuguese: kishte pesë muej që s’kishte pa gjelbrim me sy ndaj drujt e shtyllat e ndërtesat që po i shpaloseshin me shpejtësi vetime si dekor i gjallë jete po i shkaktonin nji mallëngjim të papërfytyrueshëm. Me sa duket të dy policët kishin kuptue diçka nga gjendja e tij shpirtnore ndaj me marifet po merrnin, simbas rastit, pozicione që t’i hapnin fushëpamje sa ma të gjana. Në kushte normale, ai do t’i falenderonte për këto gjeste bujare, por e pati parasysh praninë e shoferit që në përgjithësi kishte nam të keq dhe e përshkruenin si shumë dinak.

“Xhip”-i ndaloi dhe Ridvani doli përfytyrimesh. Kur e zbritën, prej zyrës së kryetarit të fshatit, u shfaq hetues Grigor Selenica e u tha policëve “këndej”, tue tregue me dorë votrën e kulturës. Ridvani, i ndërgjegjshëm se mbi te qenë ngulë shumë vështrime, të hapta e të fshehta, po hidhte hapat ballnaltë. Në atë qetësi të përftueme pa farë urdhni epror, dhe falë rregullit të prishun të kujtesës e për inerci të përsiatjeve të maparshme, në mendje i erdh teksti i lexuem shumë vite ma parë që përshkruente teatrin e ekzekutimit të heretikëve.

Por shpejt u bind se pamja që po shtrihej para syve të tij s’kishte asgja të përbashkët me ato të heretikëve të shkretë e tragjikë. Këtu s’kishte as procesione kavalkade, as imazhe simbolike as sheja festiviteti. Përkundrazi. Gjithçka ishte e thjeshtë, e heshtun: nji pjesë të grave e vajzave të brigadave të punës i kishin shpërnda në dy parcelat para votrës së kulturës ku do të zhvillohej hetuesia popullore, me porosinë e kjartë që ato duhej ta përbuznin mësues Ridvanin me vështrimet e tyne të egërsueme, si parashije të kryqëzimit që do t’i bahej në mjedisin e ngushtë e plotë zagushi të votrës së kulturës. Por këto malsore, ndejë galiç, me shami të bardha e të larme mbi krye, kishin ulë sytë përdhé e s’po ndiheshin gjallë. Nji paqe vorresh. Qëndrim, që Ridvani e lexoi me gëzim e ndjesi ngadhnjimi, si refuzim të hollë e të squet të udhëzimit zyrtar. Dhe u ndje krenar pse ai, si edhe ato, ishte pinjoll i fisit Kelmend, por të davaritun prej dorës së egër të fatit deri te këto laguna pranë detit. Ata i kishte pru këtu furia malazeze për të rrallue kensat shqiptarë në mbretninë e tyne minuke, kurse të paditunin Ridvan nji utopi. Por këtyne dy hetuesve jugorë nuk u kishte shkue mendja se të dy palët kishin nji kërthizë që i mbante lidhë dhe që i ushqente me të njejtin gjak e limfë. /Memorie.al

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here