Rrëfimi i Fatmir Xhafajt: Çfarë po ndodh në PS, “lufta e bërrylave”, rruga për mandatin e tretë dhe ku u gabua me Komisionin “Meta”

0
339

Deputeti socialist Fatmir Xhafaj, ka bërë një “skaner” të thelluar për të gjitha zhvillimet që pritet të shoqërojnë aktualitetin politik në vend, duke u ndalur specifikisht te disa nga pikat më të nxehta që gjenden në tryezat respektive të partive kryesore në vend.

Duke analizuar sulmet e jashtme dhe të brendshme, arritjet dhe sfidat, dështimet dhe triumfet, retorikat e njohura dhe të panjohura, ligjvënësi hedh dritë mbi “arenën” politike në vend ku veç të tjerash zbardh edhe gjykimin e tij lidhur me qëndrimet e strukturave të Partisë Socialiste.

Në një intervistë ekskluzive për gazetën “TemA”, ndër të tjera Xhafaj sjell edhe të gjitha arsyet që sipas tij do ta çojnë Partinë Socialiste dhe kryeministrin Edi Rama drejt mandatit të tretë qeverisës.

Pranvera dhe vera lanë shumë çështje në pikëpyetje dhe natyrisht vjeshta pritet të jetë një stinë e nxehtë politike me ulje-ngritje. Një nga pikat më të nxehta është edhe debati mazhorancë-opozitë rreth reflektimit të ndryshimeve kushtetuese në Kodin Zgjedhor. Si politikan me përvojë, si e shihni rrugëzgjidhjen?

Reforma zgjedhore ishte dhe mbetet një domosdoshmëri jetike për të ardhmen e demokracisë në vendin tonë, ndaj çdo hap pozitiv në këtë aspekt duhet përshëndetur. Në thelb i gjithë procesi rezultoi një dështim i kampit jashtë parlamentit i cili ca nga mungesa e përgjegjshmërisë dhe ca nga padituria politike, dështoi të prezantojë një qasje reformuese dhe një proces transparent e gjithëpërfshirës. Fatkeqësisht nuk arriti të reflektonte në amendamente ligjore shumë nga akuzat e kritikat e pafund lidhur me proceset elektorale që i përdori si alibi për daljen nga sistemi.

Madje për habi, ndryshe nga ata, opozita aktuale parlamentare me gjithë resurset e kufizuara në radhët e saj, arriti të imponohej duke hapur një debat të gjerë publik duke sjellë disa risi interesante lidhur me ligjin zgjedhor. Jeni të lirë
mos e besoni, por shpesh një mendim i çuditshëm më përshkonte kur shihja qasjen e opozitës jashtëparlamentare në këtë debat, se mbase do ishte më mirë për opozitën e vendit që Myslim Murrizi të kishte qenë ne vend të Lul Bashës. Së paku do të dëgjonim një njeri që di çfarë dhe si e kërkon një gjë duke i qëndruar koherent bindjeve të veta.

Gjithsesi tashmë kemi disa ndryshime të ligjit zgjedhor të gjithëpranuara nga palët konkuruese në garën
e ardhshme elektorale…

Personalisht mendoj se problem nuk ka qenë dhe nuk është ligji zgjedhor pasi kurrë nuk mund të ketë një ligj perfekt. Ajo që çalon së tepërmi është qasja e partive politike ndaj procesit, sjellja e lidershipit lidhur me administrimin e procesit, dhe kryesorja me rezultatin elektoral. Arsyeja pse ne prezantojmë ndërkombëtarisht prej vitesh një model turpërues në këtë aspekt edhe me fqinjët tanë ballkanas, maqedonas apo malazez, duhet kërkuar pikërisht te niveli i demokratizimit të partive politike dhe përgjegjshmëria qytetare e lidershipit politik, por edhe në cilësinë e administrimit të proceseve zgjedhore.

Para disa ditës u zhvillua një mbledhje e Grupit Parlamentar socialist ku pati një seancë të mbyllur dhe një seancë publike ku kryeministri mbajti një fjalë publike. A mund të kemi një informacion më shumë nga çfarë u tha në atë mbledhje?

Grupi parlamentar është motori i aktivitetit politik të një force politike të madhe si PS. Kemi një grup parlamentar që meriton respekt, me kolege/ë të përgjegjshëm dhe të përkushtuar. Ka një shumicë në atë grup që nuk e kanë protagonizmin mediatik, por janë modele të përfaqësimit të zonave dhe komuniteteve nga vijnë. Vlerësoj shumë prej tyre për integritetin dhe profesionalizmin e shfaqur, dëshirën dhe pasionin që kanë dëshmuar për të bërë gjëra të mira në procesin ligjbërës. Ishte një mbledhje pune kryesisht e natyrës organizative, në prag të fillimit të sesionit të ri parlamentar, por edhe në nisje të procesit përgatitor për fushatën e ardhshme zgjedhore.

U prezantua një bilanc mbi disa detyra të lëna në mbyllje të sesionit të kaluar dhe u dhanë disa mesazhe e detyra konkrete për muajin shtator e kryesisht për përfaqësimin politik në territor. Ndërhyrja e kryeministrit në mbledhjen me dyer të mbyllura ishte me këtë fokus dhe me theks të fortë nevojën për një komunikim më të mirë me socialistët, por edhe me zgjedhësit në territor.

Si e vlerësoni fjalën e kryeministrit Edi Rama dhe sidomos pjesën lidhur me përzgjedhjen e deputetëve të ardhshëm?

Fjalimi i tij ishte në përputhje të plotë me momentin politik ku gjendemi, si dhe me qëllimin për të cilin adresohej, forcës politike që drejton dhe posaçërisht ekipit kyç politik, grupit parlamentar. Të tjerat pastaj janë spekulime. Bie dakord me z.Rama lidhur me nevojën për një proces të hapur konsultimi, vlerësimi dhe përzgjedhjeje të kandidatëve për deputet. Kjo më bën të ndjehem mirë edhe si propozues i disa normave statutore në statutin e PS të miratuar nga Kongresi i vitit 2016 në të cilin futëm për herë të parë rregulla për parimet, integritetin dhe standardet në përzgjedhjen e kandidatëve si dhe detyrimin për miratimin e procedurave lidhur me zhvillimin e procesit të përzgjedhjes apo konsultimit publik rreth tyre.  Kjo edhe si një reflektim i shëndetshëm ndaj disa gabimeve të bëra në zgjedhjet e mëparshme. I kam ende në kujtesë nënqeshjet e disa individëve që shoqëronin debatet tona për këto ndryshime, por ja që koha me peshoren e saj të pagabueshme na dha të drejtë. Është pozitive që megjithë ndryshimet e bëra në Kongresin e PS të këtij viti për “lehtësimin” e statutit ato norma nuk u prekën. Ne jemi e para dhe e vetmja parti që i kemi të sanksionuara në statut këto standarde dhe praktika të shëndetshme. Kjo është Partia Socialiste e Shqipërisë.

Asambleja Kombëtare e Partisë Socialiste që pritet të zhvillohet online, përflitet se do të ketë zhvillime
të reja politike. Për ju si anëtar i vjetër dhe anëtar kryesie, a ka diçka që ju shqetëson rreth saj apo që mendoni se duhet të jenë ndryshe?

Pas Kongresit kjo është një asamble e pritshme, madje e vonuar objektivisht për shkak të situatës së pandemisë. Në kontekstin aktual politik, në përmbyllje të mandatit të dytë të PS në qeverisje dhe në përgatitje të procesit të ardhshëm elektoral, kjo nuk është dhe nuk duhet të jetë një asamble e zakonshme. Jam i sigurt se përgjegjësinë e këtij momenti e vlerësojnë me shumë përgjegjshmëri e seriozitet shumë njerëz në radhët e asamblesë dhe Grupit Parlamentar socialist, dhe veçanërisht kryetari i PS dhe kryeministri i vendit që synon një mandat të tretë. Besoj se kjo gjë do të shprehet qartë në mesazhet dhe vendimmarrjet e pritshme të këtij forumi të rëndësishëm politik.

Në këtë kontekst, kjo asamble do të duhet të shtrojë bazamentin për përgatitjen e programit të ardhshëm politik të PS bazuar në një analizë të thellë të dy mandateve me përgjegjësinë e madhe të angazhimit për një mandat të tretë, dhe kryesorja ekipin me të cilin do të motivojë dhe angazhojë zgjedhësit vitin e ardhshëm. Një sfidë e vështirë, por plotësisht e mundshme. Natyra e njerëzve dhe e vetë zgjedhësve është e ndryshueshme, pasi është shumë e lehtë t’i bindësh për diçka, por ama është shumë e vështirë t’i mbash në këtë besim nëse nuk ju provon fort aftësinë dhe qartësinë për t’ju shërbyer interesave të tyre dhe për t’ju përmbajtur premtimeve të bëra.

Nisur nga disa lajme të shpërndara është përfolur se do të ketë ndryshime të mëdha në radhët e kryesisë për shkak të ndryshimeve që do të bëjë kryetari Edi Rama duke u parashtruar arsye të ndryshme si: Për shkak të kundërshtive, rifreskim të emrave apo ndryshime strategjike në prag të zgjedhjeve. Cili është gjykimi juaj?

Edi Rama është kryetar i Partisë Socialiste dhe statuti aktual i njeh të drejtën të propozojë ekipin politik. Kjo është e drejtë dhe përgjegjësi e tij statutore, por njëherësh është edhe një zgjedhje publike politike që i nënshtrohet gjykimit të opinionit publik, socialistëve, por edhe vlerësimit zgjedhësve në përballjen elektorale me ta. Kushdo qofshin zgjedhjet e tij dhe vendimmarrja e lirë e anëtarëve të asamblesë, secili duhet të vijojë ta japë kontributin po njësoj duke i qëndruar besnik parimit se busull orientimi për një politikan është në radhë të parë zëri dhe besimi i qytetarëve dhe pastaj karrigia.

…çfarë doni të thoni me këtë të fundit?

Ka politikanë që mbase e kanë alergji këtë parim dhe shpesh herë zërin dhe interesat e qytetarëve i ngatërrojnë dëshpërimisht me atë të interesave personale. I gjeni djathtas dhe i gjeni majtas, kjo besoj se nuk është ndonjë e re që po ju habit. Fjala e një politikani dëgjohet edhe për shkak të bukurisë së tingëllimit të fjalës apo edhe për shkak të karriges ku është ulur, por ama peshohet dhe respektohet për forcën, argumentet dhe kryesorja për vërtetësinë që mbart. Emri edhe mund të të njihet për shkak të karriges, por vlerësohet nga integriteti që shfaq. Emri dhe respekti për të nuk lobohet, dhe jo më të blihet me para apo me pushtetin e pozicionit ku ulesh.

…po sa i përket lakimit të emrit tuaj në media për zëvendësimin si anëtar kryesie?

Mendoj se nuk duhet t’i përfshijmë në rëndësinë e kësaj bisede këto që shkruhen apo përcillen nëpër disa portale, dhe sidomos mënyra neveritëse se si shiten për publikun. Nuk do mend që bëhen nga individë të cilët për t’i njohur se çfarë përfaqësojnë, mjafton t’i shohësh strukturën e karrierës së zhvilluar përmes servilizmit, lobimeve apo brrylave ndaj kolegëve, çka nuk ka qenë dhe nuk do të jetë kurrë në sjelljen dhe qasjen time brenda një ekipi politik. Kjo e artikujve apo emisioneve të porositur ndaj meje është një teknologji politike e përsëritur të cilën e kam provuar shpesh këto vitet e fundit dhe meqenëse tashmë e di kush qëndron pas tyre, e vetmja gjë që më “shqetëson” është fakti se po lodhen shumë duke premtuar apo paguar.

Partia Socialiste synon mandatin e tretë qeverisës, sipas jush cilat janë shanset reale për të arritur këtë
objektiv? A e meriton kjo forcë politike dhe kryeministri Edi Rama votëbesimin e qytetarëve?

Jam absolutisht i bindur se Partia Socialiste dhe Edi Rama si kryetar i kësaj force politike, duhet votëbesuar për një mandat të tretë qeverisës. Jo për rekord elektoral dhe as pse përballë ka një gjysmëalternativë që i kanë thënë që do luash rolin e kundërshtarit të ri për ca vjet se mjafton të zësh radhë pasi pushteti një ditë edhe vjen. Këto vërtetë janë arsye favorizuese në një betejë elektorale, por jo përcaktuese për besueshmërinë e zgjedhësve. Kryesorja është se çfarë përfaqëson vetë Partia Socialiste, ekipi politik, lidershipi i saj dhe se si i përgjigjet nevojave të zhvillimit të vendit dhe interesave të pritshme qytetarëve. 

Ta themi më qartë. Ne do të kërkojmë një mandat të tretë ose më saktë do të kërkojmë një mandat të ri besimi jo se kemi bërë ndonjë heroizëm, por sepse jemi përpjekur fort të bëjmë detyrat siç duhet. Pra do ju kërkojmë shqiptarëve të na besojnë për t’i qeverisur edhe për një 4 vjeçar tjetër. Këtë nuk mund ta bëjmë duke ju thënë se “ne” jemi më të mirë se “ata” se kjo është qartazi e dallueshme dhe të mësuar tashmë me këtë realitet, për njerëzit kjo nuk është e mjaftueshme. Nëse mbetemi deri këtu kjo do të sillte një abstenim te heshtur të ndjeshëm ditën e votimit. Ndaj është e rëndësishme qasja që do të zgjedhim përball zgjedhësve në këtë konkurrim elektoral. PS në 2021 nuk e ka betejën me PD tashmë me një program dhe ekip edhe më të vjetër se 4 vjet më parë dhe aleatët e saj të lodhur, por me vetveten, me pritshmëritë e larta të qytetarëve ndaj nesh.

…por si?

Në gjykimin tim kjo kërkon si domosdoshmëri reflektim në të dyja anët e medaljes, ku në njërën anë qëndrojnë reformat dhe punët shumë të mira të bëra në këto vite qeverisjeje dhe në anën tjetër forca për të reflektuar edhe mbi gabimet e bëra. Kërkohet gjithashtu qartësi në prioritetet kyçe që do duhet të motivojnë një mbështetje të re popullore. Mandati i tretë mund të konsiderohet edhe mandat i besimit qytetar ndaj nesh për përmbylljen e ciklit të konsolidimit të reformave në proces. Natyrisht që pas dy mandatesh është e lehtë për zgjedhësit që të të vlerësojnë, të të besojnë ose jo për vërtetësinë e fjalës, për peshën e premtimeve të mbajtura dhe kryesorja për integritetin e njerëzve që kanë administruar pushtetin dhe taksat e besuara prej tyre. Ndaj ndër të tjera duhet një reflektim i fortë për të ndërtuar dhe prezantuar një ekip me integritet, kohezion dhe gjithëpërfshirje, një ekip me njerëz pa konflikt interesi me ndershmërinë dhe vlerat që PS përfaqëson, mbron dhe zhvillon, me vetë programin e saj politik e qeverisës.

Cilat do të ishin prioritetet që duhet të jenë pjesë e një pakete elektorale sipas jush që mund të sillte një
mandat të tretë?

Para së gjithash është e domosdoshme një analizë e qetë dhe e thelluar. Mbi këtë bazë lipset një program i qartë, i thjeshtë dhe konkret për një mandat të ri që të synojë thellimin e reformave të ndërmarra, garancinë e zbatimit të tyre dhe kryesorja një qasje të re ndaj pritshmërive të qytetarëve për një jetë më të mirë.

Në këndvështrimin tim fushat kyçe ku do duhej të fokusohej ky program mund të ishin:

1.Konsolidimi i reformave të filluara apo në proces zbatimi të nisura përgjatë këtyre dy mandateve. Është në interes të së ardhmes së vendit që të mbyllet suksesshëm ky cikël reformash shtet-formuese. Njerëzit shpresojnë dhe duhet të marrin garanci se ato do të shkojnë deri në fund. Ndaj mendoj se prioritet për një mandate të tretë duhet konsideruar konsolidimi i reformave në drejtësi, siguri, shëndetësi, arsim dhe teknologji, me theks të veçantë rininë.

2. Padyshim pjesë e rëndësishme e këtij projekti edhe në përgjegjësinë e vazhdimësisë është edhe aftësia e përgjegjshmëria që qeveria socialiste po dëshmon për të përballuar me sukses fatkeqësi të mëdha natyrore si tërmeti dhe pandemia. Një mandat i tretë në këtë moment për vazhdimin e qeverisjes nga PS është një garanci më shumë për vazhdimin e këtij projekti të madh e me rëndësi për jetën dhe sigurinë e shëndetit të qytetarëve.

3. Lufta kundër korrupsionit duhet të konsiderohet prioritet madhor. Edhe pse është bërë shumë në këtë aspekt, personalisht korrupsionin e konsideroj gangrenën më të madhe në këtë vend i cili duhet të vazhdojë jo thjesht të mjekohet, por të operohet thellësisht pasi në të kundërt na rrëzon në shtratin e vdekjes institucionale. Është koha që me ngritjen e institucioneve të reja të drejtësisë të bëhet një hap cilësor veprimi në goditjen dhe ndëshkimin e këtij fenomeni. Ky është momenti për t’u distancuar nga njerëz të korruptuar që shpesh perceptohen jo pa të drejtë si të tillë dhe që i kanë dhënë dhe po i japin një kosto të madhe Partisë Socialiste gjatë qeverisjes së saj. Janë bërë hapa përpara përmes një sërë reformash në këtë fushë dhe kryesisht në shërbimet ndaj qytetarëve, por fenomeni është prezent, i shtrirë dhe kryesorja veprues.

Socialistët e ndershëm, qytetarët e këtij vendi që na mbështesin prej dy mandatesh, presin të shohin një qasje shumë më aktive me shembuj konkret në këtë fushë të shoqëruar me ndëshkimin e ashpër politik, administrativ dhe penal ndaj tyre. Besoj fort se ky është kyçi për të siguruar besimin për një mandat të tretë qeverisës. Ka shumë njerëz që janë skeptik për një gjë të tillë, por personalisht besoj fort se PS i ka mundësitë ta bëjë këtë hap të guximshëm. Ndoshta është dhe shansi i vetëm gjykuar nga faktorët dhe aktorët aktualë në tregun politik shqiptar. PS është aktualisht e vetmja forcë politike që ka vizionin, aftësit, përgjegjshmërinë dhe ka brenda saj njerëzit e ndershëm për tu përballur me këtë sfidë, që do ta konsolidonte atë realisht dhe për një kohë të gjatë si parti e shpresës, si forcë e madhe reformatore dhe përfaqësuese reale e interesave të qytetarëve.

4.Ekonomia padyshim mbetet prioriteti kyç për të garantuar besimin e qytetarëve shqiptarë. Krijimi i mundësive konkrete për rritjen e hapësirave për punësimin e njerëzve dhe veçanërisht të të rinjve, mbetet prioritet parësor për zgjidhje. Ashtu sikundër e tillë duhet konsideruar edhe mbështetja e fortë ndaj biznesit të vogël dhe të mesëm me politika favorizuese, në vazhdim të hapave të konsiderueshëm këto vite në këtë fushë. Kryesorja është hapja e ligjeve dhe praktikave që garantojnë konkurencën e lirë në treg si prioritet për të bërë ndryshimet e domosdoshme në mënyrë që ekonomia jonë të bëhet shpresëdhënëse për të gjithë përmes frymës konkuruese dhe garës reale në treg, hapësirës për investime të reja me theks investimet e huaja dhe zhvillimet e reja teknologjike që ofrojnë vende pune
afatgjata, veçanërisht për të rinjtë.

5. Rinia duhet të jetë fokusi kryesor i një mandati të tretë për PS. Ajo çfarë shohim në këtë aspekt në mënyrën se si disa parti janë duke e përdorur këtë çështje dhe vet të rinjtë është turpëruese për ne sot dhe e dëmshme për gjeneratat e ardhshme. PS mund dhe duhet të prezantojë një program të dedikuar për rininë me një qasje të re shumë më proaktive dhe më ambicioze me angazhime konkrete për arsimimin, rritjen e shëndetshme, krijimin e familjeve të qëndrueshme, punësimin, incentivimin e përfshirjes në biznes dhe aftësimin e tyre me sfidat e reja të zhvillimit bashkëkohor me fokus për t’ju dhënë motiv e besim për të jetuar dhe kontribuar për vendin e tyre, por edhe për thithjen e “trurit” të të rinjve e të rejave të arsimuar jashtë dhe që duan të kontribuojnë për vendin. 

PS ka përgjegjësinë, por edhe vizionin e kapacitetet ta prezantojë një program të tillë të fokusuar te gjenerata e ardhshme edhe sepse ky ka qenë edhe fokusi i reformave të nisura në këto vite për një qeverisje më të mirë, për një Shqipëri shumë më të drejtë dhe të begatë për brezat e ardhshëm.

Partia Socialiste i ka kapacitetet për ta konceptuar dhe prezantuar një program të ri qeverisës ambicioz duke hapur një debat të ri me qytetarët për Shqipërinë e viteve të ardhshme. Në këtë debat të dëgjohen realisht ekspertë dhe profesionistë të fushave respektive e kryesisht ata me kontribute jashtë makinerisë shtetërore por edhe grupe të interesit, përfaqësuese të komuniteteve të caktuara.

Në krahun tjetër politik qëndron Lulzim Basha dhe aleatët të cilët pretendojnë se vitin tjetër do të vijnë
në pushtet. A mos mendoni se po “çalon” diku qeveria “Rama” duke kuotuar opozitën?

Mendoj se është krejt e kundërta pasi me mungesën e vizionit, me papërgjegjshmërinë e shfaqur dhe me lidershpin që ka humbur si “Liza në botën e çudirave”, opozita e ka favorizuar akoma më shumë qeverinë “Rama” për një mandat të tretë qeverisës. “Bachelori” për gjumë që ndoqi në Bashkinë e Tiranës dhe “Masteri” për ëndrra që po ndjek në “selinë blu”, veçsa e kanë ndihmuar lidershipin e PS të mos e marrë aq seriozisht Lulin e PD-së.

Dhe me të drejtë, si mund t’i jepet mundësia të jetë kryeministër një njeriu që ka rreth 15 vite aktive në politikë, ka qenë disa herë ministër e kryetar bashkie dhe nuk mund t’i gjesh një reformë, një ligj apo një punë që lidhet me vizionin dhe përgjegjësinë e tij individuale? Si mund t’i japin mundësinë të qeverisë jetët tona një njeriu që partinë e dytë politike në vend me një histori të gjatë qeverisjeje, e damkosi me daljen nga parlamenti dhe me bojkotin e
zgjedhjeve vendore duke e nxjerrë jashtë sistemit në dhunim të institucioneve.

Si mund t’i japin besim dhe të kenë pritshmëri qytetarët për një vend më të drejtë, kur ky njeri e kundërvuri PD-në ndaj reformës në drejtësi, aq të kërkuar nga qytetarët e këtij vendi dhe të mbështetur aq fort nga partnerët tanë ndërkombëtar? Si mund t’i japësh besim të mbrojë jetën e shqiptarëve, të respektojë e mbrojë liritë e tyre një njeriu si “Lulzimi i tharë pa çelur” që shpifjen dhe keqpërdorimin e institucioneve të shtetit e ka pjesë të formimit dhe sjelljes së tij?

Si mund t’i japësh besimin të menaxhoj takstat e shqiptarëve dhe të luftojë korrupsionin në këtë vend një njeriu si ky që nuk ka minimumin e transparencës publike për aferat korruptive që akuzohet prej vitesh, por dhe jetën e luksit që bën? Si mund t’i japësh mundësinë për t’ju kthyer shpresën të rinjve shqiptarë të jetojnë në këtë vend një njeriu që edhe familjes së tij i ka hequr nënshtetësinë shqiptare dhe e mban edhe të vetën vetëm se ligji i atjeshëm nuk e lejon që të jetë edhe shqiptar edhe holandez njëkohësisht? E thënë gjithë kjo, kam bindje se zgjedhësit shqiptarë janë të mençur dhe do të dinë ta drejtojnë votën e tyre atje ku duhet.

Ndërkohë, në anën tjetër ju kujtoj se kemi presidentin Meta i cili me retorikat e tij politike pretendon se
është “gardian” i kushtetutës. Si i keni përcjellë deklaratat publike të tij?

Do përpiqem të gjykoj ftohtë mbi atë çfarë unë mendoj personalisht për z.Meta në funksionin e presidentit dhe i çliruar nga emocionet që më shtyjnë disa angazhime që Ilir Meta ka ndërmarrë personalisht ndaj meje dhe familjes sime, vetë apo përmes përdorimit të disa shpirtshiturve të cilët i shfrytëzon si kamikazë të fjalës për të goditur këdo që i del ballë për ballë qëndrimeve të tij. Kushtetuta jo vetëm që nuk e njeh rolin e presidentit si garant të saj, por vetë z.Meta është në konflikt të hapur me të. Kushtetuta në germë dhe në frymë e sheh presidentin e Republikës si përfaqësues të unitetit të popullit dhe jo si partizan i një pjese kundër një pjese tjetër, dhe akoma më keq institucionin e Presidencës si qendër të luftës opozitare partiake. Kjo është e papranueshme dhe në shkelje të hapur të kushtetutës. Z.Meta është një politikan i vjetër dhe me shumë përvoja institucionale në këtë vend, por fatkeqësisht ai humbi përsëri shansin e madh që asnjë politikani tjetër nuk i është dhënë si atij në këtë vend, për të demonstruar maturi dhe përgjegjshmëri politike dhe institucionale në ushtrimin e funksionit të tij brenda kornizës kushtetuese.

Pavarësisht këtyre që ju thoni, duket se mazhoranca sërish e ka një “flirt” me presidentin dhe këtu
mjafton t’ju kujtoj komisionin hetimor ku përkundër zotimeve, Z.Meta i shpëtoi shkarkimit… Pse duhet
të besojmë kritikat tuaja ndaj tij?

Personalisht jam i prirur të mos e besoj këtë hipotezë. Deklaratat për “flirte” janë tipike për një grup individësh të cilët konspiracione të tilla i shfrytëzojnë si ushqim politik dhe mediatik. Gjithashtu unë nuk jam absolutisht në rolin e kritizerit në këto vlerësime. Po i përgjigjem pyetjeve tuaja sipas bindjes që kam, në mënyrë etike në respekt të institucioneve të shtetit, por edhe të kushtetutës së vendit tim. Ju dhe kushdo tjetër jeni i lirë të keni vlerësimet tuaja. Personalisht kam abstenuar në votimin lidhur me vendimin për miratimin e raportit përfundimtar të Komisionit Hetimor për presidentin. Në vlerësimin tim, Komisioni Hetimor nuk duhej të ngrihej fare. Kjo jo se nuk kishte shkaqe për një gjykim të tillë, por sepse me një analizë ligjore të thjeshtë ishte gati i pamundur shkarkimi i Presidentit. Koha e provoi një gjë të tillë dhe përfundimi i tij në atë mënyrë ishte një gjë e gabuar pasi nga një komision i rëndësishëm hetimor përfundoi në një komision këshillimor.

…. por cila do të ishte qasja ligjore dhe institucionale në këtë rast?

Me keqardhje kam konstatuar se ndër përfundimet e arritura nga ai komision është edhe “angazhimi” për të bërë një ligj për institucionin e Presidentit të Republikës, ndërkohë që një draft projektligji është aty, i dorëzuar qysh në vitin 2017 kur u përmbyll veprimtaria e komisionit të posaçëm parlamentar si pjesë përbërëse e gjithë paketës së projektligjeve të reformës në drejtësi. Ndoshta gjërat mund të ishin po njëlloj edhe pa këtë Komision Hetimor dhe nuk e ve në dyshim kur shoh qëllimet apo qasjen e z.Meta në karrigen e Presidentit. Por në vlerësimin tim disa gjëra si p.sh raporti i fundit i Komisionit të Venecias apo efiçenca e veprimtarisë së KED, etj, mund të ishin mjaft ndryshe pa këtë Komision. U konsumuan energji politike dhe institucionale për një motiv të justifikuar, por të pamundshëm ligjërisht dhe procedurialisht për t’u realizuar. Nën gjykimin tim, për të treguar se cili është Ilir Meta në rolin e presidentit në të vërtetë, nuk duhej shpenzuar gjithë kjo energji. Ishte një betejë që nuk duhej dhe nuk fitoi askush përveç disa portaleve, kalemxhinjve, konspiracionistëve apo disa biznesmenëve që menaxhojnë pjesë të hallvës politike shqiptare. Dhe për ta thjeshtuar më shumë atë që dua të them, po huazoj një shprehje nga ish Presidenti francez Georges Pompidou i cili thoshte se: “Një burrështetas është një politikan që e vë veten në shërbim të kombit, ndërsa një politikan është një shtetar që e vë kombin në shërbim të vetes!”

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here