Prokuroria e Elbasanit, ka marrë në mbrojtje, njërin nga autorët e vrasjes me thikë të Regis Runajt, në 29 korrik 2020, në dalje të Elbasanit. Bëhet fjalë për personin e arrestuar, me iniciale E.H., i cili ka vendosur të bashkëpunojë me drejtësinë duke treguar gjithçka mbi vrasjen e Regis Runajt. Sipas burimeve, referuar dëshmisë së tij, mësohet se i penduar ka pranuar autorësinë e krimit të kryer, teksa gjithashtu ka pohuar se viktimën Regis Runaj, e kishte shok dhe vrasjen e ka kryer për llogari të Xhuljano Hoxhës. Ndërsa, ky i fundit e ka paguar me një sasi të konsiderueshme euro dhe më pas, ka qenë E.H, ai që filluar të planifikojë vrasjen e mikut të tij Regis Runaj. Runaj dhe Halili, mësohet të kenë konsumuar së bashku një sasi kokaine dhe mandej janë nisur në drejtim të varrezave të qytetit, me një motor. Sipas dëshmisë së E.H, Runaj është qëlluar 27 herë me thikë.
Detaje nga ngjarja
Mbrëmja e 29 korrikut ka qenë tronditëse për qytetin e Elbasanit dhe mbarë opinionin publik, pasi Regis Runaj, miku i ngushtë i Emiljano Ramazanit, është gjetur i vdekur pranë varrezave në lagjen “Emin Matraxhiu” në Elbasan. Sipas burimeve, ekzekutimi i 23-vjeçarit është bërë me mjete të mprehta ndërkohë që më pas rreth orës 22:10 policia ka gjetur trupin e pajetë të tij. Referuar dëshmisë së njërit prej të arrestuarve E.H është zbardhur gjithë dinamika e ngjarjes tëksa ky i fundit ka pranuar të bashkëpunojë dhe të tregojë gjithçka, vetëm që në fund të dënimit të ishte i favorizuar nga drejtësia. Sipas dëshmisë së tij, mësohet se organizator i vrasjes së Runaj është Xhuljano Hoxha dhe se armën e krimit thikë, e kishte hedhur në lumin “Shkumbin”. Sipas tij, vrasja është kryer për qëllime përfitimi, pasi Hoxha i kishte premtuar se në këmbim të një shume financiare, të vriste Regis Runajn. Në vijim të dinamikës së ngjarjes, E.H., fillimisht mësohet të ketë qëlluar mikun e tij me thikë, teksa ishin të dy duke lëvizur me motor, duke e goditur nga prapa. Pasi Runaj është qëlluar pa pushim me thikë teksa drejtonte motorin, të dy janë rrëzuar ndërsa E.H, ka vijuar ta qëllojë me thikë, derisa Runaj ka humbur jetën. Sipas dëshmisë së E.H, Runaj është qëlluar 27 herë me thikë. Pas vrasjes autori E.H, është larguar me motorin që drejtonte viktima, mjet nga i cili u zbardh e gjithë ngjarja. Pas vrasjes makabër të Regis Runajt, policia ka mundur të sekuestrojë në vendin e ngjarjes motorin, gjatë kontrolleve në banesat e personave të dyshuar. Nga hetimet e kryera është zbuluar se, në këtë motor, janë gjetur gjurmë gjaku të viktimës Regis Runaj dhe një gjurmë gishti të E.H. Më pas ky i fundit mësohet të jetë shoqëruar në polici dhe është njohur me provat e policisë, të cilat implikonin në vrasje E.H. Në vendngjarje, policia gjeti dhe sekuestroi 72 metra larg nga trupi i viktimës një çantë brezi me rrip, në ngjyrë të zezë, me zinxhirë e dëmtuar, tre aparate telefonash celularë, dy të markës “Iphone” dhe një me markë të papërcaktuar, një portofol ngjyrë e zezë, një kartë identiteti në emër të Regis Runajt, një leje drejtimi automjeti, në emër të viktimës, një paketë cigaresh “Slims”, dy kartëmonedha 200 lek dhe 1000 lek, një çelës, një çakmak me gaz, një libër të vogël me përmbajtje fetare, një karikues makine, një faturë ngjyrë e verdhë dhe një kontratë për qira-mjeti në emër të viktimës Regis Runaj. Ky i fundit, njihej nga policia si konsumator droge dhe kishte njohje me Emiljano Ramazanin, i cili mbeti i vrarë me 5 plumba një javë para se të ekzekutohej Runaj.








































