Akti Normativ i qeverisë, ja çështjet gjyqësore që do të lejohen të zhvillohen, zbardhen detyrat për gjykatat

0
345

Me anë të një akti normativ të publikuar në Fletoren Zyrtare, qeveria ka vendosur që seancat gjyqësore në çështjet administrative, civile dhe penale, të planifikuara pranë të gjitha gjykatave shtyhen deri në përfundimin e gjendjes së epidemisë së shkaktuar nga përhapja e COVID-19. Akti Normativ parashikon që seancat gjyqësore në çështjet administrative, civile dhe penale, të planifikuara pranë të gjitha gjykatave, shtyhen deri në përfundimin e gjendjes së epidemisë së shkaktuar nga përhapja e COVID-19.

Por sipas aktit normativ janë disa çështje gjyqësore që do të lejohen të zhvillohen. Në këtë mënyrë mund të lejohet zhvillimi i çështjeve administrative, me objekt gjykimin e masave të sigurimit të padisë. Gjithashtu do të zhvillohen edhe seancat në çështjet familjare për kujdesin detyrimet dhe respektimin e të drejtave të të miturve, kujdestarinë dhe birësimin, masat mbrojtëse ndaj dhunës në familje dhe ushtrimin e përgjegjësisë prindërore. Ndërsa përsa i përket çështjeve penale do të zhvillohen proceset për caktimin e masës së sigurisë.

Akti Normativ për marrjen e masave të veçanta në fushën e veprimtarisë gjyqësore, gjatë kohëzgjatjes së epidemisë së shkaktuar nga COVID-19 përcakton rregulla të veçanta për zhvillimin e veprimtarisë gjyqësore dhe të prokurorisë gjatë kësaj periudhe. Gjatë kohëzgjatjes së gjendjes së epidemisë të shkaktuar nga përhapja e COVID-19 dhe me synimin për të kufizuar efektet negative në veprimtarinë gjyqësore, këshillat si dhe organet e administrimit gjyqësor të çdo gjykate, sipas kompetencave të tyre të përcaktuara me ligj dhe në funksion të zbatimit të rregullave nënligjore të nxjerra nga organet përgjegjëse, miratojnë masa organizative specifike për zhvillimin e proceseve gjyqësore, të nevojshme për të shmangur grumbullimet në ambientet e gjykatave dhe brenda sallave gjyqësore, si dhe kontaktet e ngushta ndërmjet individëve.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here