Rreth 33 gjyqtarë dhe prokurorë pritet të kenë fatin e ish-Prokurorit të Përgjithshëm, Adriatik Llalla. Prokuroria dërgoi pak ditë më parë në gjykatë dosjen kundër ish-kryeprokurorit Llalla, ndërkohë që gazeta ka mësuar se kanë nisur hetimet edhe për disa gjyqtarë dhe prokurorë, të cilët janë dorëhequr në minutat e fundit. Zoti Llalla ishte i pari që u dorëhoq nga sistemi i drejtësisë sapo u njoh me aktet e vetingut, ndërsa ky precedent duket se është ndjekur edhe nga 33 prokurorë dhe gjyqtarë, në mënyrë që t’i shpëtojnë shkarkimit dhe sekuestrimit të pasurisë. Pra, precedenti “Llalla” duke se po përdoret si strategji për të shpëtuar të zhyturit në afera. Kjo pasi sipas ligjit, sapo një gjyqtar dhe prokuror paraqet dorëheqjen para Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe Këshillit të Lartë Gjyqësor, ajo merret në konsideratë dhe vihet në dijeni Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, i cili ndërpret procesin e vetingut për ta.
33 gjyqtarë dhe prokurorë rrezikojnë hetimin
Por duket se 33 gjyqtarët dhe prokurorët që kanë dhënë dorëheqjen nga sistemi sapo janë njohur me aktet e KPK, pritet që të mos ia hedhin paq, pasi rrezikojnë hetimin dhe sekuestrimin e pasurisë. Gazeta ka mësuar se prokuroria ka nisur hetimin për disa prej tyre, ndërkohë që mësohet se si prova për të fundosur të larguarit, ka dosjet që Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka kopsitur pas hetimeve të kryera për ta. Edhe pse institucioni i akuzës është tejet i rezervuar dhe diskret sa i takon kësaj çështje, sipas informacioneve mësohet se një nga arsyet se përse kjo gjë po mbahet e fshehtë është fakti që kjo lëvizje të mos ndikojë tek ata prokurorë dhe gjyqtarë që nuk kanë dalë ende para organeve të vetingut. Pra, kjo do të thotë se disa prej subjekteve të përjashtuar nga sistemi i drejtësisë, pritet të kenë të njëjtin fat si ish-Kryeprokurori Adriatik Llalla, edhe pse prokuroritë janë mjaft të rezervuara për rastet se kur akuza ka kërkuar materiale mbi konkluzionet e vetingut. Thënë ndryshe, 33 gjyqtarë dhe prokurorë rrezikojnë hetimin dhe sekuestrimin e pasurisë, kjo edhe për faktin se këtë gjë e ka paralajmëruar edhe kryeministri Edi Rama, si dhe është një kërkesë konkrete e Bundestagut gjerman. Megjithatë, mbetët për t’u parë në ditët në vijim se çfarë do të ndodhë më konkretisht.
Ja si i shpëtuan vetingut me dorëheqje
Gazeta e ka deklaruar dhe publikuar edhe më parë mënyrën se si gjyqtarët dhe prokurorët i kanë shpëtuar vetingut përmes dorëheqjeve. Sipas ligjit, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit gjatë procesit të vetingut shkëmben korrespodenca me gjyqtarët dhe prokurorët që janë duke hetuar nga komisioni, ku në disa raste që ka paqartësi, kërkon nga ta informacione shtesë. Por, duke qenë se këto korrespodenca tregojnë qartë se diçka nuk shkon dhe se deklarimet e gjyqtarëve dhe prokurorëve nuk përputhen me gjetjet e ekspertëve të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit gjatë hetimit në të tre shkallët, njerëzit e drejtësisë zgjedhin rrugën më të shkurtër për t’i shpëtuar darëve të vetingut. Gjyqtarët dhe prokurorët e korruptuar po dorëhiqen, duke nxjerrë justifikime, si arsye shëndetësore dhe personale sapo njihen me aktet e KPK. Gazeta ka bërë një bilanc dhe nga fillimi i 2019-ës deri më tani që po flasim, janë plotë gjyqtarë që janë dorëhequr. Më konkretisht, 10 gjyqtarë janë dorëhequr gjatë vitit 2019, ku katër janë dorëhequr në muajin dhjetor, dy në muajin nëntor, dy në muajin tetor, një në muajin korrik dhe një në muajin prill. Mes këtyre dhjetë gjyqtarëve që janë dorëhequr gjatë vitit 2019, bie në sy emri i Astrit Haxhialushit, gjyqtar në Gjykatën e Apelit, kryetarja e Gjykatës së Durrësit, Joana Qeleshi dhe gjyqtari i Gjykatës së Apelit, Agim Bendo, gjyqtarja e Krimeve të Rënda, Liljana Baku, gjyqtarja e Gjykatës së Tiranës, Eneida Civici, etj.



































