Kryeministri Edi Rama ka lajmëruar se do të ketë sanksione për të gjithë ata që nuk do të ndjekin masat e ndërmarra nga qeveria për të minimizuar përhapjen e Covid-19.
Rama shtoi se në lokale çdo tavolinë duhet të jetë 2 metra larg tjetrës.
“Është po kaq e rëndësishme që ta dini se nuk ka asnjë pengesë apo ndalim për mallrat. Është ndërprerë levizja me Italinë, por nuk ka asnjë ndërprerje të importit apo të eksportit. Ashtu sikundër të gjithë pikat e furnizimeve me ilaçe mbeten aty. Nuk duam që të mbyllim restorantet por duhet të ofrojnë kushte. Të ketë një distancë, 2 metër larg çdo tavolinë nga njëra-tjetra. Është e njëjta gjë si të shmangesh nga plumbi. Nuk janë gjobat gjërat që mendojmë se është e para. Vendet e BE-së kanë vendosur gjoba marramendëse. Madje u marrin edhe shtëpitë njerëzve që dalin nga shtëpia, në formë gjobe që nuk kanë zbatuar rregullat. Ju flas si baba i një fëmije, si një djalë i një nëne të sëmurë. Do të sanksione patjetër, sepse kur të thonë që ke ardhur nga një zonë e prekur, atëherë duhet ta respektosh për veten tënde dhe për familjen tënde. Izraeli ka mbyllur 100 mijë persona. Nëse dalin shkojnë në burg. Këtu besoj që duhet të mirëkuptohemi dhe të respektojmë jetën dhe të drejtën e atyre që janë më të rrezikuar dhe mund të sëmuren nga ne. Ne nuk bëjmë dot asnjë shaka. Frikë fare, ndërsa kujdes po, maksimal. Frika është këshilltari më i keq sepse statistikat edhe të vetë Italisë, në raport me popullsinë janë numra të vegjël,“- tha kryeministri Edi Rama.



































