Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) i ka sekuestruar pasurinë një shtetasi italian në kuadër të ligjit anti-mafia. Bëhet fjalë për italianin, Giovanni Di Cosimo, i cili kërkohen në vendin e tij trafik droge, pastrim parash e grup të strukturuar kriminal.
Pas hetimeve të përbashkëta mes hetuesve shqiptare dhe italianë, është bërë i mundur arrestimi i Di Cosimos, të cilit SPAK i ka bllokuar 9 asete pasurore.
Gjithashtu ka rezultuar se shtetasi shqiptar Bledar Seferi (alias Hakorja), ka pasur lidhje me shtetasin Giovanni Di Cosimo dhe pjestarë të tjerë të grupit kriminal në Itali e Shqiperi dhe është i përfshirë në aktivitet kriminal të trafikimit të lëndëve narkotike në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.
Në kuadër të këtij procedimi penal nga Prokuroria e Posaçme janë bërë verifikime pasurore, për shtetasin Bledar Seferi (alias Hakorja), si dhe për familjarët e tij, bazuar në ligjin Nr.10192 datë 03.12.2009 “Për Parandalimin dhe Goditjen e Krimit të Organizuar, Trafikimit dhe Korrupsionit nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë”( i ndryshuar).
Në përfundim të hetimeve pasurore janë konstatuar pasuri të pajustifikuara, për të cilat është kërkuar sekuestrimi në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, e cila me vendimin Nr.03 datë 07.02.2020, ka vendosur sekuestrimin e pasurive të mëposhtme:
Një fabrikë për prodhimin e lëndëve plastike në Shijak, Durrës.
Asetet, aksionet/kuotat dhe pasuritë e subjektit “REY PLASTICA” sh.p.k. me NIPT L71325502Q, me status aktiv. Pasuria e llojit Arë+Truall me sipërfaqe 5954 m², nga kjo sipërfaqe ndërtesë 3070 m², ndodhur në Durrës.
Në këtë pasuri ushtron aktivitetin subjekti “REY PLASTICA” sh.p.k. Pasuria e llojit ullishtë me sipërfaqe 6550 m², ndodhur në Tiranë.
Automjetet e markës “Fiat”, modeli 500, viti prodhimit 2008 dhe markës “Land Rover”, modeli RANGE ROVER, viti prodhimit 2014; Automjet i markës “AUDI”, modeli A2, viti prodhimit 2001;
Automjet i markës “Fiat”, modeli 500L, viti prodhimit 2014; Automjet i markës “Mercedes Benz”, modeli B180 CDI, viti prodhimit 2012;
Llogari bankare në shumën 3.103.244 lek.
Llogari bankare në shumën 21.022 euro.
Vendimi i gjykatës është ekzekutuar me datë 11.02.2020 nga strukturat e policisë gjyqësore dhe pasuritë e sekuestruara janë marrë në administrim nga Agjencia për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara, deri në përfundimin e procesit gjyqësor për konfiskimin e tyre.