Preç Zogaj: “Anjeza nuk u zgjua”, një roman që ngrihet edhe kundër tabusë së virgjinitetit

0
409

Shkrimtari i njohur Preç Zogaj, me romanin e tij më të fundit “Anjeza nuk u zgjua” ka ngjallur kureshtjen e lexuesve. Një roman për mrekullinë e dashurisë dhe dramën e përdhunimit, që i vendos ngjarjet në gjysmën e dytë të viteve ’80. Në intervistën për “SOT”, autori Preç Zogaj për romanin e tij më të fundit shprehet se nuk i është shmangur disa temave, që janë trajtuar pak në letërsinë tonë, siç është tema e virgjinitetit të femrës. Sipas autorit, një temë që ka krijuar e vijon të krijojë drama e tragjedi. Preç Zogaj vjen me një rrëfim ndryshe këtë herë, kureshtja për romanin “Anjeza nuk u zgjua” nisi që në momentin e prezantimit. I njohur dhe i vlerësuar nga lexuesit dhe kritika për librat e tij, me romanin më të fundit “Anjeza nuk u zgjua” Preç Zogaj po vazhdon dhe prezantimin në qytete të ndryshme pranë lexuesve. Sipas kritikës, historia e Anjezës dhe Davidit është një nga historitë më të bukura të dashurisë në prozën e vonë shqipe, shkruar nga një poet i dashurisë. Në aktivitetin e tij me krijimtarinë letrare, Preç Zogaj është autori i disa vëllimeve me poezi edhe në prozë.

-Romani juaj më i fundit “Anjeza nuk u zgjua” ka ngjallur kureshtjen e lexuesve. Në Panairin e Librit ishte një ndër dy-tre romanet me aurorë shqiptarë më të kërkuar dhe më të shiturit. Si autor si ndiheni?

 Jam i kënaqur me jehonën dhe me pritjen, që ka pasur romani që në fillim. Dhe vazhdon të ketë. Madje kjo është më e rëndësishme-që interesi për librin të mos rreshtë. Panairi i Librit është si një librari e madhe e përqendruar, ky hyjnë dhe dalin shumë kureshtarë e lexues dhe sigurisht që kopjet e shitura atje për aq pak ditë sa zgjat janë gjithnjë më shumë se në librari. Por fati i një libri në pikëpamje të tërheqjes nga lexuesi është se sa vazhdon të kërkohet e të shitet nëpër librari, pasi mbyllet panairi. Tregu i librit ka shumë probleme, sistemi i librarive ka njohur një degradim nga viti në vit, me shumë pak përjashtime. Megjithatë botuesi im më thotë, që ka vazhdimisht kërkesa nga librarët për romanin “Anjeza nuk u zgjua”. Reklama më e mirë e një libri është ajo që i bëjnë lexuesit e tij. Në promovime flet botuesi, autori, ndonjë kritik letrar. Dhe sigurisht që fjala e një kritiku me shije dhe integritet profesional ka peshë. Por kjo është një lloj rutine në jetën e një libri, një rutinë e programuar ku lexuesi është akoma në pritje. Kurse reklama e lexuesit është spontane, e vërtetë. Nuk ka asnjë arsye që një lexues t’ia rekomandojë apo t’i flasë mirë një tjetri nëse libri nuk i ka pëlqyer. Në përgjithësi librat e mi, pas promovimit ku mediat dhe gazetaret e kulturës më kanë nderuar gjithnjë me praninë e tyre, janë mbështetur nga reklama e lexuesit. Ndaj tërhiqen me një shtrirje më të madhe në kohë se sa shitjet “me goditje të përqendruar”.

– “Anjeza nuk u zgjua” i vendos ngjarjet në vitet ’80-të. Çfarë ju ngacmoi për ta shkruar romanin?

Ngacmimi vjen nga shumë histori, shtysa të brendshme e të jashtme, pyetje dhe enigma të tjera që lidhen me qënien, me marrëdhënien njerëzore… Këtu është lënda që e shtyn shkrimtarin të ulet e të shkruajë. Çfarë ndodh me një vajzë ose me një personazh përballë një shansi, që ajo e percepton si shansin unik të jetë? Çfarë lëvizjesh shkakton ky raport në tektonikën e saj mendore dhe shpirtërore? Tema e shansit unik të çon vetvetiu në një kohë, ku diversiteti i shanseve dhe zgjedhjeve është një molla e ndaluar. Çfarë ndodh me ambicien dhe me ëndrrën, të cilat e ka folenë në kokën e individit, por rruga e realizimit nuk është ajo komune, e kohës, e rrethanave politike, shoqërore, familjare e tjerë. Siç e thatë ju, ngjarjet e romanit tim vendosen në gjysmën e dytë të viteve tetëdhjetë të shekullit të kaluar. Është një periudhë, që e njoh mirë dhe ku depozita e kujtesës sime është plot me subjekte. Po temat e lartpërmendura janë edhe tema të gjithkohshme. Tema e ambicies, e pengesave, e rivaliteteve, e kompromiseve- deri ku mbajnë dhe ku është kufiri që nuk duhet të kalohet dhe çfarë ndodh kur kalohet; tema e raportit midis asaj që është e mjaftueshme dhe asaj që është e tepërt, pra e sensit të masës. Të gjitha këto në tërësi janë çështje, që e preokupojnë një shkrimtar dhe subjekti i romanit tim kërkon ti zhvillojë këto tema. Anjeza është një vajzë shumë e bukur, e kultivuar për moshën dhe mjedisin ku jeton. Ajo zgjidhet për t’i çuar lule kryetarit të shtetit, që vjen për një vizitë dhe aty ambicia e saj për të fituar konkursin në Institutin e Arteve dhe për t’u bërë aktore kërcen si nga një pedanë. Ambicien e kishte, por kjo ngjarje ia shton, fotografia e saj me kryetarin e shtetit botohet në shtypin e kohës dhe tërheq vëmendjen gjithandej, janë të shumë njerëz që duan ta ndihmojnë. Ndihma e sinqertë e disave përzihet me lakmitë, interesat, paragjykimet e disa të tjerëve. Është gjithë një tablo e viteve tetëdhjetë me kontekstin ekonomik e shoqëror, që vjen në roman.

-Me këtë roman të fundit ju siç jeni shprehur se keni thyer disa tabu në letërsinë shqipe, por si e shihni problemin që qëndron tek paragjykimet e shoqërisë?

Nuk mbaj mend ta kem thënë pikërisht në këtë formë, por mund edhe të më ketë shpëtuar në prononcimet e shpeshta gjatë promovimit dhe në panair. Ajo që kam dashur të them është se nuk i jam shmangur disa temave, që janë trajtuar pak në letërsinë tonë, sëpaku në atë që njoh unë, siç është tema e virgjinitetit të femrës. Një temë që ka krijuar e vijon të krijojë drama e tragjedi. Për mua ky është një handikap i pakuptueshëm, i padrejtë po e po, i krijuar nga paragjykimet e shoqërisë dhe botës mashkullore , rrjedhojë e pabarazisë gjinore dhe diskriminimit të femrës, a thua se nuk e bëjnë dy sekse të kundërta. Jam thelluar te kjo temë duke qenë se virgjiniteti dhe zhvirgjërimi përbëjnë një nxitës të fuqishëm, të padukshëm të devijimit në dramë dhe fatkeqësi të fatit të Anjezës. Në thelb e kam trajtuar duke e parë nga këndvështrimi i mosvartësisë në asgjë të femrës nga virgjiniteti.

 -Tragjedia më e madhe për ju brenda këtij libri është përplasja e ëndrrave, që personazhi kryesor ka me realitetin?

Përplasja e ambicies me realitetin është e vendosur në një kontekst konkret, por kjo është një temë që na shoqëron në çdo kohë. Shoqëron të rinjtë edhe sot e kësaj dite. Ne kemi dëgjuar e lexuar për diskutimet që shpërthyen vitin e shkruar deri në Hollivud, ky yjet hollivudiane filluan të denoncojnë përdhunuesit e tyre, që kishin abuzuar me statusin, paratë, apo me pozitën për të abuzuar seksualisht me vajzat e bukura. Nuk është temë e një sistemi, por është temë universale. Përdhunimi i çdo natyre është një aberracion i stërmadh nga humaniteti, që krijon trauma tek femrat. Më ka bërë shumë përshtypje se si yjet e Hollivudit e kishin akoma të hapur plagën e përdhunimit kur kishin qenë vajza të reja. Le të imagjinojmë përjetimin e një eksperiencë të tillë nga një vajzë lezhjane në vitin 1988.

– Jeni shprehur më herët, se si autor se synoni që emocionet ti ndani me lexuesin dhe të jeni i pëlqyeshëm dhe gjithmonë bëni kërkime. Çfarë mund të na thoni për punën tuaj krijuese?

Shumica edhe e lexuesve të mi me të cilët komunikoj në rrjetet sociale vënë në dukje si cilësi të mirë të librave të mi stilin e të shkruarit. Në fakt përpiqem të jem skurpuloz dhe gjithnjë në kërkim në këtë aspekt. E di se të shkruarit bukur qëllon ta kalojë në plan të dytë subjektin. Në fakt mënyra e të shkruarit është e lidhur ngushtë me strukturën e veprës, me fiziologjinë e saj; ngjarjet, episodet, duhet të ketë një logjikë të brendshme. Të jetë organikisht e gjallë.

 -Deri tani promovimi i romanit tuaj më të fundit është bërë në Tiranë dhe Librazhd. Ku do të jeni me takime pranë lexuesve në vijim?

Takimi me krijues dhe lexues në Librazhd ishte shumë mbresëlënës. Dy prej pjesëmarrësve e kishin lexuar romanin, një i tretë po e lexonte. Bashkë me botuesin e UET Press, pranë UET-it do të kemi takime të tjera në qytete të tjera. Janë takime që i organizojnë grupe krijuesish e lexuesish, ose bibliotekat. Të shtunën e ardhshme do të kem një takim në qytetin e Lezhës, po përgatitet një takim në qytetin e Vlorës e me radhë…

Intervistoi: Julia Vrapi

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here