Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, në bashkëpunim edhe me Ministrinë e Brendshme deklaron se shumë shpejt do t’i japë një zgjidhje të plotë dhe përfundimtare shqetësimit të shumë qytetarëve sa i takon përdorimit të xhamave të errët në automjetet e tyre, të cilat në jo pak raste kanë qenë edhe shkak i penalizimit nga ana e Policisë Rrugore.
Gjatë interpelancës së kërkuar nga një grup qytetarësh përmes platformës së bashkëqeverisjes shqipëriaqëduam.al lidhur me këtë shqetësim, ministrja Belinda Balluku shprehu angazhimin për gjetjen e një zgjidhje ligjore për këtë çështje në bashkërendim edhe me Ministrinë e Brendshme dhe Policinë e Shtetit.
“Fillimisht do kemi një bashkëbisedim dhe një bashkëpunim shumë të ngushtë me Ministrinë e Brendshme dhe strukturat e Policisë së Shtetit dhe ato Rrugore për të gjetur të gjithë mënyrën sesi së bashku do të vendosim në kuadër rregullator dhe ligjor zgjidhjen e kësaj problematike për të mos ju kthyer më”, u shpreh Balluku.
Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, e cilësoi si të drejtë shqetësimin e ngritur nga qytetarët ndërsa solli në vëmendje edhe precedentin e Portugalisë e cila me ligj ndaloi përdorimin e xhamave me tejdukshmëri të reduktuar, por pas shqetësimit të krijuar Gjykata Europiane e rrëzoi atë.
“Ne do gjejmë mënyrën më të mirë që Ministria e Brendshme dhe Policia të kryejnë detyrën dhe të arrijnë të kenë rezultate të larta për parandalimin e krimit të organizuar ndërkohë që Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë t’i ofrojë qytetarëve atë ç’ka është e drejta e tyre për ta gëzuar. Pra ekulibimi i të gjitha proceseve është synimi i qeverisë shqiptare kështu që unë besoj se i kemi ezauruar çfarë ishte për t’u thënë sot. Ne dalim nga kjo zyrë dhe nisim menjëherë të marrim masa dhe të gjejmë zgjidhjen e problematikës”, siguroi ministrja përdoruesit e automjeteve që kanë adresuar këtë shqetësim.
Nga ana e tij, drejtori i Drejtorisë i Drejtorisë së Përgjithshme të Transportit Rrugor, Blendi Gonxhe, bëri të ditur një prej varianteve të mundshme për t’i dhënë zgjidhje këtij shqetësimi në një kohë të shpejt.
“Është tërësisht në tagrin e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë që dhe në konsultim me palë të tjera që të dalim me një udhëzim që mund të ishte i shpejtë. Mund të ishte ky një variant i parë. Vendim i dalë shpejt i cili rregullon kompetencat tagrin e veprimtarisë në këtë rast për të zgjidhur këtë çështje e cila nëse do t’i ngarkohej DPSHTRR për shkak se dhe për fat jemi në përfundim të implementimit të përditësimit më të mirë historik të sistemit të regjistrit kombëtar të mjeteve të DPSHTRR”, u shpreh Gonxhe, duke propozuar gjithashtu si zgjidhje edhe hartimin e një moduli online, ku të qartësohen të gjitha hapat dhe rregullat që duhen ndjekur për këdo që kërkon të instalojë xhamat e errët në automjet.