Teksa artistë, përfaqësues të shoqërisë civile protestojnë, mbështetur edhe nga Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim, Presidenti Ilir Meta ka bërë një lëvizje politike.
Ndërsa një reagim të parë e quajti të turpshme ndërhyrjen e policisë që u stacionua pranë Teatrit me nisjen e protestës, kreu i shtetit thotë se sot do të depozitojë në Gjykatën Kushtetuese, kërkesën për të shpallur antikushtetues ligjin për shembjen e godinës së Teatrit Kombëtar. Njoftimin e ka bërë zyra e shtypit të presidencës, duke thënë se në orën 13:00 Meta do të shkojë në Gjykatën Kushtetuese.
“Rrethimi me policë i Teatrit Kombëtar dhe përplasjet fizike me komunitetin e artistëve, të cilët janë aty në mbrojtjen e një prej vlerave të trashëgimisë tonë historike, kulturore e kombëtare, janë një ngjarje e shëmtuar dhe e turpshme. I bëj thirrje Policisë së Shtetit të respektojë artistët dhe të mos i dhunojë ata fizikisht në ushtrimin e së drejtës së tyre për të protestuar ndaj një vendimi abuziv e korruptiv për prishjen e godinës së Teatrit, dhe as t’i lëndojë ata shpirtërisht, në respekt të dinjitetit njerëzor dhe kontributeve të vyera që kanë dhënë për artin e kulturën kombëtare. As sampistët e Ramiz Alisë nuk e kanë prekur me dorë Edmond Budinën në dhjetor ’90! Shumë turp! Shumë turp! Shumë turp!”, shkruante Presidenti Meta në reagimin e tij të parë, në nisje të protestës së sotme të artistëve dhe ish-deputetëve, me prani edhe të liderit demokrat Lulzim Basha.