Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë dhënë dje një mesazh shumë të qartë për të gjithë pushtetarët e korruptuar dhe që kanë kapur sistemin e drejtësisë. Dje u shënua 3-vjetori i ndryshimeve kushtetuese dhe në këtë përvjetor u inaugurua godina ku do të qëndrojnë KLGJ, KLP dhe Shkolla e Magjistraturës. Në inaugurimin e saj mori pjesë dhe zv/ambasadorja amerikane Leyla Moses Ones, e cila e bëri shumë të qartë se reforma në drejtësi nuk ka kthim pas. Presidenti Ilir Meta, ish-kryeministri Sali Berisha dhe shumë përfaqësues të PD-LSI kanë hedhur akuza të shumta sa i takon mungesës së Kushtetueses dhe Gjykatës së Lartë. Por për diplomaten amerikane, kjo tregon se vetingu po jep efekt dhe po largon të korruptuarit. Madje ajo u kujdes të theksojë se sistemi i drejtësisë po shkëputet nga ata pushtetarë që e kanë mbajtur peng për vite me radhë. Mesazhi duket se ishte i qartë si për Metën ashtu dhe për Berishën, pasi të vetmit që akuzohen se kanë kapur sistemin e drejtësisë janë ata. “Një numër i madh, mbi 15 për qind i gjyqtarëve dhe prokurorëve janë rivlerësuar. Disa kanë kaluar rivlerësimin dhe shumë kanë dështuar. Kjo përfshin gjyqtarët në Gjykatën e Lartë dhe në Gjykatën Kushtetuese. Disa thonë se ky është një problem, por ne besojmë se kjo tregon që rivlerësimi po funksionon dhe nënvizon se pse reforma në drejtësi ishte e nevojshme: Sistemi i vjetër i drejtësisë ishte kapur shumë kohë më parë. Ishte i kapur nga korrupsioni dhe nga ata që veprojnë në hije për të mbajtur Shqipërinë prapa. Reforma në drejtësi e theu atë kapje të paligjshme të sistemit të drejtësisë dhe po ia kthen atë njerëzve”, tha Moses Ones para të pranishmëve.
Lufta ndaj korrupsionit
Presidenti Meta dhe shumë emra të tjerë prej ditësh po sulmojnë reformën duke thënë se ajo ka dështuar dhe është kapur. Por për SHBA, reforma është në rrugën e duhur dhe shumë shpejt do shihen frytet e saj. Leyla Moses Ones deklaroi se SPAK e BKH do jenë gati dhe do luftojnë korrupsionin. Sipas saj, ky proces do bëhet në kujdesin e SHBA. “Kjo godinë së shpejti do të shohë një Shqipëri me gjyqtarë dhe prokurorë të aftë dhe me etikë. Do të shohë një Shqipëri me SPAK-un dhe BKH-në që bëjnë pjesën e tyre për ta çliruar këtë vend nga korrupsioni dhe krimi i organizuar. Ndërsa shqiptarët do ta shohin këtë ndërtesë si një simbol të suksesit të reformës në drejtësi. Prokurorët e rinj që betohen sot do të shohin ndryshime të mëdha në Shqipëri përgjatë jetës së tyre. Shtetet e Bashkuara kanë qëndruar krah Shqipërisë dhe i kanë nxitur këto ndryshime të mëdha. Ne qëndruam krah Shqipërisë kur reformat u miratuan njëzëri tre vjet më parë. Ne kemi qëndruar krah Shqipërisë kur filloi rivlerësimi dhe ndërsa ka pastruar sistemin e drejtësisë. Ne kemi qëndruar krah Shqipërisë gjatë krijimit të Këshillave të Gjyqësorit dhe të Prokurorisë. Ne jemi duke qëndruar krah Shqipërisë ndërsa po ngrihet SPAK-u. Jini të sigurt, ne do të vazhdojmë të qëndrojmë krah Shqipërisë ndërsa Reforma në Drejtësi i jep një formë të re të ardhmes tuaj”, tha diplomatja amerikane. Zyrtarja amerikane e cilësoi SPAK si një xhevahiri i të gjithë reformës. “Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka qenë duke punuar për gurin e çmuar të kurorës së reformave: krijimin e SPAK-ut”, tha Moses Ones.
Kliti Topalli