Deputetët në panik, refuzojnë hapjen e dosjeve të Sigurimit për politikanët, zbardhet rezoluta e Kuvendit për AIDSSH

0
334

Politikanët shqiptarë do të vijojnë të jenë imunë ndaj verifikimit sa i takon lidhjeve të mundshme me ish-Sigurimin e Shtetit. Prej dy vitesh ka nisur në vend procesi i hapjes së dosjeve, por përveç emrave që ngrihen apo emërohen në detyrë, deputetët, krerët e bashkive, anëtarët e këshillave bashkiakë, kryetarët e partive, etj, nuk verifikohen me detyrim. Për këtë arsye, kryetarja e Autoritetit për Informim mbi Dosjet e Sigurimit të Shtetit, Gentiana Sula, gjatë raportimit vjetor në Kuvend, kërkoi që të ndryshojë ligji, me qëllim që kur ka zgjedhje, kandidatë të verifikohen nga AIDSSH. Por kërkesa e saj nuk është aprovuar. Gazeta ka siguruar rezolutën e miratuar nga Parlamenti për Autoritetin e Dosjeve dhe nuk përmendet fare çështja e verifikimit të politikanëve, duke e anashkaluar si çështje. AIDSSH pritet të dorëzojë dhe një propozim konkret ligjor, por sipas burimeve të gazetës, deputetët nuk e duan diçka të tillë. Drafti i parë që ka shkuar në Kuvend për hapjen e dosjeve, parashikonte që të futeshin në sitë dhe pushtetarët, por ishin deputetët ata që e ndryshuan dhe e përjashtuan veten. Si duket edhe tani askush nuk e do një gjë të tillë. Shumë ekspertë të fushës kanë deklaruar se në Parlament ka emra që kanë bashkëpunuar me sigurimin.

Detajet e rezolutës

Sa i takon rezolutës që ka miratuar Parlamenti, një vëmendje i vihet korrektësisë së vendimeve, vitin që lamë pas Autoriteti korrigjoi dy vendime. Fillimisht dy zyrtarë dolën se kishin qenë bashkëpunëtorë të Sigurimit, ndërsa më pas u mohua. Për Parlamentin nuk duhet të ndodhin më të tilla gjëra. “Kuvendi kërkon që Autoriteti dhe institucionet e tjera ligjzbatuese, për vitin 2019, të përmirësojnë punën në drejtim të: Përmirësimit të procesit të verifikimit të të dhënave, me qëllim nxjerrjen vendimeve që përmbajnë të dhëna të sakta dhe precize, të cilat të mos jetë e nevojshme të korrigjohen; Përfundimit, brenda vitit 2019, të procesit të marrjes në dorëzim dhe inventarizimit të të gjitha dokumenteve të ish-Sigurimit të Shtetit që gjenden në institucione të tjera të rrjetit arkivor”, thuhet aty. Një tjetër kërkesë është që të mbyllet transporti i dosjeve. “Nevojitet përgatitja e infrastrukturës logjistike të nevojshme për përfundimin, brenda vitit 2019, të procesit të transferimit nga arkivat e institucioneve të ndryshme, të të gjithë dokumentacionit që është marrë në dorëzim nga Autoriteti, si dhe angazhimin maksimal të të gjitha palëve të përfshira në proces për ndërmarrjen e hapave për parandalimin e dëmtimit të mëtejshëm dhe ruajtjen e materialit arkivor ekzistues”, thuhet në dokument.

Vlerësimet

Në rezolutë janë bërë dhe një sërë vlerësimesh për punën e Autoritetit të Dosjeve. Aty përmendet volumi i verifikimeve dhe bashkëpunimi ndërkombëtar.“Kuvendi i Shqipërisë vlerëson veprimtarinë e Autoritetit për vitin 2018 në drejtim të: Administrimit, në krahasim me një vit më parë, të një numri në rritje të kërkesave nga individë, institucione kushtetuese dhe autoritete të tjera publike, për kandidatë për t’u emëruar apo ngritur në detyrë, kërkesave nga subjekte politike për kandidatë për deputetë, kërkesave studimore, si dhe kërkesave për qëllime rehabilitimi dhe dëmshpërblimi; Krijimit të një platforme të besueshme për akses në trashëgiminë e madhe të dokumenteve të ish-Sigurimit, me qëllim informimin e qytetarëve shqiptarë, duke u ofruar të dhëna, informacione dhe kontekst mbi arkivat e ish-Sigurimit; Plotësimit të kuadrit rregullator të brendshëm, me qëllim mirëfunksionimin dhe mbarëvajtjen e punës së institucionit, nëpërmjet miratimit gjatë vitit 2018 të “Kodit të sjelljes për anëtarët e AIDSSH-së”, “Kodit të sjelljes së mirë administrative”, si dhe të vendimit “Për standardizimin e komunikimit me subjektet e interesuara që kërkojnë informacion mbi dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit pranë AIDSSH-së”, thuhet në rezolutë.

Kliti Topalli

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here