Shtyhet afati për ngritjen e SPAK, shumë prokurorë rrezikojnë të ngelin në veting, KLP në dilemë për emrat që do përzgjidhen

0
438

Gjysma e kandidatëve për Strukturën e Posaçme Antikorrupsion kanë kaluar në “sitën” e Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Që kur u ngrit KLP, në fokus të punës së saj ka patur konstituimin e SPAK. Për këtë arsye, pasi mbylli garën për garuesit, KLP ngriti një Komision të Posaçëm që do të merret me vlerësimin e tyre. Ky Komision ka si detyrë që të “skanojë” aftësitë profesionale të të gjithë kandidatëve, të hartojë raporte për to e më pas t’i paraqesë para KLP për diskutim e miratim. Ditën e djeshme KLP u mblodh sërish, ndërsa në rend të ditës kishte edhe miratimin e projekt-raporteve për pretendentët për SPAK. Gjatë mbledhjes së djeshme u miratuan me shumicë votash dosjet për tre kandidatë, duke e çuar kështu në 12 numrin e garuesve që kanë kaluar në “filtrin” e KLP. Më konkretisht, bëhet fjalë për prokurorët Behar Dibra, Shkëlzen Cena dhe Klodian Braho. Kujtojmë që më herët Këshilli i Lartë i Prokurorisë miratoi raportet për nëntë emrat që janë në garë dhe kërkojnë të marrin frenat e luftës antikorrupsion në nivel të lartë. Gjithsej janë 25 prokurorë pretendentë, çka do të thotë se KLP ka mbyllur punën për gjysmën e tyre deri tani.

Shtyhet afati

Por duke qenë se volumi i punës është shumë i madh dhe anëtarët e Komisionit të Posaçëm kryejnë verifikime të imtësishme për garuesit, Këshilli i Lartë i Prokurorisë vendosi ditën e djeshme që të shtyjë edhe me tri javë të tjera afatin e hartimit dhe miratimit të dosjeve. Ky vendim u miratua me dhjetë vota pro. Sipas rregullores që miratoi në fillimet e punës KLP, afati për të kryer kontrollin e kandidatëve ishte 45 ditë. Por anëtarët e KLP argumentojnë se është e pamundur që mbyllja e të gjitha dosjeve të kryhet brenda këtij afati dhe prandaj ka lindur nevoja e shtyrjes së tij. Sipas të gjitha gjasave, në fillim të qershorit Këshilli i Lartë i Prokurorisë do t’i ketë kaluar në “sitë” të gjithë garuesit dhe do të ketë hartuar e miratuar raportet voluminoze për secilin prej tyre. Por duhet theksuar se shtyrja e afatit për raportet e kandidatëve rrjedhimisht shtyn afatin edhe për ngritjen e SPAK. Ditët po ecin, por Struktura e Posaçme Antikorrupsion nuk ka marrë akoma jetë, edhe pse duhet të ishte gati qysh vitin e kaluar. Gjatë rrugës për ngritjen e SPAK po dalin pengesa të shumta, duke iu dhënë hapësirë pushtetarëve të korruptuar që të marrin frymë lirisht edhe për pak kohë. Megjithatë, shpresat janë që emërimi i anëtarëve të SPAK të nisë brenda kësaj vere, përndryshe ngritja e saj zgjatet pafundësisht shumë. Por përveç punës voluminoze, burime të sigurta i thanë gazetës se një tjetër arsye pse KLP po merr më shumë kohë seç duhet për vlerësimin e kandidaturave është fakti se deri tani pjesa më e madhe e tyre kanë dalë me probleme. Frika e KLP është se një pjesë e mirë e tyre mund të ngelin në veting dhe tani janë në dilemë se kë të zgjedhin. Sipas burimeve, ata po konsultohen me ndërkombëtarët për të vendosur sesi do të procedohet dhe se cilët do të jenë anëtarët e SPAK.

Asistenca e ndërkombëtarëve

Rol kryesor në ngritjen e SPAK do të ketë edhe ndërkombëtarët. Në rregulloren e hartuar nga KLP thuhet se monitoruesit ndërkombëtarë kanë të drejtë t’iu drejtojnë pyetje kandidatëve për SPAK dhe të marrin pjesë në çdo fazë të vlerësimit të tyre. Kjo do të thotë se ekspertët e SHBA-BE do të jenë aktivë në zgjedhjen e anëtarëve, ku veçanërisht amerikanët do të kalojnë në filtër të gjithë kandidatët. Ata do tu bëjnë pyetje rreth dosjeve të hetuara prej tyre, aftësive profesionale dhe etikës në punë. Një çështje me mjaft interes për ndërkombëtarët është të dinë sesi kandidatët prokurorë kanë hetuar “çështjet e ndërlikuara”. Këto janë dosjet ku subjekt i hetimit janë funksionarët e lartë publikë, veprimet e të cilëve kanë sjellë pasoja të rënda për pasurinë, jetën dhe shëndetin e shtetasve, apo sekuestrimin dhe konfiskimin e pasurive të tyre.

Mimoza Ibra

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here