Ja si CIA planifikonte që më 1954 të rrëzonte regjimin e Hoxhës, ambasadorët shqiptarë në Romë e Paris do merreshin peng, 1.500 persona do përdoreshin për grusht shteti

0
460

CIA kishte menduar se regjimi i Enver Hoxhës do të binte në vitin 1954. Në dy dokumente të deklasifikuar sa i takon situatës në vendin tonë, tregohet se planifikohej që të bëhej grusht shteti me rreth 1.500 persona. Po ashtu do të merreshin peng ambasadorët në Itali e Francë.

Qershor 1953

Plani i veprimeve agresive

Nëse do të lindnin rrethanat ideale skenari parashikon rrëzimin e qeverisë së Hoxhës deri në vjeshtën e 1954. Duke hartuar veprimet pararendëse të grushtit të shtetit ne kemi supozuar se Jugosllavia, Greqia dhe Italia do të mbajnë një qëndrim bashkëpunues dhe secila prej tyre nuk do të ndërhyjë në operacion ose kudo në Shqipëri, përveçse kur t’i kërkohet asistencë. Prandaj rekomandimet tona për vitin 1953 do të ishin fillimisht zgjerimi i Komitetit Shqipëria e Lirë për të përfshirë të gjitha fraksionet politike, veçanërisht BKI dhe grupin e Ali Këlcyra. Nevojitet printimi i sasive të mjaftueshme lekë shqiptare për furnizimin e operacioneve me agjentë. Prokurimi i shpejtë i 5 nëndetëseve për vendosjen e bllokadës totale të transportit drejt Shqipërisë. Nëndetëset nuk duhet të identifikohen si amerikane por si anije pirate pa flamur, me ekuipazh vullnetarësh pa dokumente, të cilët do të operojnë nga Italia dhe Greqia. Të dyja vendet do të ndihmojnë në zbatimin e bllokadës duke ndaluar çdo tregti me Shqipërinë, sado të vogël. Një tjetër çështje është rekrutimi dhe stërvitja e një force prej 1000-1500 shqiptarësh që do të përdoret për goditje në kohën e grushtit të shtetit. Forca goditëse llogaritet të hyjë në Shqipëri në mënyrë tokësore ose detare nga Greqia dhe Jugosllavia. Në planin për vitin 1954 parashikohet rekrutimi dhe infiltrimi në vend, sapo kushtet e motit ta lejojnë, i ekspertëve amerikanë radio-marrës për organizmin e aktiviteteve të rezistencës dhe krijimin e celulave të besueshme, rreth të cilave populli do të mblidhet me dhënien e sinjalit. Tre ekspertë do të operojnë nga veriu, ku tashmë ekziston një strukturë fillestare rezistence. Ata do të furnizohen nga ajri me ushqim, armë e municione për revoltën. Ushqimi është për të siguruar që forcat të mos vuajnë vështirësitë e bllokadës ekonomike që do të vendoset. Në fillim të verës do të merren peng ambasadorët shqiptarë në Romë dhe Paris, ndërsa në radiot klandestine do të njoftohet se kanë dezertuar dhe fakti do të shfrytëzohet në vazhdim për luftën psikologjike. Kjo e fundit do të përshkallëzohet me lëshime fletushkash dhe transmetime radio, të cilat do të marrin një linjë më të ndezur e agresive teksa dita e revoltës afrohet. Për të paktën dy muaj para grushtit të shtetit fletushkat do të lëshohen në intervale javore. Do të infiltrohet në Shqipëri në mënyrën më të sigurt një agjent amerikan i nivelit të lartë me autoritet për të kontaktuar me Enver Hoxhën dhe Mehmet Shehun, të cilëve do u ofrojë deri në 500 000 dollarë dhe siguri për të ardhmen, në këmbim të dezertimit të tyre. Dezertimi i tyre duhet të përfshijë urdhrat për Ushtrinë e Sigurimin të ulin armët në momentin e caktuar. Ndaj të gjithë liderëve të emigracionit duhet të kalohet mesazhi që ndjekësit e tyre t’i bashkohen lëvizjes së rezistencës. Anëtarët e juntës ushtarake do të lëshohen në Shqipëri për të udhëhequr revoltën në ditën e caktuar. Deri në gusht 1954 veprimet e njëkohshme nga forcat e rezistencës dhe forca e jashtme goditëse duhet të kenë përfunduar në përmbysjen e regjimit komunist dhe vendosjen e qeverisë së përkohshme nën kujdesin e Kombeve të Bashkuara. Gjatë këtij veprimi revolucionar, forca e stërvitur prej 4000 shqiptarët që pretendohet se ekziston në Jugosllavi, si dhe njësitë e ushtrisë së Greqisë dhe Jugosllavisë pranë kufirit shqiptar, duhet të qëndrojnë në gatishmëri në rast se thirren për asistencë, por duhet të tërhiqen menjëherë nga territori shqiptar sapo të fitojë revolucioni. Flota e gjashtë amerikane do të jetë duke bërë manovra në detin Adriatik dhe Jon gjatë revolucionit për të mbuluar zbarkimet amfibe në brigjet shqiptare si dhe për të vepruar nëse thirret në veprim në emër të OKB. Ajo gjithsesi nuk do të marrë rol aktiv përveç rasteve kur të thirret në veprim. Flota do të mbetet në këtë rajon për disa javë, për të dekurajuar çdo kundërrevolucion apo veprime hakmarrëse nga Bashkimi Sovjetik apo aleatët e tij. Megjithëse shumë rekomandime individuale në paragrafët e mësipërm nuk janë esenciale për përmbysjen e suksesshme të regjimit në Shqipëri, neutraliteti dashamirës ose aktiv i fqinjëve Itali, Greqi e Jugosllavi, është i domosdoshëm.

Nëntor 1953

Raport zbulimi grupi i infiltruar FIG

Më poshtë kemi pikat e inteligjencës pozitive të mbledhura nga grupi Fig Tree në misionin e fundit. E kuptojmë se informacioni i mbledhur është i vogël por kjo vjen pjesërisht nga fakti se grupi ka ndjekur me saktësi instruksionet dhe ka shkatërruar shumicën e shënimeve të tyre kur ranë në kurthin e forcave komuniste. Raporti i tyre do të ndiqet nga dy të tjerë ku do të përshkruhen operacionet dhe rrugëtimi i tyre, gracka dhe dalja prej saj.

Grupi ka observuar sa më poshtë:

Në zonat malore mbi Boboshticë janë hapur hendeqe të reja nga forcat kufitare rreth 500 metra të gjata përballë kufirit grek, në formë zig-zag. Në disa hendeqe kishte poste për 10-12 mitralozë, të ngritura rreth 2 metra lartësi. Grupi vlerësonte se në çdo pozicion mund të qëndronin 5-6 ushtarë dhe ato ishin të përziera mirë me terrenin duke mos u dalluar kollaj. Më 10 shtator grupi vërejti një kompani ushtarësh të vendosur në 20-25 tenda. Grupi tha se kur u kthye në këtë zonë më 19 tetor, nuk kishte më as tenda e as ushtarë. Komandant i divizionit të Korçës, që njihet si divizioni i 3-të, është Skënder Malindi. Për të qartësuar këtë informacion duhet të themi se divizionet ushtarake shpeshherë ndryshojnë numrat e tyre, sipas atyre që thonë autoritetet “për të ngatërruar armikun”. Me anë të kontakteve me Niazi Rapushin, ish-rreshter i regjimentit të Gjirokastrës, i cili është liruar nga detyra në mars 1953, grupi Fig ka marrë informacionet e mëposhtme: Komandant i divizionit është Vaskë Gjini, komisar Veso Ismaili dhe major Fete Ruçi. 4 regjimentet e divizionit janë regjimenti i 18-të i stacionuar në Delvinë, regjimenti i 7-të në Gjirokastër dhe regjimenti i 5-të në Përmet. Në kohën e shkarkimit të Rapushit, komandant ishte kapiteni Nazif Hoxha, kapiteni Zani Asqeriu dhe Teki Hasan Luarasi që besohet se janë nacionalistë besnikë. Rapushi ka qenë prezent kur grupi ra në kurthin e komunistëve. Në lidhje me këtë ai ka ofruar dhe informacionet e mëposhtme: Grupi u rrethua në Kopaçe nga anëtarët e Sigurimit, policë dhe civilë të armatosur. Sigurimi njoftoi regjimentin e 18-të për prezencën e “reaksionarëve” dhe kërkoi ndihmën e tyre. Rapushi thotë se beteja zgjati rreth 5 orë. Kur grupi Olive humbi pozicionin e tij, ata kishin gjetur të vdekur Riza Abazin dhe Fido Veliu të cilët kishin kryer vetëvrasje për të mos rënë në dorë të komunistëve. Mehmet Hoxha, anëtari i katërt i grupit, ishte plagosur, por nuk ishte në pozicion me tre të tjerët. Sipas b urimeve, Hoxha deklaroi se grupit i ishin mbaruar municionet dhe ishte bërë e qartë se nuk kishin rrugëdalje, prandaj vendosi të largohej në drejtim të kufirit (Hoxha u gjet në njëfarë distance nga fushëbeteja dhe kishte humbur ndjenjat nga humbja e gjakut). Burimi deklaron më tej se ishte prezent kur një pilot i forcave ajrore greke uli avionin e tij në një lëndinë pranë Delvinës vitin e kaluar. Në raportin e tij për sigurimin komunist piloti thotë se ishin duke bërë manovra në zonën Kifisia dhe në ditën e tretë u detyrua të arratisej pasi inteligjenca greke ishte informuar për aktivitetet e tij komuniste (Ky informacion i ka kaluar inteligjencës greke e cila vazhdon hetimet mbi incidentin). Ndërsa informacioni i mëposhtëm është dhënë nga Sefer Belkteshi nga Tresova: Më 1 tetor 22 kamionë hynë në Zvarisht dhe shkarkuan municione. Më 7 tetor major Ali Lalai, kapiten Mehmet Rifati dhe 5 oficerë të tjerë të paidentifikuar erdhën për inspektim në Tresovë dhe Zvarisht. Aktualisht zona rreth Zvarishtit ruhet nga e patrulla lëvizëse. Në fillim të verës një këshilltar rus është caktuar për çdo divizion. Sipas zhurmave thuhet se më 56 tetor një grup oficerësh shqiptarë është kthyer nga Rusia ku kanë kryer trajnime speciale. Grupi Fig raporton se Viet Agolli nga Mocani i ka informuar se djali i tij, kapiten Viet Muslim Agolli, thotë se ushtria merr shumë informacione nga Italia për aktivitetet e grupeve në Shqipëri.

Korçë, burgjet

Një burg i madh në Korçë është mbushur me njerëz që quhen nga autoritetet “Armiq të Popullit”. Burgu ndodhet në prefekturën e re dhe aktualisht mban 650 të burgosur dhe ruhet nga reth 50 policë. Drejtor i burgut është Baktash Melçani, i cili është nacionalist dhe nganjëherë ka lejuar që të burgosurit të dëgjojnë stacionet e huaja në radio madje dhe transmetimet tona klandestine. I dyti në komandë është oficeri Qerim Gjergjeviç. Burimi deklaron se se kur dëgjohen avionë të huaj në zonë, pasat e sigurisë rriten edhe në burg, nga frika e shpërthimit të trazirave (burimi nuk specifikon se çfarë masash merren).

Burgu i qytetit

I vetmi informacion që kemi mbi burgun e qytetit të Korçës është se këtu shërbejnë dënimet persona që janë dënuar me 5 vjet ose më pak. Të burgosurit në përgjithësi janë ordinerë, si njerëz që nuk kanë arritur të përmbushin taksat apo kuotat e prodhimit.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here