Tifozët e Evertonit mezi presin ta shohin Brojën në fushë, Rrahmani do tjetër titull me Napolin

0
47

Adriatik BALLA

Në Itali luan një kontigjent i madh i lojtarëve shqiptarë, praktikisht bërthama e skuadrës tonë përfaqësuese. Por elementë cilësorë luajnë dhe në ligat e tjera të mëdha të Europës, si në Gjermani, Francë, Zvicër, Spanjë dhe në Angli. Pikërisht në Premier League angleze vëmendjen e merr Armando Broja, i cili, edhe pse është huazuar q prej një muaji tek Evertoni, ai nuk ka mundur të bëjë ende debutimin e tij, pasi është i dëmtuar dhe vijon procesin rikuperues.

Ndërkohë, në Itali, krahas lojtarëve të Kombëtares kuqezi, ka dhe elementë cilësorë të përfaqësueses së Kosovës, mes të cilëve kapiteni Amir Rrahmani. Ai është pjesë e Napolit dhe ka fituar titull me këtë skuadër. Në katër vite që është aty kosovari ka shkruar faqe suksesi dhe këtë edicion me trajnerin Antonio Konte do të kërkojë titullin e dytë personal me napolitanët.

Broja, tifozët mezi presin ta shohin në fushë

Sulmuesi i përfaqësueses kuqezi, Armando Broja u huazua nga Çelsi te Everton në limitet e merkatos, teksa akoma nuk ka debutuar për shkak dëmtimi. Pavarësisht kësaj, tifozët e Everton e shohin si golashënuesin e tyre në të ardhmen. Janë mediat angleze që e vënë në pah këtë fakt, ku shpresat e Evertonit duket se janë varur nga rikuperimi i shpejtë i shqiptarit dhe aftësia e tij për të bërë diferencën. Pra pritshmëritë për Brojën janë të mëdha dhe tifozët mezi e presin kthimin e tij.

Në fakt, admirimin ndaj Brojës e kanë shfaqur në takimin e fundit, të shtunën kundër Kristal Palas. Sulmuesi i Kombëtares shqiptare ndodhej në tribunë, ndërsa disa tifozë përfituan për të shkrepur foto me të. Një ditë e mrekullueshme për Everton ajo e 28 shtatorit ku fituan 2 me 1. Klubi po kalon një periudhë të vështirë ku objektivi kryesor shihet mbijetesa. Kujtojmë se tek Everton mundësia që ta blejnë përfundimisht kartonin e Brojës. Kjo mbetet për t’u vulosur kur sulmuesi shqiptar të tregojë veten në fushë.

Amir Rrahmani e beson titullin e dytë me Napolin

Kapiteni i Kosovës në futboll, Amir Rrahmani, ka thënë se është ende herët të flitet për titull të kampionit. Ai është i kënaqur me rezultatet e deritashme të Napolit në Serie A. Napoli është në vendin e parë me 13 pikë, një më shumë se Juventusi dhe dy më shumë se Milani, Interi dhe Torino. “Jemi ende në fillim, ka ende shumë punë për t’u bërë. Duhet të vazhdojmë kështu, do të jetë e rëndësishme që të kemi vazhdimësinë e duhur gjatë kampionatit”, ka thënë Rrahmani për mediumet italiane.

Ai ka vlerësuar lart punën e trajnerit të Napolit, Antonio Konte. Ka theksuar se trajneri luan rol të madh në rezultatet e ekipit. “Trajneri është i rëndësishëm, është ai që i jep rrugë ekipit. Ne po përpiqemi të ndjekim udhëzimet e trajnerit Antonio Konte dhe shpresojmë të vazhdojmë kështu”, është shprehur Rrahmani. Mbrojtësi 30-vjeçar me Napolin fitoi titullin e kampionit në edicionin 2022/2023. Dy tituj të kampionit fitoi edhe me fanellën e Dinamo Zagrebit.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here