Përmes veprës së Bajronit Europa ritakoi e rinjohu gjuhën shqipe

0
30

Nga Julia Vrapi

Konferenca shkencore ndërkombëtare “Bajroni dhe bajronizmi në botën shqiptare” mblodhi akademikë dhe studiues të letërsisë në Akademinë e Shkencave. Konferenca iu kushtua 200-vjetorit të vdekjes së poetit anglez G. G. Bajron, që me veprën e tij, zgjoi interesin kulturor të kontinentit të vjetër për popujt e vjetër të Ballkanit dhe trashëgiminë e tyre. Në emër të kryesisë së ASH, sekretari shkencor Shaban Sinani u shpreh ndër të tjera se ardhja e romantizmit europian në botën shqiptare pas disa shekujve harrimi në fatin e saj të braktisur, në përbërje të supershtetit otoman, ishte një faktor rizgjimi. “Shqiptarët, grekët, spanjollët, popujt e lashtë të Mesdheut që ai njohu, iu paraqitën Perëndimit si lavdi e historisë, model i virtytit dhe shkëlqim i trashëgimisë. Përmes veprës së Bajronit Europa ritakoi e rinjohu gjuhën shqipe, identitetin e shqiptarëve, folklorin dhe veshjet e tyre, virtytet dhe cenet, rendin shoqëror e jetesën tradicionale, që ajo vetë i kishte humbur prej zhvillimit industrial”, u shpreh akademik Sinani. Në vijim ai tha se Bajronizmi vuri në lëvizje mendimtarët gjermanë G. Leibnitz e F. Bopp për të kërkuar e qartësuar burimin e lashtë të shqipes dhe përcaktimin e saj si gjuhë indoeuropiane. “Albanologjia si dije me objekt specifik lindi pikërisht në të tilla rrethana. Nuk ishte vetëm ambicia e natyrshme për zbulime shkencore, që çoi te ky rezultat historik, por dhe fakti që nacionalizmi shqiptar ka lindur si nacionalizëm gjuhësor dhe ka shërbyer si themeli i ideologjisë kombëtare. Ardhja e romantizmit europian në Shqipëri, në formën e bajronizmit apo të etjes për njohje e zbulime, janë një shkas me rëndësi për të reflektuar lidhur me periodizimin e historisë së popullit shqiptar, veçmas për kohën se kur filloi Rilindja Kombëtare”, tha akademik Sinani.
Përshkrimi për shqiptarët.

Akademik Mehmet Kraja, kryetar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës bashkorganizuese e konferencës shkencore ndërkombëtare tha ndër të tjera se “Çajld Harold” e nxiste që ta lexonte dhe rilexonte. “Kënga e dytë e poemës që përshkruante shqiptarët. Rrallë mund të gjendet një përshkrim kaq dashamirës dhe kaq mbresëlënës për shqiptarët, siç është ky i Bajronit dhe kam një bindje se në historinë e marrëdhënieve ndërmjet dy kombeve (Britani-Shqipëri) është vënë në themel, para më shumë se dy shekujsh, një gur që shkëlqen fort dhe mbase për këtë arsye këto marrëdhënie kanë qenë gjithmonë nga më të mirat mes dy popujve të Europës”, tha ai ndër të tjera gjatë konferencës në ASH një ditë më parë. Ndërsa te fjala e saj prof. asoc. dr. Evalda Paci shprehu ndër të tjera se i njohur si poet i udhëtimeve e i gjurmimeve, G. Bajron reflektoi qartësisht gjurmë të substrateve kulturore në përpilimet e tij të shekullit XIX, duke u bërë dhe objekt i një vëmendjeje të spikatur nga editorë e njohës të veprës së tij. “Autor i rrëfimit të itinerareve komplekse, portretizues i figurave të rëndësishme në historinë e qytetërimit europian, qëmtues hollësish që kanë të bëjnë me ngjarje deçizive në këtë të fundit, Bajron evidentohet dhe në botime të afërta në kohë me vetë përshkrimet gjeokulturore të tij, duke reflektuar dhe një njohje diskrete në spektrin e editorisë italike të kohës”, tha ajo. George Gordon Byron (Xhorxh Gordon Bajron) është shkrimtar anglez, përfaqësues tipik i romantizmit europian, i njohur kryesisht për kryeveprën e tij, Çajd Harold. Ai është vlerësuar si dashamirës i shqiptarëve falë udhëtimeve të shumta në vendin tonë dhe miqësisë që kishte me Ali Pashë Tepelenën. Xhorxh Gordon Bajron lindi në Londër më 22 janar 1788 dhe vdiq më 19 prill 1824 në Greqi.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here