Lojtarët e përfaqësueses tonë po përpiqen të bëjnë maksimumin e tyre në këto javë të fundit të sezonit në ligat e ndryshme europiane për të mbyllur një edicion të suksesshëm, ndërkohë që shtrirja gjeografike e lojtarëve shqiptarë në shumë vende europiane e më gjerë është e madhe. Nga Rusia Mirlind Daku bëhet sërish protagonist, ndonjëherë jo aq me gola sesa me sjelljen e tij dhe përplasjen me rivalët, kurse Vedat Muriqi i Kosovës ka ambicie të jetë në formacionin më të mirë të La Ligas për këtë sezon në Spanjë.
Daku debat me rivalin
Një moment interesant ka ndodhur me sulmuesin Mirlind Daku në barazimin 0-0 mes Rubin Kazan dhe CSKA Moskë në javën e 27-të të kampionatit rus. Sipas një videoje të publikuar nga klubi i Rubin Kazanit, në pushimin e ndeshjes mesfushori i CSKA-së, Dimitry Barinov, iu drejtua Dakut me pyetjen: “Pse po rrëzohesh?”. Episodi lidhej me fundin e pjesës së parë, kur sulmuesi kuqezi u rrëzua brenda zonës pas një kontakti në këmbë, duke pretenduar për penallti.
Dialogu mes dy lojtarëve ka tërhequr vëmendje, pasi tregon tensionin dhe debatet që shoqëruan një ndeshje shumë të luftuar, ku Rubin Kazan ishte pranë surprizës ndaj një rivali si CSKA Moskë. Pavarësisht polemikave, sfida u mbyll pa gola, ndërsa skuadra e Dakut vazhdon të mbajë vendin e 7-të në renditjen e kampionatit rus. Në javën e ardhshme, Rubin Kazani do të luajë në transfertë ndaj Baltika Kaliningrad, ku synon të rikthehet te fitorja, teksa Daku ende nuk ka shënuar pas rikthimit nga dëmtimi.
Sulmuesi/ Muriqi kandidat për formacionin e sezonit në La Liga
Sulmuesi i kombëtares së Kosovës, Vedat Muriqi po kalon në një sezon të jashtëzakonshëm në La Liga sivjet me Majorkën. “Pirati” dardan ka shënuar deri më tani 21 gola në La Liga, derisa kanë mbetur edhe pesë ndeshje deri në fund të kampionatit.
Pas këtij suksesi individual, Muriqi tashmë është nominuar për formacionin më të mirë të sezonit në La Liga. Kështu ka njoftuar klubi i tij Majorka, përmes një postimi në platformën “X”. “Muriqi, i nominuar për ekipit më të mirë të sezonit EA SPORTS”, shkruan Majorka. Në të njëjtin postim, Majorka ndanë edhe linkun, ku mund të votohet për sulmuesin e kombëtares së Kosovës. Pavarësisht se Muriqi po kalon në formë të mirë, Majorka po lufton për mbijetesë, duke grumbulluar vetëm 35 pikë nga 33 ndeshje, e duke zënë vendin e 17-të në tabelë, me një pikë më shumë se Sevilja në vendin e 18-të, që të dërgon në La Liga 2.
Bullari gjen golin e shtatë në ligën e dytë greke
Vijon paraqitja e mirë e lojtarëve shqiptarë edhe në kampionatin grek. kështu, ish-sulmuesi i Laçit, Emiljano Bullari, gjeti golin e shatë në Superligën 2 të Greqisë, me fanellën e Janinës, në triumfin 4 me 3 ndaj Kampaniakosit. Pas vetëm 29 sekondash lojë, Bullari tundi rrjetën me një goditje potente nga distanca, duke i dhuruar avantazhin vendasve, që arritën të arkivonin 3 pikë të rëndësishme. Sulmuesi 25-vjeçar u bashkua me skuadrën greke nga Laçi më 12 shtator të vitit 2025, teksa ka arritur të përshtatet mjaft mirë.






































