Zbulohet varri monumental në Amantia, specialistët po hartojnë dhe projekt restaurimi Julia Vrapi

0
30

Për varrin monumental zbuluar në parkun arkeologjik të Amantias do të ketë edhe një projekt restaurimi. Përgjatë muajit të kaluar një ekip arkeologësh dhe restauratorësh të Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore – Vlorë u angazhuan në gërmime arkeologjike dhe zbulimin e një varri tjetër monumental në hyrje të territorit të parkut arkeologjik të Amantias.

Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Vlorë shprehet se është varr monumental, i cili ndodhet në buzë të rrugës që lidh fshatrat Ploçë dhe Amonicë (Bashkia Selenicë). Sipas DRTK Vlorë, ekzistenca e këtij varri, është pretenduar gjatë gërmimeve arkeologjike të shpëtimit të realizuara nga kjo drejtori dhe D.SH.A / Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore, në vitin 2020, ku në atë vit, u zbulua varri i parë monumental në atë territor. “Duke qenë se, monumenti kishte nevojë për ndërhyrje restauruese, hapje të plotë të sipërfaqes për të mundësuar drenazhimin e ujërave që po e dëmtonin, si dhe studimin dhe dokumentimin e tij, me vendim të Këshillit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore Materiale, u miratuan dhe realizuan, ndërhyrjet e domosdoshme të sipërpërmendura”, thuhet nga Drejtoria Rajonal e Trashëgimisë Kulturore Vlorë.

Më tej Drejtoria Rajonal e Trashëgimisë Kulturore Vlorë shprehet se nga rezultatet paraprake del që varri i zbuluar është përdorur për varrime nga shekulli I deri në shekullin II m.Kr. Sipas DRTK-së brenda hapësirës së varrit monumental me blloqe guri, është ndërtuar një varr me muraturë tulle. “Nga elementet e tjerë të zbuluar, tërheq vëmendjen suvatimi i hapësirës së brendshme të dhomës së varrimit. Objektet e zbuluara janë kryesisht enë qeramike të fragmentuara, pak enë të plota, enë qelqi të fragmentuara, si dhe objekte metalike, ku një pjesë e madhe përbëhet nga gozhdë. Përreth varrit monumental, u gjetën dhe dokumentuan edhe varre të tjera me tjegulla, të së njëjtës periudhë. Krahas masave paraprake të konservimit, specialistët e DRTK – Vlorë po hartojnë edhe një projekt restaurimi dhe muzealizimi për monumentin”, shprehet DRTK Vlorë.

 Parku arkeologjik i Amantias

Në hyrje të parkut arkeologjik të Amantias tashmë mund të vizitohen grup varresh monumentale, me arkitekturë të veçantë dhe histori mijëra vjeçare. Parku arkeologjik dhe qyteti ilir i Amantias në Shqipëri shërben si një dëshmi e pasur e historisë. Amantia u themelua në fund të shekullit V para Krishtit. Ndodhet në një kodër dhe është e fortifikuar me mure. Në shekullin e III-të para Krishtit qyteti u forcua ekonomikisht dhe nxori monedhat e tij të para. Në vitin 268 para Krishtit, qyteti preu monedhën e vet. Ka ende gjurmë të tempullit të Afërditës, teatrit dhe stadiumit. Pozicionuar në një kodër dhe rrethuar nga një natyrë e mrekullueshme, ky park arkeologjik është bërë objekt studimi dhe gërmimi arkeologjik për shumë vite. Gërmimet arkeologjike që që janë kryer kanë mundur të sjellin në dritë të dhëna historike mbi ekzistencën e Amantias.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here