Kushtetuesja plotësohet me 9 anëtarë, Gjykata e Lartë zgjedh Holta Zaçajn si zëvendësuesen e Vitore Tushës, nisin procedurat për zgjedhjen e kryetarit të GJK

0
94

Pas më shumë se 5 vitesh, Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë rikthehet në funksion të plotë. Ditën e djeshme, Gjykata e Lartë zgjodhi avokaten Holta Zaçajn si anëtarë e nëntë e institucionit më të lartë juridik në vend. Edhe pse mori numër të njëjtë votash me kandidaten tjetër, prokuroren e Tiranës, Elsa Mihën, Zaçaj u rendit nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi me më shumë pikë se Miha. Për rrjedhojë, ajo bëhet me të drejta të plota pjesë e trupës së Gjykatës Kushtetuese. Nga ana tjetër, kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Vitore Tusha detyrohet të lërë detyrën dhe vendin në GJK, pasi kishte tejkaluar afatin e mbarimit të mandatit.

Zgjedhja e kryetarit të GJK

Por me zgjedhjen dje nga Gjykata e Lartë të Holta Zaçajt si anëtaren e nëntë të Gjykatës Kushtetuese, i cila zëvendësoi kryetaren në detyrë me mandat të mbaruar Vitore Tushën, ky institucion ka hapur ditën e djeshme procedurat për zgjedhjen e drejtuesit të ri. Vetë Gjykata Kushtetuese njoftoi se ka mbajture një mbledhje të posaçme dhe ka vendosur fillimin e procedurave për zgjedhjen e Kryetarit. “Kërkesa për shprehje interesi nga gjyqtarët mund të paraqitet jo më vonë se 7 ditë nga fillimi i detyrës së gjyqtares së zgjedhur nga Mbledhja e Posaçme e Gjykatës së Lartë”, thuhet në njoftimin e Kushtetueses.

Procesi, avokatja Zaçaj dhe prokurorja Miha me vota të barabarta, verdiktin e dha KED

Në mbledhjen e djeshme të Gjykatës së Lartë, u diskutuan dhe votuan kandidaturat e Zaçajt dhe Mihës për anëtaren e nëntë të Gjykatës Kushtetuese. Nga 12 vota, 6 shkuan për Holta Zaçajn, 6 për Elsa Mihën, ndërsa 3 u shpallën të pavlefshme. Bazuar në rregulloren e GJL, duhet që anëtari legjitim i dalë nga ky institucion të marrë minimum 3/5 e votave. Për shkak se rezultati ishte i barabartë, anëtarët e Gjykatës së Lartë u bazuan te renditja e pikëve të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, që avantazhoi Holta Zaçajn.Në bazë të vlerësimeve, Këshilli i Emërimeve në Drejtësi  njoftoi më 23 dhjetor vlerësimin e dy kandidateve për vendin vakant të Tushes në Gjykatën Kushtetuese, ku në përfundim Zaçaj kishte siguruar 84.72 pikë, ndërsa Miha 82.22 pikë. Por, në vlerësimin paraprak mes dy kandidateve, Mihaj udhëhiqte me diferencë minimale ndaj Zaçajt (82.22 ndaj 82.2 pikëve), por në vlerësimin final, kjo e fundit parakaloi prokuroren e Tiranës. Sqarimin për ndryshimin e renditjes në listën e KED, e dha drejtoresha e Marrëdhënieve me Publikun dhe Median në Gjykatën e Lartë, Ida Vodica, për BIRN. Ajo saktësoi se avokatja Holta Zaçaj konvertoi një diplomë masteri, që është përfshirë në vlerësimin e KED. Kjo bëri që ajo të grumbullonte më tepër pikë se Elsa Miha.

Profili i Holta Zaçajt, avokate për familjen dhe pasuritë e paluajtshme, ja CV e plotë

Anëtarja më e re Gjykatës Kushtetuese, Holta Zaçaj ka ushtruar prej mëse 20 vitesh profesionin e avokates. Ajo është e specializuar në tëdrejtën familjare, mbrojtjen e fëmijëve dhe transaksioneve me pasuri të patundshme. Aktualisht, ajo është dhe anëtare e Komitetit për Shërbimet e Mbrojtësit Publik-Divizioni për Fëmijët dhe Familjen në Masaçusets të SHBA. Në periudhën maj 2019-janar 2020, Zaçajpunoi si avokate për transaksionet e pasurive të paluajtshme. Në 2013-2018, avokatja Zaçaj punoi si Drejtoreshë e Departamentit të Shërbimeve Ligjore në Alpha Bank. Në vitet 2008-2013 ka mbrojtur çështje për Të Drejtën Familjare, Shoqëritë Tregtare dhe Të Drejtën Financiare. Edhe në fushën mësimdhënies, anëtarja e re Gjykatës Kushtetuese ka ushtruar detyrën e pedagoges në disa universitete në vitet 2009-2014. Për sa i përket arsimit, Holta Zaçaj përfundoi studimet për jurist në vitin 1998. Në 2008, ajo përfundoi masterin 1-vjeçar për ligjet, ndërsa në 2018 u diplomua për Të Drejtën Kushtetuese.

Gjykata Kushtetuese gjen gjetësi pas më shumë se 5 vitesh

Vakanca për zëvendësimin e Vitore Tushës u hap që në 16 janar 2017, por dështoi për vite me radhë si pasojë e kaosit të krijuar nga dorëheqjet e disa anëtarëve dhe vetingut. Kjo bëri që të rihapej sërish gara në dy raste 2021 dhe 2022. Përpara Holta Zaçjas, në Gjykatën Kushtetuese u zgjodhën Marjana Semini nga Parlamenti dhe Gent Ibrahimi. Gjykata Kushtetuese përbëhet nga 9 anëtare, të cilët zgjidhen 3 nga Presidenti, 3 nga Parlamenti dhe 3 nga Gjykata e Lartë. Mandati i një anëtari është 9 vjet dhe nuk ka opsioni rizgjedhjeje.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here