Broja frikësohet se mos e “djegin” tek Çelsi, Berisha dëmtohet dhe alarmon Rejën

0
72

Dy lojtarë të Kombëtares shqetësojnë aktualisht trajnerin Edi Reja në Kombëtare. Bëhet fjalë për sulmuesin Armando Broja që është në Premier League me Çelsin por nuk po fiton minutazhin e duhur, ndërsa vetë lojtari ka frikë se po e “djegin” në stol tek klubi londinez. Ndërsa lajmi i dytë jo i mirë ka të bëjë me një dëmtim të portierit Etrit Berisha, i cili e ka alarmuar krejtësisht trajnerin Edi Reja në përfaqësuese pasi këtë herë bëhet fjalë për mungesa të rëndësishme në prapavijë, mungesa që mund të kenë impakt negativ në rezultatet e dy ndeshjeve vendimtare të fundshtatorit në grupin tonë në kuadër të Ligës së Kombeve. Portieri është dëmtuar por jo aq sa të mungojë gjatë, por problemi tjetër i tij lidhet me faktin e nuk po luan dhe mungesa e minutazhit mund të kushtëzojë ftesën në përfaqësuese. Megjithatë, Reja do të marrë një vendi m pas dy javësh për këtë çështje.

Broja ka frikë se mos e “djegin”

Shumë skuadra të Premier League po kërkojnë të afrojnë Armando Brojën, megjithatë Çelsi ende nuk ka marrë një vendim për sulmuesin e kombëtares shqiptare, ndonëse tashmë ka filluar numërimi mbrapsht i mbylljes së merkatos së verës. Shqiptari aktualisht është jashtë skuadrës përgatitore të “bluve” të Londrës për shkak të një dëmtimi dhe e ardhmja e tij tashmë është një shqetësim, kjo për faktin se Thomas Tuhel nuk pranon ta largojë, por njëkohësisht nuk duket as i bindur për ta pasur aktiv në skuadrën e tij. Armando Broja është një talent i ri i akademisë së Çelsit, i cili la gjurmë te Sauthempton, ku ishte në formë huazimi. Sulmuesi cilësohet si një talent që mund të ecë mirë në ekipin e parë të Çelsit nëse i jepej një shans. Duket se edhe sulmuesi shqiptar e beson këtë dhe është i bindur se do e ketë një mundësi për të luajtur në ekipin e parë. Megjithatë, ai gjithashtu nuk ka frikë të shkojë diku tjetër nëse ky do të jetë vendimi i “bluve” të Londrës.

Portieri/ Dëmtohet kapiteni Berisha

Situata e pazakontë me dëmtimet e futbollistëve të Kombëtares Shqiptare po vazhdon më ritme të frikshme. Seria e lojtarëve të ndalur për probleme të ndryshme vazhdon e rritet ditë pas dite, sa më shumë afrojnë datat e ndeshjeve të përfaqësueses në Ligën e Kombeve. I radhës është ai i Etrit Berishës, i cili në mënyrë të papritur, është njoftuar se nuk do të jetë i gatshëm për sfidën mes Torinos dhe Atalantës që luhej dje. Kapiteni i përfaqësueses shqiptare, sipas asaj që raportojnë mediat italiane, ka pësuar një dëmtim në gju ndaj është preferuar që të qëndrojë në Torino dhe të riaftësohet. Raportohet gjithashtu se për momentin situata nuk është shqetësuese dhe Berisha mund të jetë i gatshëm që për ndeshjen e të hënës. Por një dëmtim i tilli gjithsesi dëmton shanset e tij për t’i marrë vendin Milinkoviç-Saviç në katërkëndorin e Torinos. Jo vetëm kaq, por duke munguar në lojë e në pankinë, ai ka pak shanse të marrë ftesë në përfaqësuese. Pra dëmtimi nga një anë dhe mungesa e minutazhit nga ana tjetër po shndërrohen në problem për lojtarët e Kombëtares që tani më shumë se kurrë duhet të jenë në formë për të treguar potencialin e tyre dhe për të mundësuar realizimin e objektivave.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here