Vendimi i fundit i qeverisë/ Zbardhet harta e re e ujësjellësve, ja çfarë do të ndodhë me çmimet e ujit

0
215

Pas miratimit të vendimit për riorganizimin e shoqërive të ujësjellës-kanalizimeve, zbardhet harta që përcakton sesi do jetë shpërndarja e kompanive të reja.

Referuar dokumentit të publikuar në Fletoren Zyrtare, në total do të krijohen 15 Subjekte me Kompetenca të Përbashkëta, nga 58 kompani që janë aktualisht.

Sipas hartës, ujësjellësi i Tiranës do të marrë edhe Kamzën dhe Vorën, ndërsa pjesë e UK Durrës do të jetë edhe Kruja, Kavaja, Rrogozhina dhe Shijaku.

Ujësjellësi i Korçës do të bashkohet me Devollin, Maliqin, Kolonjën dhe Pustecin, ndërsa Pogradeci me Përrenjasin.

Gjithashtu, reforma parashikon agregimin e ujësjellësit të Shkodrës me Fushë-Arrëzin, Pukën, Vaun e Dejës dhe Malësinë e Madhe, ndërsa Elbasani, me Librazhdin, Gramshin, Cerrikun, Belshin dhe Peqinin, etj.

Sipas vendimit të qeverisë, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë do të zotërojë 51% të aksioneve të Subjekteve me Kompetenca të Përbashkëta, që do të jenë pikërisht kompanitë e krijuara nga agregimi i ujësjellësve.

Aktualisht, aksionet e ujësjellësve zotërohen në masën 100% nga bashkitë ku ato ushtrojnë aktivitetin, ndërkohë që sipas vendimit, Njësitë e Qeverisjes Vendore, që do lidhin marrëveshje për riorganizimin e shoqërive që janë në pronësi të tyre do të zotërojnë jo më shumë se 49% të aksioneve.

Bashkimi i këtyre kompanive nënkupton edhe një unifikim të tarifave që paguhen nga kompanitë e ujësjellës-kanalizimeve.

Më konkretisht, nëse i referohemi hartës së publikuar, qytetarët e Tiranës, Vorës dhe Kamzës do të paguajnë njësoj për ujin. E njëjta logjikë vlen për të gjithë ujësjellësit e tjerë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here