Ndryshon skema e ndarjes së pensioneve, nuk do të ketë më para në dorë, të gjitha transaksionet përmes bankës

0
305

Ndryshon skema e ndarjes së pensioneve. Momentalisht pjesa më e madhe e të moshuarve e marrin pensionin dorazi në sportelet e Postës Shqiptare, por qeveria ka në plan që të shkohet drejt transaksioneve bankare. Kjo do të thotë se synohet që si pensionet ashtu dhe ndihma ekonomike të kalojnë direkt në një llogari bankare në bankë. Plani është që deri në vitin 2023, rreth 70 për qind e qytetarëve të përdorin llogaritë bankare. Objektivi kryesor i Strategjisë Kombëtare për Pagesat me Vlerë të Vogël është që të promovojë përdorimin e shpeshtë të instrumenteve të pagesave modernë në të gjithë vendin, me qëllimin për të arritur 10 pagesa jo cash për person deri në fund të vitit 2023 dhe për këtë synohen që të hartohet dhe zbatohet legjislacioni përkatës. Sipas draftit, një projektligj “mbi llogarinë e pagesave” është përfunduar nga Banka e Shqipërisë në vitin 2021, që synon arritjen e një shkalle të volumeve të pagesave duke përcaktuar kriteret për përdorimin e një “llogarie bazë” e cila nuk ka kosto, ose një kosto të ulët për mbajtësin. Sipas “Scan”, si e tillë, kjo do të ndihmojë, përtej segmenteve të tjera të tregut, edhe qeverinë që të përdorë produktet e “llogarisë bazë” për të zgjeruar pagesat e saj, duke përfshirë pensionet dhe asistencat e papunësisë. Në këtë mënyrë krijohen parakushtet për të përfshirë financiarisht edhe popullsinë që merr pagesat e sigurimeve shoqërore, pensionistët dhe studentët, duke llogaritur që nuk do të përballen me kosto në “llogarinë bazë”. Në këtë pikë, rekomandimi kryesor të raportit mbi dixhitalizimin e pagesave të qeverisë është që Instituti i Sigurimeve Shoqërore të migrojë të gjitha pagesat për pensione dhe pagesa të tjera sociale nga pagesa në formë cash-i në transferta elektronike në llogaritë e përfituesve , ku llogaritë të kenë kosto të ulëta ose asnjë kosto për pensionistët (e ngjashme më llogaritë e pagave, ose llogarisë bazë). Po ashtu, rekomandohet që programet e asistencës sociale që nënkuptojnë shpërndarjen periodike monetare për përfituesit të kryhen nëpërmjet llogarive të përfituesve në banka apo nëpërmjet produkteve të tjera të sistemeve të pagesave dhe jo cash sikurse shpërndahet aktualisht. Të dyja këto rekomandime pritet të realizohen përmes zbatimit të ligjit mbi shërbimet e pagesave.

Rritja e pensioneve

Këtë vit qeveria ka planifikuar rritje pensionesh, e cila do të ndodhë në muajin prill. Sipas të planit buxhetor, në muajin prill do të ketë një indeksim 2.5% të pensioneve dhe po në të njëjtat ritme do vijojë për dy vite të tjera. Konkretisht në vitin 2021 fondi i kontigjencës, që tregon rritje të pensioneve në bazë të shpenzimeve të pensionistëve, do të kapë vlerat e 2.500 milionë lekëve. Në këto kushte qeveria tregon se do të ketë prioritet përmirësimin e të ardhurave për pensionistët në periudhën afatmesme 2021-2023, duke përmirësuar skemën e përfitimit. “Për vitin 2021 janë përcaktuar për skemën e pensioneve 2.4 miliardë lekë, ku do të ketë indeksim të pensioneve përgjatë vitit. Rritja e nivelit të përfitimeve të pensionistëve sipas rritjes së indeksit të çmimeve të mallrave të konsumit dhe të shërbimeve, të përcaktuar në shportën e pensionistëve. Rritja është llogaritur me indeksin mesatar 2.5 % në vit, duke filluar në periudhën 01.04 i çdo viti, duke respektuar kështu edhe fondet e kontigjencës. Fondet kontigjencës sipas viteve janë; Viti 2021 do të përmbaj si fond 2,500 milionë lekë; Viti 2022 -3,000 milionë lekë Viti 2023 -3,120 milionë lekë”, përcaktohet në projektligj. Në këtë plan përcaktohet që në vitin 2021 në skemën e pensioneve do të përfshihen edhe 16 mijë qytetarë të tjerë, me një fond shtesë 13 miliardë lekë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here