“Mashtroi Bibliotekën Kombëtare, i zhytur në borxhe”/Mit’hat Frashëri në jetën private, zbulohen letrat e ish-drejtorit të BK dhe mikut të tij, Sotir Kolea

0
215

Bir i Abdyl Frashërit të famshëm, Mithati (në foto djathtas, i ri) në vitin 1908 mori pjesë në Kongresin e Manastirit dhe u zgjodh nënkryetar i Komisionit të Alfabetit. Kur Shqipëria shpalli pavarësinë nga Perandoria Osmane, Mit’hat Frashëri shkroi:

“Deri tani shqiptarët kanë jetuar shumë pak për veten e tyre; nga veprimtaria e tyre, gjaku i tyre, talentet e tyre kanë përfituar fqinjët e tyre. Ata kanë shenjtëruar të mirën e tyre për të mirën e të tjerëve. Tani ata duhet të jetojnë dhe punojnë për veten e tyre, për Shqipërinë e tyre”.

Nën regjimin e Zogut në vitin 1925, Mit’hati e la jetën publike dhe hapi një librari në Tiranë. Ai vetë zotëronte një bibliotekë jashtëzakonisht të madhe private me rreth 20.000 vëllime, koleksioni më i madh në Shqipëri në atë kohë.

Me shtrirjen e Gjermanisë dhe ndërsa Lufta e Dytë Botërore po bëhej e pashmangshme, Mit’hati themeloi Ballin Kombëtar dhe më pas u zhyt në kolaboracionizëm.

Madje, jo vetëm kaq.

Historiani Pëllumb Xhufi shprehet se Balli Kombëtar në maj të vitit 1944 tentoi që të bashkëpunojë me të djathtën greke për të krijuar një bashkim federal mes Shqipërisë dhe Greqisë.

“Nga vera e vitit 1943, Balli kombëtar kaloi tërësisht në shërbim të nazistëve dhe njësitë balliste kanë marrë pjesë bashkë me forcat naziste në operacione të përbashkëta kundër Ushtrisë Nacionalçlirimitare.

Por edhe në planin politik Balli kombëtar, me në krye Mit’hat Frashrin, kanë tentuar të bëjnë ujdira antikombëtare, në dëm të integriteti dhe sovraniteti të shtetit shqiptar. Në muajin maj të vititit 1944, Mitat Frashri hyri në kontakt me të djathtën greke, në funksion të krijimit të një bashkimi federal mes Greqisë dhe Shqipërisë.

Në këtë bashkim federal Shqipëria do të kishte kufijtë e 1913, duke përjashtuar prej saj Kosovën dhe Çamërinë, dhe ushtria që do të krijohej nga ky bashkim federal do të ishte nën drejtimin e shtabit grek”, deklaron Xhufi.

Pas luftës, Mit’hat Frashëri, i dënuar nga regjimi komunist në mungesë, shkon në mërgim ku zgjidhet kreu i Komitetit Shqipëria e Lirë. Vitet e para të luftës së ftohtë i kaloi duke u përpjekur për të mbledhur së bashku një koalicion të forcave anti-komuniste shqiptare në Britani dhe Shtetet e Bashkuara.

Në tetor të vitit 1949 (69 vjeç) vdiq në mënyrë enigmatike në Hotelin Lexington në Lexington Avenue në Nju Jork.

Përmbledhur në pak fjalë, figura e Mit’hat Frashërit, pinjollit më të ndjerë të familjes së madhe të Frashërllinjve, është një figurë komplekse.

Ai shkëlqeu si publicist dhe shkrimtar, por jo si politikan.

Më poshtë po tregojmë edhe një anë të tij të errët në jetën personale. Deri para disa kohësh ne kemi ditur se një pjesë e mirë e Bibliotekës Kombëtare është dhuratë e bibliotekës personale të Lumo Skëndos (Mit’hat Frashërit) dhe e kemi mbajtur atë për filantropist e patriot.

Por, po të hysh në thellësi të dokumenteve, nuk është plotësisht kështu. Ai është detyruar që këtë pasuri (fond të madh librash) ta shesë për të larë borxhet. Madje ka tentuar edhe ta mashtrojë Bibliotekën Kombëtare me çmime të fryra për libra pa vlerë.

Ka një korrespondencë të gjatë të Mit’hatit me drejtorin e asaj kohe (viti 1928-1936) të Bibliotekës Kombëtare, Sotir Kolea (foto majtas). Herë qetë, duke iu lutur, e herë rreptë, duke e quajtur “kusar që kërkon të vjedhë Shqipërinë”, Sotir Kolea i kërkon Mit’hatit të mos justifikohet, por të lajë borxhet që ka ndaj tij dhe ndaj Bibliotekës, pra shtetit.

Sotiri ka bërë “namin” dhe s’ka qenë dakord, për 98 tituj librash të Mit’hatit që, siç shkruan Kolea “s’vlenin asnjë grosh”, por të cilat me urdhër të zëvendësministrit të Arsimit të asaj kohe do t’i shiteshin Bibliotekës Kombëtare me shuma kolosale, të pajustifikueshme.

Por veç kësaj, Sotiri i kishte dhënë Mit’hatit borxh në mënyrë private.

Kolea i bën një letër demaskuese Mit’hat Frashërit, ku e akuzon si hajdut të rëndomtë. Por Mit’hati, edhe në vitet në vazhdim pas kësaj ndodhie i kërkoi borxh përsëri Sotir Koleas, i cili, siç duket edhe nga katër letra, ia ka plotësuar nevojën.

I zhytur thellë e më thellë në borxhe, Mit’hati nuk ka mundur t’ia kthejë. Atëherë Sotiri i ka dërguar një letër të ashpër ku i thotë “ta pushojë këtë lodër sa pa u kthyer në tragjedi”. Por edhe pas kësaj letre, nuk ndryshoi asgjë.

Nuk ndryshoi asgjë edhe kur Kolea së fundi u detyrua të zbusë zërin e të lutet. I mori apo s’i mori dot Sotir Kolea këto para, ne pak na intereson. Ajo që na intereson në këtë rast, është të dimë se jeta e atyre që historia i ka mbajtur shënim, ka edhe dritë edhe hije. Dhe kur drita është e fortë, hija nuk vihet re.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here