Teatri Eksperimental, në fundjavë me dy premiera për fëmijë te “ArTurbina”

0
378

Teatri Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” çel sezonin artistik, me dy premiera për fëmijë. “Hansel dhe gretel” dhe “Drejt imagjinates” janë dy shfaqjet më të reja, që do të vijnë për vogëlushët të shtunën dhe të dielën në orën 10:30, në sallën e këtij institucioni tek “ArTurbina”. “Drejt imagjinatës” është me tekst dhe regji nga Endri Çela, kostumografia Sofi Kara, skenografia Beqo Nanaj dhe koreografia Rexhina Ibro. Aktorët janë Ergys Çekrezi, Jonida Peti, Lejda Çeli, Rexhina Ibro, Pamela Rexhepi, Joana Çani. Në shfaqjen “Drejt imagjinatës”, në hapësirën e madhe e të bukur qiellore ekziston një krijesë fëminore, magjike dhe e tëra fantastike. Ajo quhet Flatra. Emrin e ka prej krahëve të saj, që janë dy flatra me dritë imagjinate, që vihen në punë nëpërmjet imagjinatës së fëmijëve. Sa herë që fëmijët imagjinojnë dhe këtë e bëjnë sidomos kur lexojnë libra, Flatra përplas krahët e saj dy herë dhe nis fluturimin mes yjeve qiellorë. Me një “hop” të lehtë ajo hidhet nga një yll në tjetrin dhe ndriçon aq fort, saqë mund ta shohësh ndriçimin e saj që nga dritarja e dhomës. Mirëpo një ditë, fëmijët filluan të mos imagjinojnë më. Përherë e më shumë ata u përqendruan te televizori, te lojërat kompjuterike, te playstation-i, apo celulari dhe iPad-i i mamit dhe i babit. Flatra u mërzit shumë, sepse sa herë që një fëmijë ndalon së imagjinuari, fuqia e saj fluturuese bie, krahët i dobësohen dhe drita i zbehet. Flitet se gjendja e saj po rëndohet aq shumë, saqë mund të fiket fare. Por se çfarë do të sajojnë ndihmëset e saj, tri Krahëzat besnike dhe Xixi, sinjalizuesi i fëmijëve, për ta mbajtur ndezur Flatrën kjo do të zbulohet në shfaqje. “Hansel dhe Gretel” është me autorë Mateo Dervishaj dhe Endri Dibra (mbështetur në përrallën me të njëjtin titull të vëllezërve Grim). Regjisor dhe koreograf Mateo Dervishaj, skenograf BeqoNanaj dhe kostumografe Sofi Kara. Aktorë në shfaqje janë Françeska Hysi, Kleard Gërmenji, Josif Sina, Brendi Bega, Deljana Topulli, Elona Mamo. Një grup aktorësh simpatik dhe një tregimtar do të tregojnë për historinë e Hansel dhe Gretel, motër e vëlla, që jetojnë në një shtëpi pranë pyllit me babain dhe njerkën e tyre. Ata ndodhen shpesh në situata të pakëndshme, kjo falë njerkës së tyre që do të preferonte që ata të mos ishin fare aty. Në ngjarjet e veprës tregohet se si Hansel dhe Gretel përdorin inteligjencën që i karakterizon dhe sjellin në mendje zgjidhje, të cilat i kanë lexuar në libra për t’i bërë ballë të gjitha peripecive të cilat nisen nga disa manaferra dhe një dëshirë e keqe.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here