Pajtim Dhana, i arrestuar dy ditë më parë si autor i vjedhjes me dhunë të çiftit Athina e Vangjel Prifti në fshatin Pishë të Fierit doli sot para gjykatës për masën e sigurisë.
Mesohet se është thënë masa e arrestit me burg për 47 vjeçarin.Ai mbërriti në gjykatë me furgonin e policisë rreth orës 09:00.
Me maskë kundër Covid dhe me kanatjere ai u shoqërua nga një efektiv policie në ambjentet e brendshme.
Mbi të rëndojnë akuzat për veprat penale “Vjedhje me dhunë” dhe “Mbajtja pa leje e armëve të ftohta”.
Athina e Vangjel Prifti ishin në gjumë kur Pajtim Dhana u shkoi në shtëpi dhe i terrorizoi e grabiti në kërcënimin e kësaj sopatë.
47 vjeçari u fut nga dera kryesore e shtëpisë, pasi theu xhamin.
“Rreth orës 11 na trokitën në derë. Erdhi nga para me një sopatë. Theu xhamin dhe hapi derën.”
Paratë ka qenë fjala e vetme me të cilën i është drejtuar të moshuarve para të cilëve doli i pa maskuar por kërcënues.
“Më mori lekët, unë ia dhashë. Ishte i vetëm. E dëgjoi e gjithë lagja.”
Pasi u mori 30 mijë lekët që çifti Prifti thotë se kishin kursyer për drutë e dimrit 47 vjeçari Pajtim Dhana ishte fshehur në një tjetër shtëpi, aty ku u gjet e arrestua nga Policia.
“Ai tha paratë, bërtiste dhe ky shkoi i mori paratë.”
Njeriu që i kërcënoi e grabiti me dhunë jeton vetëm disa metra larg çiftit të moshuar, sipas të cilëve kishte vetëm pak kohë që kishte dalë nga burgu.
“Një javë ka që ka dalë nga burgu, kështu ka qenë ai.”








































