Muzeu Etnografik në Berat, vazhdon procesi i konservimit për artefaktet

0
386

Në muzeu Etnografik në Berat vazhdon puna për konservimin e objekteve të ndryshme, që janë pjesë e tij. Qendra Muzeore Berat shprehet se çdo objekti gjithashtu po i vendoset edhe një numër identifikues në një copë beze, që zëvendëson etikën prej letre më parë. “Vazhdon procesi i konservimit parandalues për artefaktet si një obligim i përhershëm në muzeun Etnografik. Në këtë rast radhë pas radhë çdo objekti tekstili, të kadifenjtë, të leshtë, të pambuktë apo të mëndafshtë të koleksionit të regjistruar si pasuri e trashëgimisë kombëtare po pajiset me një numër identifikues të vendosur tashmë në copë beze (pambuku që nuk ka kaluar në procesin e zbardhjes) duke zëvendësuar në këtë mënyrë etiketën prej letre të ngjitur duke evituar kësisoj dëmet që mund të pësoj materiali prej tekstili”, shprehet Qendra Muzeore Berat, që ka postuar dhe disa foto gjatë këtij procesi, që po kryhet me objektet në muze. Sipas kësaj qendre, procesi u shoqërua me përditësimet përkatëse në dokumentacion dhe krijimin e një baze të dhënash për identifikimin e dëmtimeve te evidentuara në artefaktet e tekstilit në koleksionin e muzeut Etnografik. Ky muze në Berat u përurua në vitin 1979. Në të përfshihet kultura popullore etnografike e trevës së Beratit, si edhe ajo e Shqipërisë së Jugut. Muzeu është vendosur në një godinë dykatëshe trishekullore, tipike e trevës beratase. Në katin e parë është ngritur një sallë në të cilën është imituar një rrugicë mesjetare me dyqane tradicionale në të dy anët e saj. Në këtë sallë është vendosur edhe pavijoni i lashtësisë. Po kështu, në katin e parë janë vendosur objekte që janë përdorur për përpunimin e ullirit. Në katin e dytë ndodhet çardaku i hapur për pritje miqsh. Në këtë kat ndodhen me radhë arkivi, tezgjahu, dhoma e pritjes e fshatit, kuzhina dhe dhoma e pritjes e qytetit. Në mjediset e jashtme të muzeut janë vendosur shumë objekte origjinale, masive dhe funksionale të kulturës sonë popullore. Ky muze është me shumë vëmendje dhe për turistët që nuk mungojnë në qytetin e Beratit, që është përfshirë dhe në UNESCO.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here