Një operacion i përbashkët mes autoriteteve franceze dhe atyre shqiptare ka shkatërruar një grup kriminal që merrej me grabitje, duke vënë në pranga 8 persona. Të akuzuarit akuzohen se në harkun kohor të katër muajve kanë kryer vjedhje me forcë në rreth 70 apartamenteve në Nancy të Francës. Sipas policisë vlera e sendeve të vjedhura kap vlerën 500 mijë eurove, duke përfshirë këtu bizhuteri, sende me vlerë dhe para cash. Në pranga kanë rënë 4 anëtarët të familjes Kajtazi, të cilët drejtoheshin nga Arif Kajtazi, të cilët prej vitesh ishin rezidentë në Nancy. Si pjesë e së njëjtës bandë në Shqipëri u ndaluan Besnik Fufi, Alfons Perloka dhe Aleks Marku. Të gjithë personat e arrestuar janë nga qyteti i Laçit. Ata akuzohen për kryerjen e veprave penale të “vjedhjes”, “pastrimi i produkteve të veprës penale” dhe “grupi i strukturuar kriminal.
Në bazë të hetimeve të përbashkëta franko-shqiptare rezulton se familja Kajtazi u siguronte Fufit, Perlokës dhe Markut banesën dhe mjetet për realizimin e vjedhjeve. Tre të arrestuarit në Shqipëri, pasi kryenin vjedhjet në Francë, riktheheshin në qytetin e tyre, në Laç, ku depozitonin sendet e grabitura. Grupi i shqiptarëve ra në gjurmë të autoriteteve policore, pasi kishin nisur hetimet për vjedhje në seri të kryera në rajonin e Nansy-t, në Francë, por edhe në Belgjikë e Itali. Arrestimi i 8 personave të dyshuar u realizua në mënyrë të njëkohshme në Francë dhe në Shqipëri. Për shkak të mungesës së marrëveshjes së ekstradimit, tre të arrestuarit në Shqipëri do të gjykohen nga Gjykata për Krime të Rënda. Ndërsa 5 shqiptarët e arrestuar në Francë pritet të gjykohen nga autoritetet gjyqësore të Nancy-t. Prokurori francez e konsideroi rast të suksesshëm bashkëpunimin me autoritetet shqiptare për identifikimin dhe arrestimin e autorëve të dyshuar. Ndërsa prokurori Besim Hajdarmataj e vlerësoi këtë operacion si “një sinjal të qartë për grupet kriminale shqiptare që e konsiderojnë Shqipërinë si një vend ku mund të fshehin gjurmët e krimeve të kryera në Francë”.
Operacioni “AKUILA 2019”
Operacion i koduar “AKUILA 2019”, zhvilluar mes Policisë së Shtetit, Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Policisë Franceze dhe organeve të drejtësisë franceze, i koordinuar nga Europol përfundoi me shkatërrimin e një grupi të strukturuar kriminal në fushën e vjedhjeve të banesave dhe lokaleve. Policia bën me dije se në pranga kanë rënë 8 persona, 5 nga të cilët në Francë dhe 3 në Shqipëri. Nëpërmjet ndërmjetësimit të oficerit ndërlidhës shqiptar të atashuar pranë zyrave qendrore të luftës kundër krimit shëtitës në Paris, u kryen shkëmbime informacionesh midis grupeve hetimore në Francë dhe zyrës së Task-Forcës “Anti-Skifter”, përgjegjës për të luftuar fenomenin e kriminalitetit shëtitës shqiptar në Shqipëri, për një grup që ushtronte veprimtari kriminale në fushën e vjedhjes së banesave dhe lokaleve. Falë Europol-it dhe në kuadër të projektit “Specter”, të financuar nga Bashkimi Europian, oficerët e Policisë Gjyqësore shqiptare morën pjesë në një takim të përbashkët me oficerët francezë në ambientet e zyrës qendrore te luftës kundër krimit shëtitës në Paris, ku u prezantuan detaje në lidhje me hetimet e kryera dhe ecurinë e mëtejshme të hetimeve. Gjatë operacionit të zhvilluar u arrestuan 7 persona, nga këta 4 në Francë. Janë kryer dhjetëra kontrolle banesash, ku morën pjesë rreth 40 xhandarë dhe policë francezë. 3 persona të tjerë u arrestuan në Shqipëri, ku morën pjesë rreth 50 punonjës të Policisë së Shtetit dhe Task-Forca “Anti – Skifter”. Personi i tetë është arrestuar dy ditë më vonë në Francë. Kontrollet e kryera bënë të mundur gjetjen dhe sekuestrimin në veçanti në Shqipëri, të disa objekteve të vjedhura në Lorraine, Francë, në fund të vitit 2018, duke përfshirë bizhuteri të identifikuara me ndihmën e hetuesve francezë. Pas marrjes nën hetim dhe arrestimit të tyre, të tre personat e ndaluar në Shqipëri, me vendim të Gjykatës së krimeve të Rënda të Tiranës u lanë me masë sigurie “burg pa afat”. Si rezultat i marrjes nën hetim të një familjeje me origjinë kosovare, e cila shërbente si pikë mbështetëse për keqbërësit, u bë i mundur identifikimi, goditja dhe shkatërrimi tërësisht i këtij rrjeti të organizuar kriminal. Ky operacion i kryer njëkohësisht në Francë dhe Shqipëri, në fushën e vjedhjeve të banesave të kryera në seri, erdhi si rezultat i një bashkëpunimi dhe hetimi të mirëorganizuar mes forcave policore dhe agjencive ligjzbatuese të dy vendeve, si edhe falë krijimit të Task-Forcës “Anti – Skifter”. Ky operacion nuk është i pari, pasi janë zhvilluar edhe dy operacione të tjera me organet ligjzbatuese të Francës dhe Task-Forcës “Anti-Skifter”.
Elvis MYRTA